Paradokset e tregut të pronave – Kredia rritet, por përqindja e pronave të shitura me kredi ulet

Ndërkohë që kredia për shtëpi po rritet, firmat e ndërtimit dhe agjentët e pasurive të paluajtshme raportojnë një përqindje më të ulët të pronave që shiten me kredi bankare. Të dhënat nga vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë, treguan se në gjysmën e parë të këtij viti 46% e pronave u shitën me kredi bankare, ndërkohë që në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar kjo shifër kishte qenë 75%. Ulja e ndjeshme e këtij treguesi është e vështirë për t’u shpjeguar, në kushtet kur statistikat zyrtare tregojnë se kredia për blerjen e pronave vazhdon të jetë në rritje. Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të vitit 2019, teprica e kredisë për pasuri të paluajtshme u rrit me rreth 3% dhe arriti në 113 miliardë lekë.

Të dhënat që dalin nga vrojtimet mund të kenë marzhe të konsiderueshme pasaktësie, sidomos kur bëhet fjalë për shifrat e raportuara nga të intervistuarit. Informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës nga ana e agjentëve në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte. Subjektet e zgjedhura janë agjentë mobiliar dhe shoqëri ndërtimi, shitjet e të cilëve përfaqësojnë rreth 80% të xhiros së tregut.

Gjatë 12 muajve të fundit nuk duket të ketë shtrëngime domethënëse të kreditimit për shtëpi dhe rritja sasiore e portofolit e dëshmon këtë. Nga ana tjetër, nëse më pak se gjysma e pronave shiten me kredi, kjo ngre pikëpyetje lidhur me burimet e financimit të pjesës më të madhe të blerjeve. Për shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare, blerja e një prone vetëm me kursimet e veta do të ishte e pamundur, ndërsa të ardhurat nga burimet e jashtme, kryesisht remitancat, prej vitesh paraqiten të stabilizuara dhe nuk ka luhatje domethënëse në kahun rritës të tyre. Historikisht, edhe paratë nga aktivitetet e jashtëligjshme janë investuar në mënyrë masive në tregun e pasurive të paluajtshme. Ndoshta forcimi i masave që vështirësojnë futjen e këtyre parave në sistemin bankar mund të ketë shtyrë në rritje të investimit të tyre në prona.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?