Parku 97 ha i Vaqarrit, një hapësirë e re e gjelbër për qytetarët e Tiranës

 

Kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj, shpalli sot vendimin për zhvillimin e parkut të dytë të Tiranës në Vaqarr, i cili do të shndërrohet në një hapësirë të shkëlqyer argëtuese për banorët e kryeqytetit.

Kryetari i Bashkisë, Veliaj, gjatë prezantimit të administratorit të njësisë Vaqarr, Genti Myrtaj, i shoqëruar edhe nga kryetari i Këshilli Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, njoftoi nisjen e punës për krijimin e parkut në këtë zonë të re, e cila i është bashkuar Tiranës me reformën territoriale.

“Sot e shpallim park të bashkisë së Tiranës këtë hapësirë të gjelbër, të cilën po e marrim në ruajtje për ta zhvilluar në një park ku ekzistojnë 97 ha me pisha dhe një rezervuar dhe se ky park do të jetë i dyti pas atij të Liqenit Artificial të Tiranës, për t’i dhënë qytetit një hapësirë tjetër të gjelbër, veçanërisht banorëve të njësive 6 dhe 7, pasi njerëzit kërkojnë më shumë parqe se sa beton”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës shpall projektin për zhvillimin e parkut të dytë të Tiranës në Vaqarr (2)Ai theksoi se “Synimi ynë është që zonave të Vaqarrit dhe Kombinatit t’u kushtojmë këtë park, si një frymëmarrje e re për qytetin, një vend çlodhës dhe argëtues. Do të jetë detyra juaj që të ndihmoni, së bashku me ne, për mundësinë e investimit. Kjo se nuk ka dhuratë më të mirë për Tiranën e re, se sa kthimi në park i këtij pylli, i cili falë meritës suaj është ruajtur nga ndërtimet dhe abuzimet”. Veliaj tha se “97 hektarë të këtij parku janë një hapësirë për rreth 97 mijë banorë që kanë shumë nevojë për hapësira të gjelbra. Më vjen mirë që ky park i ri i bashkisë së Tiranës do të jetë në dispozicion për një kohë të shkurtër. Do jetë detyrë e njësisë administrative që të ndjekë procesin e projektimit, financimit, investimit, që shumë shpejt t’i shtohet Tiranës një park për të cilin njerëzit kanë shumë nevojë”

SHKARKO APP