Paradoksi parlamentar: Mazhoranca “zgjerohet” me 10-16 deputetë të “opozitës”

Partia Socialiste fitoi zgjedhjet më 2013 me 74 deputetë. Gjatë sesioneve parlamentare 2018 PS humbi një deputet (Gj.Gjetani) dhe mori një deputet (R.Bitri). Në total PS do të duhej të kishte 74 deputetë, pavarësisht se dy deputetë, R.Lala dhe D.Bici të zgjedhur në emër të PDIU deklaruan publikisht se duan t’i bashkohen PS në mazhorancë.

Në faqen zyrtare të PS dhe të Kuvendit PS ka 74 deputetë. Megjithatë, një analizë e votës parlamentare shtator-dhjetor 2019 rezulton se edhe në votimet politike në parlament, në të cilat ka pasur debate e kundërshti të shumta, mazhoranca ka ruajtur një kuotë votash të qëndrueshme prej 84-90 deputetësh, pra rreth 10-16 deputetë më shumë, sesa vota elektorale e vitit 2013.

Konkretisht, Kuvendi miratoi me 82 vota edhe paktën ligjore “anti-shpifje”, nismë e kritikuar gjerësisht nga shoqëria civile, media dhe organizatat ndërkombëtare. Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil kandidatura e mbështetur nga 28 deputetë të PS-së fitoi me 95 vota pro, pra 21 vota më shumë, sesa numri total i deputetëve të PS në parlament ose 21 deputetë të “opozitës” mbështetën kandidaturën e PS.

Për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm kërkohen 84 vota, megjithatë kandidati i parë në listë, Olsian Çela siguroi 101 vota pro, 17 më shumë sesa numri minimal i votave që i duhej ose 27 vota nga deputetët jashtë grupit parlamentar të PS. Edhe në zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese PS siguroi përveç votave të saj edhe 31 vota të tjera nga deputetë të ardhur rishtas në parlament gjatë sesionit të kaluar parlamentar. Po ashtu në votimin për buxhetin 2020, pro buxhetit të qeverisë votuan 92 deputetë nga 74 që ka PS, pra 18 deputetë më shumë sesa mazhoranca. Edhe në votimin e aktit normativ për buxhetin më 4 nëntor PS mori 9 vota më shumë sesa numri total i deputetëve të saj, pra 83 vota.

Burimi: ISP

SHKARKO APP