Parashikimet e Hawking: Pas qindra vitesh njerëzit do shkojnë në planete të tjera
Stephen Hawking arriti famën e tij për shkak të hulumtimit që e bëri në relativitetin e përgjithshëm dhe vrimat e zeza. Por, shpesh ai doli edhe jashtë fushës së tij, duke përdorur dijen e tij për të treguar sfidat dhe rreziqet me të cilat do të përballet njerëzimi.
Largimi nga Toka
Hawking thoshte: “po i vendosim të gjitha vezët me një shportë” – dhe kjo shportë është Toka. Për dekada të tëra, Hawking bënte thirrje që njerëzit të fillojnë të kërkojnë planetë të tjerë. Bile, shpesh duke i pushtuar titujt e mediave botërore me paralajmërimet e tij.
Ai thoshte se njerëzimi do të bie viktimë e një zhdukjeje masive – ndoshta më herët ose më vonë. Hawking vuri në dukje disa prej kërcënimeve më potenciale: inteligjenca artificiale, ndryshimi klimatik, viruset dhe lufta bërthamore.
Më 2016, ai tha për BBC: “Edhe pse shansi që planeti Tokë të pësojë një katastrofë mund të jetë i ulët tani, ai rritet me kohën, dhe bëhet i vërtetë brenda një mijë ose 10,000 vitesh”.
Ai ishte i bindur se njerëzit do të shpërndahen nëpër kozmos deri në atë kohë, por shtoi: “Ne nuk do të vendosim koloni të qëndrueshme në hapësirë për të paktën qindra vitet e ardhshme, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë periudhë”.
Ngritja e makinave intelegjente
Hawking i dinte mundësitë e mëdha që vinin nga inteligjenca artificiale, por paralajmëroi edhe për rreziqe. Në një intervistë për BBC më 2014, ai tha: “Zhvillimi i plotë i inteligjencës artificiale mund ta sjellë fundin e racës njerëzore”.
Hawking tha se format primitive të inteligjencës artificiale që janë ndërtuar deri më tani e kanë dëshmuar se janë të dobishme. Por, Hawking frikësohej nga pasojat që mund të vijnë prej formave të ndryshme të makinave inteligjente, të cilat në thelb një ditë mund të tejkalojnë njerëzit për nga mençuria.