Pandemia dhe sezoni veror/ Varhelyi: Të hapen kufijtë e BE-së. Rama: Nuk do të pengojmë turistët

Me ardhjen e sezonit veror, Komisioni Europian i ka propozuar shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që të rifillojë udhëtimi i shtetasve që vijnë nga Ballkani Perëndimor edhe pa pasur arsye thelbësore. Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, nga Rinasi gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama, tha se për t’u bërë kjo duhet shikuar situata epidemiologjike në këto vende.

”Ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare dhe shtetet anëtare e marrin këtë vendim. Pra, vendime sesi do të ecet përpara, sesi do procedohet, është një rekomandim që ne propozojmë. Në rekomandimet tona, ne kemi sugjeruar që shtetet anëtare të hapin sërish kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shteteve të tjera të hynë në BE, veçanërisht nga Ballkani Perëndimor edhe pa pasur arsye thelbësore. Që të rifillojë udhëtimi i tyre. Ne për këtë po përdorim të dhëna epidemiologjike. Ato vende që kanë situatë të mirë epidemiologjike të kenë mundësi që qytetaret e tyre të udhëtojnë, pra të vizitojnë shtetet anëtare të BE, si dhe ata individë të cilët janë të vaksinuar”,-tha Varhelyi.

Kurse kryeministri Edi Rama tha se vendi ynë nuk do të përdorë asnjë pengesë për personat që duan të bëjnë turizëm në verë në Shqipëri.

”Shqipëria nuk do të përdorë asnjë kusht dhe asnjë pengesë për të gjithë ata që duan të vijnë në Shqipëri për një sezon turistik, që siç e kam thënë dhe më parë do të jetë një sezon shumë më i lehtë sesa ai i shkuari dhe me shumë kënaqësi po ndjek të gjithë procesin e pronotimeve dhe kërkesave që rriten vazhdimisht nga vendet tjera për të ardhur për të kaluar pushimet në Shqipëri. Sot jemi në pozicion realisht të admirueshëm nga pikëpamja epidemiologjike, nga pikëpamja e sasisë së vaksinave të bëra”,-tha Rama.

SHKARKO APP