Pandemia/Kryeministri Rama: Do shtrëngojmë masat dhe orarin për popullsinë. Gjoba dhe për partitë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa më të ashpra për përballimin e pandemisë. Në një konferencë për mediat me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manstirliu, Kryeministri u shpreh se do të ketë rritje gjobash dhe ndryshim të orareve për lëvizjen e qytetarëve.

Kryeministri tha se masat e reja mund të hyjnë në fuqi që ditën e nesërme. Rama shtoi se Komiteti Teknik i Ekspertëve do të mblidhet për të deklaruar masat e reja shtrënguese që do të hyjnë në fuqi në vend, për shkak të shifrave të rritura të infektimeve dhe vdekjeve nga Covid. “Komiteti do mblidhet nesër, kemi diskutuar do ketë shtrëngim të masave patjetër, por këtu thelbi është se ata insistojnë që duhen zbatuar masat që janë”,- tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se do të rriten dhe gjobat për partitë politikë. “Ka një shkelje nga gjithë partitë edhe nga PS. Komiteti teknik do të marrë masa”,- tha kryeministri.

Rama ka theksuar se qeveria ka siguruar 1.6 milionë vaksina për 800 mijë qytetarë. Më tej ai ka shtuar se në të gjithë vendin janë 10 fishuar testimet për covid-19 në mënyrë që të bëhet izolimi i rasteve brenda 48 orëve. “Numri i testimeve është 10-fishuar në krahasim me muajin qershor. Kanë hyrë në qarkullim testet e shpejta, që janë kryer deri tani 80 mijë teste, kemi rritur epidemiologët në terren. Ky është një proces i vështirë. Vaksina e gripit është falas sot. Kemi siguruar 1.6 milionë vaksina për 800 mijë qytetarë”, deklaroi Rama.

SHKARKO APP