Intervistë e Pandeli Majkos dhënë gazetës KOHA JONE me 29 qershor 1995: Berisha është krijuar si politikan i tensionit
(Botuar me 29 Qershor 1995 në KOHA JONE)
Intervistë me z. Pandeli Majko, deputet i PS dhe kryetar i FRESSH-it
Tani kur ka mbetur afërsisht një vit nga zgjedhjet e reja elektorale, si e shihni ju në spektrin e politikës së sotme ardhjen në pushtet të PS?
Ardhja në pushtet e PS duhet konsideruar si pjesë e procesit transitiv të Lindjes Europiane ish-komuniste ndaj demokracisë. Koha tregoi se e djathta e sapoformuar në mbarë Lindjen mbarti në politikën e saj qeverisëse një “realizëm” i cili nuk u suportua nga psikologjia e elektoratit. “Ekonomia vendos!”- ky sipas mendimit tim do të ishte refreni i politikës në Lindjen postkomuniste dhe që sigurisht ka kohë që po ndihet edhe në Shqipëri. Ardhjen e PS në pushtet nuk e konsideroj si një “happy-end” të lumtur të një tregimi të zymtë. Përkundrazi është thjesht veç hapi i parë, me të cilin e majta e reformuar shqiptare do të provojë shanset e veta. Nuk dëshiroj të shoh ëndrra me sy hapur. Do të ishte naivitet të mendohej se gjithçka do të ndryshojë shpejt dhe po aq, se gjithçka do të fitohet lehtë. Në vendin tonë bëhet politikë, por mjaft e egër në metodat që ajo përdor. Në hapësirën e saj mund të gjesh një egërsi nga më absurdet. “Statuskuoja” ende lëviz në kufijtë e ekstremeve për t’u përplasur pastaj në qendër. Megjithatë, nëse dikur mund të thoshim se kishte shumë turma dhe pak politikanë për ta, sot ndodh e kundërta. Ka shumë politikanë, por nuk dinë t’i gjejnë turmat tanimë… Ardhja e PS në pushtet mund të kërkohet për shumë arsye. Por mbi të gjitha ajo do të evidentojë diçka krejt të veçantë. Do të ishte përfundimi i historisë së shkurtër të turmës në politikë dhe i personazheve të saj.
Meqë po flasim për ardhje në pushtet. Z. Majko, përballë spektrit politik të PS cili është vendi që zë Presidenti Berisha?
Është e qartë se kur përmendet sot Berisha, të gjithë vihemi në rolin e “Majakovskit” dhe nënkuptojmë krejt politikën e PD. Ai qëndron padyshim sot për sot karizma e vetme e PD dhe e pushtetit të saj. Sipas mendimit tim, Berisha duhet pranuar si “dora e fortë”e politikës shqiptare i cili vendos realisht dhe egërsisht për ato që quhen “kryesore” në universin e saj. Tendencat e politikës së tij “disiplinore” ecin ngadalë, por… ecin. Politika e Berishës tashmë në qetësinë e “njëshit absolut”(të paktën deri në 96) sa vjen dhe po bëhet më pak pasionante dhe më shumë ekonomike. Kjo politikë po ngre dhe ngulmon ngritjen e rrjetës së saj strategjike. Lobet ekonomike të saj që po fillojnë të kristalizohen, po ngrenë strukturat të cilat herët a vonë do të sjellin në politikën e së djathtës cilësi të reja dhe një brez të ri politikanësh… Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ajo që shihet shpesh në veprimet e Berishës, shprehet edhe në koshiencën e një politike përçarëse. Asnjëherë nuk e kam imagjinuar të vërtetë “frikën”e Berishës për kthimin e komunizmit. Mesa kuptoj “frika” e tij bazohet në një politikë specifike. Në Shqipëri diktatura ka lënë shumë plagë të hapura dhe një shtresë sociale njerëzish të cilët i vuajnë ende ato. Realisht të frikësuarit nga “kthimi” do të ishin këta njerëz që Berisha sa dëshiron t’i ketë me vete (domethënë me PD), aq edhe t’i përplasë me PS egërsisht. Berisha është shfaqur dhe krijuar si një politikan i tensionit. Ai nuk mund të kuptohet dot pa këtë cilësi, madje edhe në Kishë…
Shumë forca politike po dalin në popull… ashtu si në fushatën e Referendumit. Mendoni se fitorja e 6 nëntorit evidentoi supermacinë e opozitës në politikën shqiptare përballë pozitës?
6 nëntorin nuk e kam konsideruar asnjëherë si fitore. Sepse nuk u fitua asnjë gjë. Kur kam dëgjuar shokët e mi se “fituam”, thjesht veç jam kënaqur që u shmang e keqja më e madhe. Kaq dhe asgjë më tepër. Presidenti deklaroi se fitoi populli. Them se me të drejtë do të ishte të thuhej: ne humbëm të gjithë!
Pse e quani një humbje për të gjithë?
Ne humbëm natën e 6 Nëntorit në mënyrën më të dhimbshme për një popull si ky yni që e ka ëndërruar aq shumë shtetin e tij. Por nëse 6 Nëntori do të fillonte me logjikën e humbjes, atëherë sigurisht që do të kërkoheshin edhe fajtorët historikë për këtë humbje kaq historike. Nuk e kam të vështirë ta kuptoj ankthin e kësaj nate të Referendumit të doktor Berishës. Në pritje të zgjedhjes së egër që ai vetë e zgjodhi, përgjigja aq e pritur me titull “hero” u kthye në … “fajtor”. Fajtor. Përjetësisht. Ai hodhi poshtë në mënyrën më sfidante të gjithë konsensusin e opozitës për ta miratuar kushtetutën e re sipas ligjit. Dhe përgjigja ishte po aq sfidante. Fajtor. Zoti nuk e kishte bekuar Kushtetutën e tij. Ai ndoshta kishte preferuar më mirë qelinë e Fatos Nanos…
Meqë jemi tek Nano, nga intervistat që kanë dhënë kohët e fundit duket se mendimi i tij për politikën e PS anon drejt qendrës. Megjithatë ai ende vazhdon të mbahet në burg. Mendoni se burgimi mund të ndikojë që Nano të largohet nga politika për disa kohë?
Fatos Nano nuk mund të largohet nga politika. Çështja është që atë dëshirojnë ta mbajnë në një lloj distance prej saj, siç mund të ishin zgjedhjet e reja elektorale të Parlamentit të ri. Pra, janë pengesa të cilat nuk i nxirren për të sotmen, por për të nesërmen. Fatos Nanos do t’i duhet në të vërtetë të kalojë mjaft vështirësi. Por mbi të gjitha vështirësinë më të madhe mendoj se nuk do ta ketë me muret e burgut për të dalë jashtë tyre, sesa me egon e partikracisë së sotme. Ajo nuk i duron dot idhujt e gjallë, sigurisht.
Në opinion ka ngjallur diskutim çështja e aleancave mes opozitës, cili është mendimi juaj?
Çështja e “aleancave” për opozitën është e mbingarkuar sipas mendimit tim me një tensionim shpesh të kotë. Në sallonet dhe kafenetë e parlamentit përcillen mjaft “formula”, por ato mbeten vetëm në letër. Në publik, për fat të keq, për këtë çështje politika opozitare luan një lloj teatri absurd ku frazat e vakumta nuk krijojnë pothuajse asnjë hapësirë për veprime të institucionalizuara të të gjitha partive opozitare. Nuk është e vështirë ta vesh re se PS është e hapur për aleatë solidë. Por gjithashtu nuk është e vështirë të kuptohet edhe ngurrimi i partive të tjera opozitare. Zgjedhjet e reja që po afrohen, priten me entuziazëm politik por edhe me shqetësim elektoral. “Bursa” elektorale në Shqipëri është mjaft e ngatërruar. Nën peshën e “relativizmit” të saj mjaft politikanë të opozitës ndodhen në një presion të natyrshëm. 1996 do të vendosë aq shumë për të ardhmen e partive politike në vendin tonë. Ju e kuptoni, se po të llogaritet elektorati i dëshiruar që kërkojnë partitë për vete popullsia e Shqipërisë do të arrinte shifrën 10 milion vetë… Nga të cilët rreth 2 milion janë politikë dhe kusuri janë “ëndrra në diell”. Ky është realizmi politik këtu te ne. Sigurisht, demokracia pa një “konfuzion”të tillë në politikë nuk do të kishte kuptim… Por jo shumë ama.
Në PD është folur për një kohë të gjatë për një rrymë “Selamiste”. Mendoni se ai po bën hapa të menduar ndoshta për një të nesërme…
“Procesin”e Selamit të them të drejtën e kam ndjekur me vëmendje dhe shqetësim. Ajo që më ka mërzitur mbi të gjitha, është tendenca që vihet re gati në të gjithë ata që analizojnë veprimet e Selamit duke e parë atë si një “trup të huaj”në PD. Mendoj se sfida e Selamit qëndron sot, jo dhe aq në “kryengritjen” e tij sesa në qëndresën brenda radhëve të partisë ku bën pjesë. Me këtë pozicionim ai në vetvete ka shpallur një individualitet në politikë për të cilin vlen të respektohet. Ndërkaq, në skenën politike të vendit proceset e brendshme të partive përvijohen në anasjellje në mënyra të ndryshme. Selami në këtë kuadër legalizoi “korrigjimin”në jetën politike të vendit. Ai ndërkaq kapërceu edhe një “tabu” të partitizmit shqiptar që quhet “vendimi i partisë”. Guximi i tij i kaloi kufijtë e politikës partiake dhe tashmë ka marrë forma të mirëfillta intelektuale. Selami i dha sigurisht një përvojë të re politike shqiptare. Ai humbi. Sigurisht që ka patur edhe gabime. Por aktualisht Selami ka dhënë prova se e fali kolltukun e kryetarit të partisë për të fituar vetveten. “Trokitjet”e Selamit në politikë, tashmë janë realisht të reja, moderatore, që po hyjnë në dyert e së djathtës. Në këtë kuptim fitorja e nesërme e Selamit, nëse do ta arrinte atë, nuk do të ishte vetëm fitorja e tij.
Së shpejti do të mbahet Kongresi i dytë i FRESSH-it. Ç’mendon kryetari i këtij forumi për organizimin e kongresit?
Kongresi i dytë i FRESSH-it është një kongres i radhës. Por koha kur ai zhvillohet bën që rëndësia e tij të marrë përmasa të veçanta. Ky kongres them se do të tregojë që në gjirin e së majtës ekziston një brez i ri i cili po përpiqet të luajë rolin e tij. Jam optimist se ky kongres do të shënojë një ngritje cilësore për FRESSH-in i cili tashmë është bërë një nga institucionet më të forta të PS dhe të majtës në tërësi. Për mua personalisht, si kryetar i FRESSH-it, kongresi merr një përmasë tjetër dhe disi më ndryshe. Ai vjen si përgjigje e fundit ndaj makinacioneve që u zhvilluan brenda dhe jashtë PS të cilat u munduan t’i japin forumit eurosocialist pamjen e një “përçarësi”, “fraksioni”, etj. Koha tregoi falsitetin ordiner të një “besnikërie”e cila shfaqet nëpër parti sa herë ata i afrohen pushtetit. Djemtë dhe vajzat e FRESSH-it treguan vërtet se kush ishin, duke kapërcyer edhe parashikimet më optimiste.
Intervistoi: Jonila Godole