Papa: “Qenia të ndryshëm nuk na dëmton”

Në dhënien e bekimit “Urbi et orbi” Papa Françesk tha se përballë krizave të shumta në botë ka vetëm një zgjidhje: që ta kuptojmë në të gjithë botën njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra. Papa Françesk u ka bërë thirrje njerëzve në të gjithë botën që përballë luftërave dhe konflikteve të përbotshme ta kuptojnë njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra dhe të jetojnë si të tillë. Para dhjetëra-mijëra pelegrinëve dhe turistëve ai shpërndau në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë bekimin “Urbi e orbi”(Qytetit dhe rruzullit tokësor). “Qenia të ndryshëm nuk na dëmton, ajo nuk është rrezik. Shumë më tepër ajo është pasuri”, tha ai në fjalimin e tij për Krishtlindjen.

Nisur nga lindja e Jezu Krishtit si çlirues dhe paqesjellës për të krishterët, Papa bëri thirrje për shtimin e përpjekjeve për të zgjidhur konfliktet, veçanërisht në Lindjen e Afërt. Izraelitët dhe palestenizët duhet ta rinisin dialogoun, për t’i dhënë fund një konflikti që zgjat prej 70 vjetësh, “i cili e copëzon vendin”, paralajmëroi Françesku.

Kreu i kishës i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të angazhohet për dhënien fund konfliktit në Siri. Ndarjet dhe interesat e veçanta duhet të lihen mënjanë, në mënyrë që refugjatët sirianë të mund të kthehen sërish në atdheun e tyre dhe të mund të jetojnë atje në paqe, tha Papa.

Një angazhim të shtuar për kapërcimin e konflikteve politike Papa kërkoi më tej për Ukrainën si dhe për Venezuelën dhe për El Salvadorin.

Iraku i bën Krishtlindjet ditë feste kombëtare

Në Irak, Krishtlindjet që këtej e tutje do të jenë festë kombëtare. Sipas medieve, qeveria e Bagdadit mbështeti me këtë një lutje përkatëse të Patriarkut Raphael Louis Sako I. Kështu që 25 dhjetori nuk do të jetë vetëm për të krishterët ditë feste, por për të gjithë qytetarët. “Krishtlindje të gëzuara bashkëqytetarëve tanë të krishterë, të gjithë irakenëve si dhe atyre që festojnë në të gjithë botën”, thuhet në një deklaratë në twitter të qeverisë.

SHKARKO APP