Papa iu lut Zemrës së Krishtit t’i “prekë zemrat e njerëzve, që çojnë përpara konfliktet”
“T’i lutemi Zemrës së Krishtit t’i prekë zemrat e atyre që e duan luftën, në mënyrë që të kthehen në projekte dialogu dhe paqeje”.
Ishte një lutje për Zemrën e Shenjtë të Jezusit, në 350 vjetorin e dukjes Shën Marisë Margherita Alacoque (1673). Papa e pati lartuar drejt qiellit edhe më 5 qershorin e kaluar, në fund të audiencës së përgjithshme, duke folur për hartimin e një dokumenti të ri për këtë kult, me botim në shtator, që të meditohet jo vetëm për aspektet e “dashurisë së Zotit” kushtuar përtëritjes kishtare, por edhe për t’i dërguar një “mesazh domethënës botës, që duket se e ka humbur zemrën” .
Papa: dokument kushtuar Zemrës së Shenjtë të Jezusit, për një botë që duket e pashpirt
Në fund të audiencës së përgjithshme, Papa njoftoi se në shtator do të publikojë një tekst magjisterial mbi “këtë kult të ngarkuar me bukuri shpirtërore”, në mënyrë që ta ndriçojë rrugën e çdo njeriu.
Mos i harroni tokat e copëtuara nga dhuna
Të ndriçojë, pra, një botë, që tani rrezikon të mësohet me dhunën në troje të tjera. Për këtë arsye, edhe këtë të diel, Papa u bëri rishtas thirrje besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në kulmin e vapës së verës, si dhe të gjithë atyre që ishin të lidhur nëpërmjet transmetimit në takimin e së dielës, të luten dhe të mos harrojnë vendet e copëtuara nga dhuna:
“Vëllezër dhe motra, të mos harrojmë Ukrainën e martirizuar, Palestinën, Izraelin, Mianmarin dhe shumë vende të tjera, ku njerëzit vuajnë kaq shumë për shkak të luftës”.
Sot ka shumë martirë, shumë më tepër se në shekujt e parë
Përsëri në përshëndetjet pas Engjëllit, Papa kujtoi, menjëherë pas Shenjtorëve Apostujve Pjetër dhe Pal, edhe kremtimin liturgjik të sotëm të Protomartirëve Romakë, që njihen edhe si Martirët e parë të Shenjtë të Kishës së Romës. Të gjithë ata martirë pa emër që, së bashku me Pjetrin dhe Palin, humbën jetën në persekutimet antikristiane në kohën e Neronit. Një shembull besimi dhe martirizimi që, pohoi Françesku, si në shumë raste të tjera, nuk ka të ndalur as sot. Përkundrazi:
“Edhe ne jetojmë në kohë martirizimi, shumë më tepër se në shekujt e parë. Në vende të ndryshme të botës shumë vëllezër e motra pësojnë diskriminime dhe persekutime për shkak të fesë, duke e fekonduar, kështu, Kishën!”.
Papa: shumë të krishterë persekutohen edhe sot, me doreza të bardha
Martirizimi është shenjë që tregon se ecim në rrugën e Jezusit. Kështu u shpreh Papa Françesku, duke reflektuar mbi episodin e fundit të Shën Palit. Martirizim me “dorashka të bardha” – shtoi – duke kujtuar një shprehje të mirënjohur, të përdorur që në vitet e para të papnisë, për të treguar atë përndjekje delikate, përmes së cilës “në mënyrë edhe elegante”, të krishterët dëbohen, flaken mënjanë, të diskriminuar në jetën politike dhe shoqërore. E jo vetëm në vende të vështira të botës, por edhe në vetë Evropën.
Këta të munduar, Jorge Mario Bergoglio na fton të gjithëve t’i mbështesim me lutje dhe të frymëzohemi nga dëshmia e tyre e dashurisë për Krishtin!
R.SH. / Vatikan