“Pandemia do të ndryshojë fushatën zgjedhore”, Godole: Fituesi përcaktohet nga kapacitetet digjitale
Zgjedhjet e 25 prillit do të kenë një formë tjetër fushate sipas pedagoges Jonila Godole. Në një intervistë për Ora News, ajo tha se fushata e ardhshme, e kushtëzuar nga prania e pandemisë së koronavirusit, do të dërgojë në një fushatë digjitale, e jo takimeve në terren siç jemi mësuar.
Godole shtoi se faktor kyç në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, do të jetë disponueshmëria e kapaciteteve mediatike dhe kanaleve të komunikimit në secilën parti.
“Fushata nuk do të jetë normale, por për herë të parë në Shqipëri do të jetë një fushatë digjitale. Aty do të jenë në përparësi të madhe ato parti që kanë më shumë media në dispozicion, më shumë kanale që ata kanë në dispozicion. Një votues i ri që nuk ka shumë njohuri, edhe nga sondazhet që ne po shohim dita e ditës, e cila mund të kapet përmes rrjeteve sociale, përmes një gjuhe me batuta, populiste”, tha Godole.