Partizanja 90-vjeçare, sot “Dëshmitare e Jehovait”

Makbule Dervishi para dy javësh mbushi 90 vjeç. Ajo ka jetuar gjithë periudhat më të rëndësishme të Shqipërisë dhe sot, në 5 maj, vendos t’i ndajë me ne, në dritare.net

Në këtë intervistë të rrallë për dritare.net, ajo tregon për pushtimin italian, gjerman, Luftën Nacional Çlirimtare, komunizmin, rënien e tij, demokracinë dhe azilin, ku ajo kalon jetën, duke kërkuar një tjetër kauzë, një tjetër mënyrë për të jetuar.

Makbule Dervishi është një nga të moshuarat e azilit në zonën e Ali Demit, siç quhet ndryshe, “Shtëpia e Të Moshuarve Tiranë”. Gjatë vizitës sonë në dhomën e saj, ajo nuk ndante sytë nga libri dhe nënvizonte çdo gjë që mund t’i dukej me rëndësi. Libri fliste për Dëshmitarët e Jehovait…

“Ndihem mirë me veten, pavarësisht se feja e re më ka larguar nga politika. Gjëja e parë që më thanë, kur u anëtarësova në Jehova, ishte që s’duhej të merresha më me politikë. S’duhet as të votoj. Është e vështirë për mua se unë kam qenë gjithnjë e informuar për politikën dhe çdo gjë që ndodhte në vend. Por do e provoj.”

Kur i them se më ngjan vërtetë e çuditshme që një zonjë 90 vjeçare, që ka qenë dëshmitare e luftës, të bëhet dëshmitare e Jehovait, ajo më thotë: “Kështu është jeta, ndaj jetoje si të të vijë. Edhe mua më dukesh goxha vajzë e çuditem që je gazetare, por kjo është zgjedhja jote.”

Makbule Dervishi ka inat të madh me gazetarët, madje ajo as nuk donte të më takonte. U bind, vetëm pasi shkova shumë herë në dhomën e saj. Atëherë më tregoi se një vajzë, si unë, i kishte shkuar një ditë për intervistë. “Por kur e lexova gazetën, nuk ishin gjërat që thashë. Ishte një histori me thashetheme azili. Qysh prej asaj dite, djali i vogël nuk vjen më të më takojë. Sapo pa shkrimin në internet, harroi premtimin që më kishte bërë, se do të më donte gjithnjë. Prishi marrëdhëniet me mua dhe nuk komunikon më. Ai jeton në Selanik të Greqi dhe qysh atë ditë, kur doli gazeta, nuk më ka marrë më në telefon.”

Ajo kujton periudhën kur ishte e rrethuar nga familjarët e saj të dashur dhe psherëtin, qw mjaftoi një shkrim për ta ndarë nga të gjithë.

“Të jesh një femër në Shqipëri,”- thotë ajo, “është e vështirë, edhe kur je 90 vjeç, pasi në realitetin shqiptar gruaja gjithmonë sulmohet, pavarësisht arritjeve që mund të ketë. Femra nuk ndihmohet, por vetëm dëmtohet. Gjithmonë njerëzit përpiqen të gjejnë gjëra negative që ta ulin, ta bëjnë të paaftë, ta bëjnë të duket pa karakter. Nuk i përmendin kurrë meritat e saj, punën, asgjë me vlerë që ka bërë,’’ – thotë zonja e mençur, që e mbyll librin duke m’u kthyer.

“Po ç’të bësh, kjo është jeta, zhgënjehesh dhe beson nga e para. Hajde ta bëjmë këtë intervistë!”…

Dritare.net – E nisim nga fillimi

Unë quhem Makbule Dervishi, kam lindur në Mborie të Korçës, më 15 prill 1926. Jam rritur në një familje fetare me babanë hoxhë.

Dritare.net- Si e përjetuat luftën gjatë fëmijërisë?

E kam përjetuar me ankth, gëzim dhe shumë besim për të ardhmen e Shqipërisë. Me krijimin e Partisë Komuniste ne, disa të reja, u aktivizuam dhe krijuam grupin komunist në Mborie. Bëja pjesë edhe unë, në fillim ishim 5-6, pastaj 20-25. Ne përbënim grupin e rinisë komuniste dhe vazhdonim aktivitetin tonë në bazë të detyrave që kishim. Kishim një bazë te një familje e krishterë dhe bënim mbledhje të fshehta në lagjen e tyre.

Dritare.net – Ju ndërkaq shkolloheshit?

Ishte e vështirë që femrat të shkolloheshin në atë periudhë. Unë kam qenë me fat. Pavarësisht se babai ishte hoxhë, ai ishte dhe goxha përparimtar. Kur më çoi në shkollë vendosi të më shoqëronte vetë. Ikja dhe vija nga shkolla, por ishte babai ai që më shoqëronte gjatë rrugës. Gjimnazi im ishte në Drenovë, çerek ore larg fshatit tim, Mbories. Shumica e femrave të tjera ishin të pashkolluara në atë periudhë, por babanë tim e bindi mësuesja ime. Duke parë kapacitetin tim, i tha babait që unë duhet të shkollohesha patjetër. Babai e pati pak të vështirë, pasi burri i motrës së madhe nuk ishte dakord. Por ia dolëm. E ndjej veten me fat që kisha një baba të shkolluar dhe përparimtar, pavarësisht drejtimit fetar që kishte.

 

Dritare.net- Po pastaj, si e latë shkollën për të marrë pjesë në luftë?

Unë isha aktiviste e Partisë Komuniste. Siç ju thashë më parë, unë mblidhesha me shoqet e mia, bënim mbledhje të fshehta dhe ilegale. Në atë periudhë isha 17 vjeç, sapo kisha filluar shkollën e mesme për femra në Korçë. Mua dhe disa shoqeve të mia na hipi dëshira për të marrë pjesë në luftë, jo si aktiviste, por si partizane. Ika në shtëpi dhe i them motrës së madhe të më bënte gati ca plaçka se do iknim fshehurazi. Motra më bëri gati një qese me plaçka, veshëm pallton dhe u nisëm. Me ne u bashkuan dhe dy goca të tjera, njëra quhej Violeta dhe e kisha kushërirë. U nisëm për në Boboshticë në drekë dhe arritëm në bazën e luftës, ku ndodheshin 20 veta. Aty u bëmë pak pishman. Na hyri frika, sidomos kur pamë 2 morra që na kalonin në trup. ‘O Bule, do na hanë morrat’, më thoshin shoqet. Ndërkohë motra e madhe s’i kishte treguar gjë babait për vendimin tim. E dinte vetëm vëllai, që po më kërkonte, derisa më gjeti në bazë. Kur më pa,  më gënjeu se babai ishte në burg. Unë u pendova dhe u mërzita akoma më shumë për çfarë i shkaktova familjes. U kthyem nga baza e Boboshticës, ishte ora 10 e natës, ndërkohë rojet kontrollonin fshatin.

Na dalin rojet në atë kohë dhe unë duke kujtuar se ishin gjermanë, bërtas: ‘Jemi ballistë’. Ndërkohë, para meje doli një partizan që më tha: “Po, moj motra e Hajdarit. Normal që ballistë jeni, përderisa u kthyet”. Ika e turpëruar dhe rrugës u rrëzova e vrava gjurin keq. Mbërritëm në shtëpi, por babai ishte mërzitur me mua. Ai më tha: “Të kam mbështetur në çdo gjë. Pse e bërë këtë?” Mbaj mend që babi po më godiste, ndërkohë vjen motra e madhe nga shkallët dhe i thotë: ‘Mos e godit se ka këmbën të gjakosur’. Ma lanë këmbën, ma lidhën dhe nuk më lanë të dilja më nga shtëpia.

Dritare.net- Si reaguan njerëzit kur morën vesh që ju u larguat nga shtëpia për t’u bërë partizane?

Unë, pasi erdha nga baza e partizanëve, nuk dola nga shtëpia dy javë, kisha shumë turp për atë që kisha bërë. Por përreth vinin lajme që femra të tjera ishin larguar për t’u bërë partizane. Unë i përkisja një familjeje myslimane, që normalisht njihet si më fanatike se familjet e krishtera. Shoqet e krishtera vazhduan të iknin partizane dhe mua më bëhej shumë qejfi që u ndikuan nga unë edhe shoqet e mia.

Dritare.net –Pas çlirimit, çfarë bëtë, ende besonit te komunizmi?

Mbarova shkollën e mesme për femra në Korçë dhe babai vendosi t’i dërgonte një letër zyrtare z. Haxhi Kroji. “Çupa më mbaroi shkollën dhe e kam pasur të lidhur me luftën. Ju shkrova këtë letër sepse vuajmë ekonomikisht, kemi 5 fëmijë për të ushqyer.” Pas dërgimit të letrës nga ana e babait në prill të viti 1946, më erdhi emërimi si arsimtare në Selcë të Gorës. E kisha të vështirë në fillim ta përballoja si punë, por pastaj ia mora dorën. Aty punova një vit e gjysmë si mësuese, por pastaj u anëtarësova në parti. Më pas u transferova në një shkollë me katër klasë. U mërzita në fakt, sepse përveçse nuk më pëlqente puna ime, dëgjoja fjalët e shoqeve që më thoshin se nuk e meritoja këtë punë. Nuk qëndrova gjatë në këtë punë sepse u dërgua vendimi që unë të transferohesha në Organizatën e Pionierëve në Tiranë. Normal që në atë kohë ka qenë shumë e rëndësishme mbështetja e partisë, por unë kam punuar me ndërgjegje në çdo post që kam mbajtur apo më kanë ngarkuar.

Dritare.net- Çfarë kujtoni nga periudha komuniste?

Kongresi i fundit i Partisë që u mbajt nga Enver Hoxha ishte ai që më futi në drejtimin ekonomik, ndaj e mbaj mend. Komiteti i Partisë i bënte thirrje të gjithë shoqeve të partisë të shkolluara, të specializoheshin në një drejtim të caktuar. Aty u vendos që duhet të shkolloheshim. Doja të regjistrohesha në juridik, por nuk kishte vende, ndaj u regjistrova në shkollën ekonomike. Ndërkohë, jetoja me vëllain, nënën dhe motrën e vogël. Pasi mbarova shkollën, punova si ekonomiste derisa dola në pension. Punoja gjithmonë me orare të zgjatura, jo se doja unë, por ishte e detyruar në atë kohë. Në periudhën kur isha e martuar, kisha vjehrrën në shtëpi dhe më ndihmonte me të gjitha punët, ndaj unë kisha më shumë kohë për të punuar.

 

Dritare.net- Çfarë s’ju pëlqente nga periudha e komunizmit?

Lufta e klasave kundër të pasurve s’më pëlqente fare. Kisha një shoqe që ishte e pasur dhe më sillte librat e saj sepse s’kishte babai para të më blinte libra. Nga ajo lexova librin tim të parë “Sikur të isha djalë”.

Përveç kësaj, unë me atë u nisa partizane, ajo kishte edhe djalin e xhaxhait partizan. Ai ishte njeri me autoritet dhe shumë i aftë. Pavarësisht gjithë kësaj, familjen e saj sistemi e dënoi. Kjo gjë s’më pëlqeu fare, më preku dhe mërziti shumë.

Dritare.net – Si reaguat kur Shqipëria u bë një vend ateist me urdhër të Partisë Komuniste? E patët të vështirë të hiqnit dorë nga besimi juaj fetar?

Pavarësisht se babai im ishte hoxhë, ai asnjëherë nuk këmbëngulte që unë të isha praktikante e devotshme e besimit islam. Mbaj mend që kur fillova gjimnazin, ishte babai ai që më tha të hiqja dorë nga agjërimi. Për mua ishte më e rëndësishme partia, sesa feja. Partia komuniste bëri fushatë të egër kundër fesë, por nuk mbaj mend të ketë vdekur njeri që kundërshtonte heqjen e besimit.

Dritare.net – Po dashuria ishte e rëndësishme në atë kohë, apo vetëm partia?

Normal që edhe mund të ndodhte që të rinjtë të dashuroheshin, por ishte vetë periudha e tillë, që normat dhe parimet ishin më të theksuara.

Dritare.net – Po për ju?

Gjatë moshës 26 vjeçare unë njoha një djalë. Historia ime me të nisi nëpërmjet letrave. Ai më shkruante nga një letër çdo 3 muaj. Kjo përfundoi me fejesë, pas vdekjes së babait, pasi vëllait tim i pëlqente si çun. Pas fejesës ai u largua në Bashkimin Sovjetik me justifikimin e shkollës, por unë shumë shpejt marr vesh arsyen e vërtetë. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë, leucemia dhe nuk më kishte treguar gjë. Fejesa jonë u ndërpre. Fakti që m’u ndërpre fejesa ishte i rëndë për kohën dhe unë u martova vetëm në moshën 40 vjeçare. Bashkëshorti im kishte 3 djem. Të dytin dhe të madhin i mbante ai, ndërsa të fundit e kishte mbajtur ish gruaja. Bashkë kaluam shumë mirë. Burri ishte moshatar me mua dhe ishte ushtarak gjatë periudhës komuniste. Pas martesës u transferova nga Tirana në Elbasan.

Dritare.net- Bëni dot një krahasim të jetës suaj në tre periudhat që keni jetuar?

Nga të gjitha periudhat që kam jetuar, do veçoja periudhën komuniste. Jeta dhe çdo gjë ishte më e sigurt në atë periudhë. Njerëzit ishin ndryshe, punoja dhe jetoja e qetë. Ndërsa me ardhjen e demokracisë, erdhi kaosi.

Por nëse unë do të zgjidhja mes tre periudhave, do të zgjidhja demokracinë sepse ke liri zgjedhjeje dhe çdo gjë është e bazuar në kushtetutë.

Dritare.net – E ndiqni politikën? Çfarë mendimi keni për politikanët aktualë?

Informohem shumë mbi politikën, gjithmonë e kam ndjekur. Edi Rama është artist shumë i mirë, por më duket se nuk di të qeverisë. Ilir Meta do të qeveriste më mirë sepse është i formuar në drejtimin ekonomik. Jam e informuar që ai është diplomuar për ekonomi politike në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, por s’është vetëm kjo. E mbaj mend që ka qeverisur mirë vendin në periudhën kur ishte kryeministër.

Dritare.net- Pse zgjodhët pikërisht fenë e Jehovait nga shumë fe të tjera?

Këtë fe ma sugjeroi mbesa ime, ndaj u bëra pjesë e saj. Më lodh vetmia, më vret, ndaj që ta evitoja, u anëtarësova me Jehovain, më shumë për t’u argëtuar. Në dhomë kam plot libra të Jehovait sepse dua të bindem që të besoj në Jehova.

Dritare.net- Çfarë këshille do më jepnit mua për jetën?

Jeta është sfidë, duhet ta përballosh. Kur është e bukur, ta gëzosh. Kur vjen keq, ta durosh! Duhet të kesh shumë kurajo me jetën. Sidomos sot sepse nuk ka besim, nuk ka sinqeritet dhe dashuri të sinqertë.

Por puna është punë, si atëherë dhe tani. Puno! Mos u bëj njeri servil! Sa më servile të bëhesh, aq më e paaftë je. Unë gjatë punës sime kurrë s’kam qenë servile. Mund të kem pasur momente që jam ndjerë e paaftë, ndaj të këshilloj, vajzë e vogël, të përgatitësh shumë për punën që merr përsipër.

Dritare.net- Juve ju ka shkuar mirë jeta, që keni bërë gjërat për të cilat më këshilloni mua tani?

Kam jetuar. Pengu më i madh nga jeta është që nuk kam lindur fëmijë. U martova në moshë të madhe dhe nuk bëja dot fëmijë. Por rrita fëmijët e burrit, si të mitë. Për ata, për mbesën, më merr malli tani dhe i mendoj para se të fle e kur çohem.

Kam punuar gjithë jetën dhe nuk rri dot tani pa punuar, pa lexuar, pa u marrë me diçka, pa u bërë e dobishme. Marr një pension të majmë, 220 mijë lekë të vjetra dhe me to paguaj azilin dhe më teprojnë. Më vjen keq që jam në azil. Mërzitem shumë dhe nuk përshtatem dot. Megjithatë nuk mund ta shaj vendin ku jetoj. Të tjerë çfarë nuk do të bënin që të jetonin në këtë azil. Kjo është jeta, ti nuk e ke në dorë, as ku do të lindësh, as si do të vdesësh, por si do ta jetosh e ke vetëm ti në dorë./dritare.net

Intervistoi Jonida Dama

SHKARKO APP