Parkimet në Durrës nën “skaner”, policia ndërhyn në lagje për lirimin e hapësirave
Mungesa e parkimeve në Durrës ka sjellë një tjetër problematikë në lagjet e qytetit, ku hapësirat publike pranë pallateve shpesh bllokohen nga barriera të vendosura nga banorët për të rezervuar vendet e parkimit.
Për t’i dhënë fund zaptimit të hapësirave publike, Policia Bashkiake ka nisur një aksion në disa zona të qytetit. Fillimisht, banorëve po u kërkohet që t’i heqin në mënyrë vullnetare pengesat e vendosura, ndërsa rastet po evidentohen dhe dokumentohen nga autoritetet.
Policia paralajmëron se në rastet kur barrierat do të vendosen sërish, ndaj personave përgjegjës mund të merren masa administrative, si dhe të nisë procedimi penal, në varësi të rastit.
Ndërkohë, në Durrës po vijojnë përgatitjet për vendosjen e parkimit me pagesë në rrugët e qytetit, përfshirë sinjalistikën dhe infrastrukturën e nevojshme. Paralelisht, bashkia po punon edhe për krijimin e hapësirave të dedikuara për parkimin e automjeteve të rezidentëve.
Lirimi i hapësirave publike dhe sistemimi i parkimeve synojnë të përmirësojnë situatën në lagjet e Durrësit dhe t’u japin qytetarëve më shumë mundësi për parkim të rregullt.
KOHA JONË SONDAZH

