Pandemia, Shehu: Qeveria po përpiqet të fshehë dështimin e pasojat e tij të rënda

Ish-ministri Shëndetësisë Tritan Shehu vijon të denoncojë keqmenaxhimin nga qeveria “Rama” të situatës së krijuar nga përhapja e frikshme e pandemisë së koronavirusit në vendin tonë, e cila vetëm dje mori 5 jetë njerëzish.

Përmes rrjeteve sociale, Shehu theksoi se Qeveria po përpiqet të fshehë dështimin e pasojat e tij të rënda mbas deklaratave “kinezçe” të Komitetit të Ekspertëve.

“Qeveria po përpiqet të fshehë dështimin e pasojat e tij të rënda mbas deklaratave “kinezçe” të “Komitetit”. Njoftohet se filloi dhe procesi i liberalizimit të testimeve me tampon (molekulare) për Covid, kur vendi arriti në një situatë katastrofale, njëlloj si u veprua edhe për testet serologjike, gjë që krijon disa pyetje: Pse për gati 6 muaj u ndaluan këto procedura të domosdoshme për kontrollin e epidemisë, parimet shkencore, sipas eksperiencës ndërkombëtare? Çfarë pasojash ka dhënë ky bllokim inkuizicional, i kundërshtuar në vazhdimësi nga ne, mbi përkeqësimin e epidemisë, infektimin e institucioneve shëndetësore, dëmtimin e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, izolimin e jashtëm të Shqipërisë, etj? Si do të ishin forcuar kapacitetet laboratorike të vendit në eksperiencë, teknologji, volum e cilësi pune deri më sot, në qoftë se do të punonin normalisht në përballjen me virusin? A nuk ishte një shkelje e të drejtave kushtetuese të njeriut privimi me forcë nga ekzaminimet mjekësore, që ai dëshiron të kryejë? Në fakt dhe vetë kjo deklaratë e sforcuar  “liberalizuese” e “Komitetit” shpreh tentativat qeverisëse për të fshehur dështimin e gabimet trashanike, duke krijuar mjegullnaja mbas disa formulimeve absurde e jo profesionale. Gjërat duhen thënë qartë tashti kur të gjithë e kuptojnë realitetin e hidhur të vendit, të pranohet që u gabua rëndë e me pasoja të paimagjinueshme, duke e korrigjuar menjëherë e kuptuar se: Liberalizimi edhe i këtyre testimeve, si dhe atyre serologjike, është në radhë të parë një domosdoshmëri profesionale, mjekësore, shkencore e në fund “administrative”, term mbrapa të cilit kërkon të fshihet kjo Qeveri. Pra çështja duhet trajtuar me të gjithë gravitetin e saj, pa krijuar në dokument “kinezërira” që nuk mund të fshehin realitetin, por me vizion liberalizues për të stimuluar e aktivizuar të gjitha kapacitetet tona laboratorike të mundshme në shërbim shëndetit, qetësimit të qytetarit, të dhënave shtetërore për orientimin e sistemit tonë, gjëra që ndihmojnë edhe për “lëvizjen e lirë”. Por Qeveria përsëri shkruan me kokë poshtë, me shpresë se kështu ja fsheh opinionit të vërtetën!”, thekson ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu.

SHKARKO APP