Pas 15 vitesh bëhet nënë, Manastirliu: 3.6 milion lekë për trinjakët

Një nënë e re pas 15 vitesh solli në jetë ditën e djeshme trenjakë, dy vajza dhe një djalë, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, të cilët përfituan edhe çekun e bebes. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi nënën e re dhe fëmijët e porsalindur. Ministrja i dorëzoi nënës së re edhe çekun e bebes. “Prej 15 vitesh mezi prisnin të bëheshin prindër dhe 1 ditë më parë janë bërë me dy vajza e një djalë. Me kënaqësi i dhashë Etlevës çekun 3.6 milion lekë për trinjakët Mabel, Amelia dhe Elsjan”, shprehet Manastirliu.

Ministrja shprehet se “të porsalindurit dhe nëna gëzojnë shëndet të mirë, por janë ende në kujdesin e ekipit mjekësor të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë”. Bonusi i bebes, politika e re sociale e Qeverisë mbështet rreth 30 mijë familje në vit. Këshilli i Ministrave miratoi në 12 dhjetor masën dhe procedurën e dhënies së çekut të bebeve për nënat me foshnja të sapolindura.

Ndihma e menjëhershme financiare u jepet familjeve në masën dyzet mijë lekë për lindjen e fëmijës së parë, tetëdhjetë mijë lekë për lindjen e fëmijës së dytë, njëqind e njëzet mijë lekë për lindjen e fëmijës së tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim. Në rastet e nënave që lindin binjakë apo trinjakë: në rastin e parë masa e përfitimit është tetëdhjetë mijë lekë për secilin fëmijë dhe për rastin e dytë njëqind e njëzet mijë lekë për secilin fëmijë.

SHKARKO APP