Pas 102 vjetësh nuk po gjejmë ende deklaratën e Pavarësisë

Historiani Paskal Milo thotë se gjetja e tij është një proces i vështirë.  Megjithatë, Milo thotë se historianët nuk janë dorëzuar.

Nga hulumtimet e deritanishme mendohet se ky dokument mund të ketë përfunduar në duart e familjarëve të Ismail Qemalit, konkretisht te djali i tij, që ka jetuar dhe ndërruar jetë në Strugë. Historianët po bëjnë kërkime edhe nëpër arkivat e huaja, por deri tani nuk ka ndonjë gjurmë konkrete se ku mund të gjendet ky dokument themelor i shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

“Me gjithë përpjekjet që po bëjnë historianët qoftë në arkivat shqiptare, qoftë në ato të huaja, deri tani nuk është rënë në gjurmë të dokumentit themelor të shpalljes së Pavarësisë kombëtare, për fat të keq.

Ai dokument në mënyrë enigmatike duhet të ketë përfunduar diku, ose te familjarët e Ismail Qemalit, që mendohet se mund ta ketë pasur një nga djemtë e tij dhe pikërisht ai që e ka mbyllur jetën në Strugë, ose mundet nga rastësia dhe fatkeqësia që mund të jetë zhdukur dhe që për fat të keq nuk do ta kemi më.

Por, deri tani nuk ka ndonjë gjurmë konkrete se mund të gjendet”, ka thënë Milo për Kosovapress. “Ne nuk jemi dorëzuar, do vazhdojmë ta kërkojmë por gjithsesi është një proces i vështirë”, ka shtuar më tej historiani.

“Kosovapress”

SHKARKO APP