Parrullat dhe thirrjet antiRama në stadium. Nëse Taulant Balla nuk i dënon, mbetet skenaristi!
Nga Daniel Muçaku-
Në kryendeshjen e kombëtares shqiptare në Elbasan, ku ekipi shqiptar fitoi 1 me 0 kundër Hungarisë, pati një episod që u bë publik dhe nuk mund të anashkalohet.
Një dron fluturoi mbi fushë, aq sa gjyqtari i ndeshjes ndaloi për pak duke kundruar dronin, që nuk lejohet në një ndeshje zyrtare.
Në dron kishte një parrullë ku shkruhej: “Taulant Balla, Elbasani ty të do!”.

Deri këtu në rregull, pasi mund të ketë simpatizantë të Taulant Ballës që janë zemëruar me vendimin e kryeministrit Rama i cili largoi zotin Balla nga numri dy në PS, por edhe me tepër se Edi Rama e ka sikterisur fare edhe nga Elbasani si drejtues politik.
Natyrisht një arësye apo informacion nga shërbimet intelegjente duhet ta ketë patur kryeministri…
Në të vertetë Edi Rama te “Opinion” sqaroi se ishte shumë i ngarkuar Balla, ndaj u bë kjo lëvizje. Pra e mbrojti duke e larguar me kujdes!
Ndaj nuk kishte pse shfrytëzohej një ndeshje futbolli për demonstrime të tilla politike dhe hakmarrje brenda llojit, por duket se skenaristi i këtij akti antiRama ka shfrytëzuar publicitetin e madh që kishte ndeshja e kombëtares së futbollit që të bëhej lajm kombëtar se Edi Rama nuk duhet ta prekë Ballën, sepse ka krejt Elbasanin pro tij, pra që “vdesin” për Ballën.
Në fakt PS-ja e sidomos Rama ka dhënë prova se të “palos” sapo fillon e ngre flokët përpjetë si gjel katuni!
Si të mos mjaftonte droni dhe parulla që u bë kryelajm, paralel me fitoren e ekipit të futbollit, sapo droni u shfaq plasi turma e tifozëve që filluan “Rama, ik!”. Dhe nuk pushonin sa kohë droni bënte thirrje për Taulant Ballën.
Një regjizor ishte brenda në turmë që komandonte dronin dhe tifozët.
Deri këtu mund të pranohet që dikush nga miqtë e Taulant Ballës, simpatizantë apo grupe që veprojnë në Elbasan mund ta kenë inskenuar pa dijeninë e Ballës. Thirrja e tifozëve antiRama e ku shfaqej “Taulant Balla, Elbasani ty të do” përkonte keqkuptueshëm sikur ish-sekretari i përgjithshëm të PS-së po i dërgonte mesazh kryeministrit se “në Elbasan duhet të takosh Ballën, që të marrësh prapë vota!”.
Duke mos luajtur rolin e një dyshuesi, por nëse Taulant Balla do të bënte një status dënimi të këtij akti publik dhe antikryeministër, kaq ishte e gjitha; një shfrim momental simpatizantësh ndaj vendimit të Edi Ramës kundrejt Ballës.
Që Balla ka struktura dhe lidhje të forta në Elbasan, kjo dihet.
Por kur as status, as një prononcim si gjoja “rastësor” pas ndeshjes për ndonjë media që të sqaronte se nuk ka gisht, të krijon bindjen se skenaristi ishte vetë Balla.
Taulant Balla një shishe birre piu para disa ditësh dhe doli për ta bërë lajm, ndërsa pas këtij incidenti nuk foli dhe as dërgoi sms ndonjë redaksie.
Mundet ti ketë shijuar akti dhe kënaqet me një hakmarrje të tillë, e cila në fakt është vetvrasje politike.
KOHA JONË SONDAZH

