Panariti: Si mund të zhvillohet një Reformë Zgjedhore, duke mbajtur politikanë që nuk vettohen
Ka qenë i ashpër sot në Kuvend deputeti i LSI-së Edmond Panariti i cili bëri apel mazhorancës të votojë nismën e opozitës për vetingun në politikë, si e vetmja mundësi për të legjitimuar më pas reformën zgjedhore.
Fjala në Kuvend e deputetit Edmond Panariti
Vettingu për politikanët, unë në fakt ndoqa me shumë vëmendje veçanërisht qëndrimin dhe reagimin ndaj përfaqësuesve të shumicës në raport me këtë propozim të opozitës për ndryshimet në ligj, dhe unë e lexoj kështu. Dmth shumica qeverisëse i thotë popullit, sepse ky është në radhë të parë një problem moral, ku e gjithë shoqëria shqiptare po zien nga kërkesa për Vetting në të gjitha nivelet, media, pedagogë, akademikë, ju i ktheni këtij interesi publik përgjigjen që: Shiko jemi të gjithë të barabartë, por ne jemi më të barabartë se ju. Sepse standardet për pastërtinë e policit, standardet për pastërtinë e gjyqtarit, standardet për pastërtinë e prokurorit, standardet për pastërtinë e pedagogut nuk janë për ne, nuk vlejnë për ne. Ata janë për të tjerët, ato janë për ju. Sepse puna jonë, në ato arsyetime që ju bëni, në ato argumente që ju nxirrni për të mos e votuar Vettingun për politikanët paraqitet si diçka më komplekese, më e ndërlikuar që kërkon standarde të tjera të ndryshme nga standardet që ju i kërkoni të tjerëve dhe instrumenta garancie. Prandaj unë jam i bindur, sepse kjo del qartë edhe pa pritur votimin nga qëndrimet tuaja, se ju nuk do ta votoni skanerin tuaj, ju nuk do të votoni radioskopinë tuaj, sepse në fakt një pjesë e juaj janë të ndërgjegjshëm se në fakt ju do të votonit autopsinë tuaj. Sepse ky votim i propozimit të opozitës do të bënte të mundur që një pjesë e politikanëve shqiptarë, të cilët kanë ardhur në mënyrë të pamerituar me lidhje të shkurtra me botën e krimit dhe trafiqeve, me oligarkët, do të largoheshin përfundimisht nga politika shqiptare. Dhe në fakt e gjithë kjo histori mua më kujton një vepër të romancierit të njohur George Orëell, i cili para 73 vitesh pati shkruajtur kryeveprën e tij, “Ferma e Kafshëve”, edhe ai thotë shumë qartë. Elita e Fermës që ishin derrat në fakt, u thoshte anëtarëve të tjerë të Fermës, që jemi të gjithë të barabartë, por ne jemi më të barabartë se të barabartët. Pra, standardet për vlerësimin e gjykimit tuaj nuk vlejnë për ne. Pra është një revokim i asaj çka ka thënë Orëell në atë vepër monumentale para 73 vitesh. Të njëjtin moral po mundoheni që ta paraqisni këtu para nesh, për të justifikuar pikërisht këtë intrasigjencë, ndaj një çështje që me të drejtë siç e tha dhe z.Shehu është para së gjithash një çështje morale. Gjithë shoqëria kërkon me të drejtë një Vetting të të gjithë strukturave të saj, institucionale, akademike, politike në të gjitha nivelet. Dhe për ta mbyllur këtë diskutim timin, unë mendoj që është shumë e rëndësishme edhe për diçka tjetër, që në fakt është edhe objekt i diskutimit të ditës së sotme, të seancës së sotme, Reforma Zgjedhore. Si mendoni ju ka shans të zhvillohet një Reformë Zgjedhore, duke mbajtur politikanë të cilët kërkojnë të mos vettohen për lidhjet e tyre të mundshme me botën e krimit, me botën e trafiqeve, dhe ne pastaj të diskutojmë këtu për çështje të sistemit zgjedhor? Nëse do të jetë mazhoritar, proporcional, i kombinuar etj, do diskutojmë ne këtu pastaj për çështje teknike si do të numërohet vota, e politizuar, e papolitizuar, e politizuar çështja e komisioneve, numërimi do të jetë konvencional apo do të jetë dixhital. Këto gjëra janë komplet qesharake, në rast se personat që kanë ardhur me votë jo përfaqësuese, por votë të kriminalizuar do të jenë pjesë e kësaj reforme. Çfarë kuptimi ka çështja e sistemit, madje do tu thoja që ata do të thoshin qetësisht bëni si të doni zotëri, e doni proporcional, votojeni proporcional, e doni maxhoritar, e votojmë maxhoritar, e doni ta bëjmë votim elektronik se kjo nuk do ndryshonte asgjë. Po qe se ne nuk do të prisnim lidhjet okulte të politikanëve me botën e krimit, gjithë ky diskutim është tërësisht pa vlerë, prandaj Vetting-u i politikës është esencial dhe nga kjo derivojnë edhe çështjet e tjera shumë të rëndësishme që janë pjesë e diskutimit të seancës së sotme. Faleminderit
KOHA JONË SONDAZH

