Papa Françesku, të Dielën e Larit: “Ta mbartim kryqin e atyre, që vuajnë pranë nesh”

Është ftesë për t’u përgatitur për Pashkët “duke u bërë Kireneas për njëri-tjetrin”, të cilën Papa Françesku sot, më 13 prill, me rastin e të Dielës së Larit dhe mundimeve të Jezu Krishtit Zot, ia besoi zërit të kardinalit Leonardo Sandri. Zëvendësdekani i Kolegjit të Kardinajve e kryesoi Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit, e cila hap ritet e Javës së Madhe, zemër e vitit liturgjik, që arrin kulmin me Pashkët, në shkallët e Bazilikës së Vatikanit, si delegat i Papës, i cili vijon të shërohet pas qëndrimit në spital.
Bekimi i palmave dhe i ullinjve
Mbi 25 mijë vetë, pavarësisht motit të zymtë, ishin të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit të stolisur me lule dhe bimë shumëngjyrëshe nga fidanishtet italiane dhe holandeze. Pemë të mëdha ulliri janë vendosur pranë shtatoreve të shenjtorëve Pjetër e Pal, në sheshin e kishës dhe rreth obeliskut. Njëqind e pesëdhjetë palma dhe 200 mijë degë ulliri qenë shpërndarë së bashku me “palmat fenix” dhe palmurellet tradicionale. Procesioni nisi nga krahu i Kostandinit, deri te obelisku, ku u përkujtua hyrja e Jezusit në Jeruzalem, pasuar nga bekimi i palmave dhe degëve të ullirit në duart e besimtarëve dhe shpallja e Ungjillit.
Predikimi i përgatitur nga Papa Françesku
“Sot edhe ne e kemi ndjekur Jezusin, fillimisht me një turmë festive e, më pas, me udhën e dhimbshme”- shpjegon më vonë kardinali Sandri, duke lexuar predikimin e përgatitur nga Ati i Shenjtë e duke kujtuar mundimet e Jezusit dhe historinë e hyrjes së tij triumfale në Jerusalem, një kalim “nga porta e Qytetit Shenjt, ku turma ishte mbledhur për ta mirëpritur atë, që pak ditë më vonë “do të ishte i dënuar, i ngarkuar me kryq”.
Ndërmjet turmës, vijon predikatari, “fytyrave të ushtarëve dhe lotëve të grave”, vjen “një i huaj”, Simoni i Cirenës: ai, që po mbërrinte në atë çast nga fshati, merret nga ushtarët dhe ngarkohet me një kryq të rëndë prej druri për ta mbajtur pas Jezusit. Prej këndej, ftesa e Papës për të reflektuar “mbi gjestin e Simonit”, për të kërkuar “zemrën e tij”, për të ndjekur “hapin e tij përkrah Jezusit”.
Një gjest i dyanshëm
Para së gjithash, gjesti i Cireneasit, “aq i dyanshëm”, nga njëra anë sepse njeriu “nuk e ndihmon Jezusin nga bindja, por nga shtrëngimi”, e nga ana tjetër, gjen veten “duke marrë pjesë në vetën e parë në mundimet e Zotit: e kështu kryqi i Jezusit bëhet kryqi i Simonit”. Por, qorton ai, jo “ky Simon i quajtur Pjetër, i cili kishte premtuar se do ta ndiqte gjithmonë Mjeshtrin”, e, përkundrazi, u zhduk në natën e tradhtisë. Pas Jezusit “tani nuk ecën dishepulli”, por Cireneasi. E pra, vëren Papa, “Mjeshtri kishte dhënë një mësim të qartë: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e tij çdo ditë dhe të më ndjekë”. Ja pra çka ndodhë: “Simoni i Galileas thotë, por nuk bën”, ndërsa “Simoni i Cirenës bën, por nuk thotë: ndërmjet tij dhe Jezusit nuk ka dialog. Është vetëm kryqi i Krishtit”.
Një zemër e heshtur
Për ta kuptuar nëse Cireneasi “e mbart, apo e duron kryqin” e atij Jezusi të rraskapitur, të cilin “e ndihmon a e urren” e me të cilin “duhet të ndajë dhimbjen”, duhet “të shikojmë zemrën e tij”. Papa këshillon zgjerimin e perspektivës, duke kujtuar jo vetëm “çka bëri Simoni për Jezusin”, por sidomos, çka bëri ky i fundit, që e shpengoi botën për të gjithë. “Kryqi prej druri që mbart Cireneasi është ai i Krishtit, i cili mbart mëkatin e të gjithë njerëzve”, thekson Papa Françesku, duke reflektuar mbi mënyrën “e papritur dhe tronditëse” në të cilën kireneasit përfshihen në historinë e shëlbimit, ku “askush nuk është i huaj, askush i panjohur”.
Hapi i Simonit
Nuk mbetet tjetër, veçse të ndjekim gjurmët e Simonit, “mbasi na mëson se Jezusi vjen për t’i takuar të gjithë, në çdo situatë: kur shohim morinë e burrave dhe grave që urrejtja dhe dhuna i hedhin në rrugën e Kalvarit, të kujtojmë se Jezu Krishti Zot e shndërron këtë rrugë në vend shëlbimi, sepse ai e përshkoi duke dhënë jetën për ne”. Pyetjet pasojnë njëra-tjetrën, duke bërë jehonë në sheshin e mbushur me njerëz: “Sa Cireneas mbajnë kryqin e Krishtit? A i njohim? A e shohim Zotin në fytyrat e tyre, të copëtuar nga lufta e varfëria?”.
Përballë “padrejtësisë mizore të së keqes”, mbajtja e kryqit të Krishtit “nuk është kurrë e kotë” – përfundoi predikimi i Papës i lexuar nga Kardinali Sandri – “është mënyra më konkrete për të ndarë dashurinë e tij shëlbuese”.
R.SH. / Vatikan