Pandemia shtoi dhunën në familje, gratë dhe vajzat më të rrezikuara

Pandemia e Covid-19, përveç se solli rrënim të ekonomisë, ka shtuar edhe dhunën në familje. Të qëndruarit mbyllur gjatë periudhës mars-prill ka shtuar ndjeshëm dhunën në familje. Kjo është një nga gjetjet e raportit kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020”, e publikuar nga CRCA, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri.

Sipas raportit, pandemia shtoi papunësinë dhe varfërinë tek të rinjtë, por edhe dhunën në familje. Të rinjtë e intervistuar kanë pohuar se ata vetë ose të afërmit e tyre kanë përjetuar lloje të ndryshme dhune gjatë pandemisë.

88.1% e të rinjve janë shprehur se kjo dhunë është ushtruar ndaj vajzave dhe grave, të ndjekur në vendin e dytë nga fëmijët me 64.3% dhe në vendin e tretë me 26.2% kjo dhunë është ushtruar ndaj të moshuarve.

63% e atyre që i janë përgjigjur pyetësorit na kanë thënë se është vënë re një lloj rritjeje e dhunës në familje, përgjatë kohës së karantinës, mars-prill. Një ndër format kryesore të dhunës ka qenë ajo psikologjike.

Një ndër format e raportuara ka qenë dhe dhuna në internet, kjo për faktin se përgjatë pandemisë, fëmijët kanë pasur më shumë kohë dhe mundësi të qëndrojnë në internet dhe në mënyrë të pakontrolluar. Raportimet për dhunë në internet, raportime, shantazhime apo vjedhje adresash kanë qenë të shumta, të paktën një raportim në ditë.

SHKARKO APP