Paralajmërohet borë dhe ngrica në rrugë pas vërshimeve që goditën Kosovën

Pas vërshimeve shkatërruese në disa pjesë të vendit, Kosova tani duhet të përgatitet për reshje bore dhe rënie të temperaturave, që pritet të shkaktojë ngrica dhe vështirësi nëpër rrugët e vendit, paralajmëroi të mërkurën vonë Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).

Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i luti qytetarët ta shmangin udhëtimin me automjete në orët në vijimin për shkak të ngricave të mundshme nëpër rrugë.

Në një njoftim në Facebook, IHMK tha në orët në vijim pritet të bjerë borë dhe era do të fryjë në drejtim të veriut dhe veriperëndimit, e shoqëruar nga një rënie e madhe e temperaturave në të gjithë Kosovën.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit. Kjo do të krijojë kushte të favorshme për formimin e ngricave në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë”, tha Instituti.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor, paralajmëroi IHMK.

Ndërkohë, Kurti tha se “sonte është natë kritike sa i përket qarkullimit në rrugët e Kosovës”.

“Kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9°C, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë”, tha Kurti.

Ai u bëri thirrje qytetarëve “që sonte të mos lëvizin nëse nuk e kanë të domosdoshme. E nëse megjithatë duhet të qarkullojnë gjatë natës së sonte, atëherë patjetër të bëjnë vozitje të kujdesshme duke ju përshtatur kushteve atmosferike”.

Këto paralajmërime vijnë një ditë pasi vendi u përball me vërshime të mëdha, të cilat detyruan gjithashtu autoritetet ta shtyjnë për 12 janar rifillimin e mësimit pas pushimit dimëror, i cili duhej të riniste të enjten.

Reshjet e mëdha në ditët e fundit sollën përmbytje duke shkaktuar dëme në prona dhe infrastrukturë, evakuime, telashe me ujin e pijes, si dhe bllokim rrugësh të martën.

Moti i lig nuk ka shkaktuar viktima apo të lënduar, thanë autoritetet të mërkurën.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?