Pandemia, Pampuri apel qeverisë: Jepini siguri qytetarëve
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri në një lidhje të drejtpërdrejt me studion e lajmeve të televizionit FaxNews, ka hedhur dritë mbi situatën e Covid-19 në vendin tonë. Pampuri u shpreh se qytetarët kanë nevojë për siguri dhe sipas saj kjo siguri krijohet pikërisht duke u prononcuar specialistët se sistemi ynë shëndetësor ka medikamente dhe aparaturat e duhura për të përballuar epideminë.
Gjithashtu ish-deputetja thekson se qytetarët nuk kanë mundësinë ekonomike të biznesmenëve për t’u kuruar jashtë, ndaj është e rëndësishme për të hequr ankthin e masës që autoritetet të dalin dhe të thonë se kemi kapacitetet dhe medikamentet e duhura për t’ju kuruar.
“Ata që duan siguri, sot kërkojnë që të dalin specialistët dhe të thonë se ne kemi marrë masat e duhura për të përballur përkeqësimin e situatës të çdo qytetari, ne kemi aparaturat e duhura, ne kemi medikamentet e duhura, ne kemi mjetet e duhura, ne kemi kite mjaftueshëm për t’u përballur me situatën. Kështu do të qetësohesha unë, ju dhe të gjithë qytetarët. Në mënyrë të pashmangshme mund të prekemi nga Covidi, edhe pse ruhemi ne nuk jemi imun. Covidi mund të prek çdonjërin prej nesh. Përball një fakti të tillë kur shohim biznesmen dhe politikanë që ikin jashtë sepse kanë mundësi financiare, pyetja që lind është se a ka mundësi sistemi ynë shëndetësor të përballojë përkeqësimin e gjendjes së qytetarëve. Kjo gjë na shkakton ankth”. tha Pampuri.