Papa Françesku: Me Eukaristinë jemi të thirrur ta bëjmë jetën dhuratë për të tjerët

Jemi thirrur “të bëhemi ‘eukaristikë’, pra njerëz që nuk jetojnë më për veten e tyre, në logjikën e zotërimit dhe konsumit”, por “njerëz që dinë ta bëjnë jetën e tyre dhuratë për të tjerët”. Kështu pohoi Papa gjatë lutjes së Engjëllit Zotit, kremtuar në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, në solemnitetin e Korpit të Krishtit. Kështu, falë Eukaristisë, ne bëhemi profetë dhe ndërtues të një bote të re”, tha Papa.

R.SH. / Vatikan

Kisha katolike Universale kremton sot Solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit, kështu tha  Papa Françesku, gjatë lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, më prani të shumë besimtarëve, ardhur nga vende të ndryshme. Në qendër të fjalëve të Papa gjatë lutjes së somte të Engjëllit të Tënzot, reflektimi plot pasion i  për vlerën e pallogaritshme të Eukaristisë.

“Jemi thirrur “të bëhemi ‘eukaristikë’, pra njerëz që nuk jetojnë më për veten e tyre, në logjikën e zotërimit dhe konsumit”, por “njerëz që dinë ta bëjnë jetën e tyre dhuratë për të tjerët”. Kështu pohoi Papa gjatë lutjes së Engjëllit Zotit në solemnitetin e Korpit të Krishtit. Kështu, falë Eukaristisë, ne bëhemi profetë dhe ndërtues të një bote të re”, tha Papa.

Kujtojmë Darkën e Mbrame të Jezusit

Vëllezër dhe motra, mirëdita! – fillon kështu, si çdo të diel, lutja e Engjëllit të Zotit. Në Itali dhe vende të tjera – kujton në fillim Papa – sot kremtohet Solemniteti i Korpit të Krishtit Corpus Domini. Ungjilli i liturgjisë së sotme na flet për Darkën e Mbrame të Jezusit (Mk 14,12-26), gjatë së cilës Zoti bën një gjest dorëzimi: në bukën e thyer dhe në kupën që u ofrohet dishepujve, është Ai vetë:

“Ai, që jep veten për të gjithë njerëzimin dhe ofrohet për jetën e botës. Në këtë gjest të Jezusit duke thyer bukën, ka një aspekt të rëndësishëm që Ungjilli e nënvizon me fjalët “ai ua dha atyre” (r. 22). Le t’i fiksojmë këto fjalë në zemrat tona: ai ua dha atyre”.

Krishti nuk e mbajti jetën për vete, na e dhuroi ne

Eukaristia, para së gjithash kujton përmasën e dhuratës. Jezusi e merr bukën jo për ta konsumuar vetë, por për ta thyer dhe për t’ua dhënë dishepujve, duke zbuluar kështu identitetin dhe misionin e tij:

“Ai nuk e mbajti jetën për vete, por na e dhuroi neve; ai nuk e konsideroi thesar xheloz qenien e tij, por e zhveshi lavdinë e vet për ta ndarë me njerëzimin tonë dhe për të na prirë drejt jetës së amshuar (shih Fil 2,1-11). E bëri kështu gjithë jetën e tij dhuratë!”.

Jemi bukë e thyer për botën

Më pas – vijoi të shpjegojë Papa në lutjen e Engjëllit të kësaj dite të madhe – kuptojmë se kremtimi i Eukaristisë dhe ngrënia e kësaj Buke, siç bëjmë veçanërisht të dielave, nuk është akt adhurimi i shkëputur nga jeta ose çast i thjeshtë ngushëllimi personal:

“… duhet të kujtojmë gjithmonë se Jezusi, duke marrë bukën, e theu e ua dha atyre dhe, për rrjedhojë, bashkësia me Të na mundëson të bëhemi bukë e thyer edhe për të tjerët, të ndajmë atë që jemi dhe atë që kemi”

Shën Leoni i Madh na kujton: “Pjesëmarrja jonë në Korpin dhe Gjakun e Krishtit nuk ka për qëllim asgjë tjetër, veçse të na bëjë të shndërrohemi në atë që hamë” (Predikimi XII mbi Mundimet, 7).

Të bëhemi “eukaristikë”

“Për këtë jemi të thirrur: të bëhemi çka hamë, të bëhemi “eukaristikë”, domethënë njerëz që nuk jetojnë më për veten e tyre (shih Rom 14.7), në logjikën e zotërimit dhe të konsumit, por që dinë të bëjnë me jetën e tyre një dhuratë për të tjerët.

Eukaristia na bën profetë

Kështu, falë Eukaristisë, ne bëhemi profetë dhe ndërtues të një bote të re: kur mposhtim egoizmin dhe ia hapim zemrën dashurisë, kur kultivojmë lidhje vëllazërie, kur marrim pjesë në vuajtjet e vëllezërve tanë dhe ndajmë bukën dhe burimet me ata që kanë nevojë, kur i vëmë në dispozicion të gjitha talentet tona, atëherë po, e thyejmë bukën e jetës sonë si Jezusi.

Pyetje të përjavshme, që presin përgjigje

Le të pyesim veten atëherë – tha në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit Papa duke na kujtuar çfarë duhet të bëjmë gjatë javës, që na troket te porta:

“.. a e mbaj jetën time vetëm për vete, apo e jap atë si Jezusi? A e shkrij veten për të tjerët, apo mbyllem brenda vetes sime të vogël? E, në situatat e përditshme, a di të ndaj, apo kërkoj gjithmonë interesin tim?

Dhuratë dashurie!

Duhet t’u përgjigjemi jo vetëm këtyre pyetjeve aspak të lehta – na kujton në përfundim Papa:

“Virgjëra Mari, e cila e priti Jezusin, bukën nga qielli, dhe e dhuroi veten tërësisht bashkë me Të, na ndihmoftë edhe ne të bëhemi dhuratë dashurie, të bashkuar me Jezusin Eukaristi”.

SHKARKO APP