Pas bazës së Kuçovës, NATO po kërkon për bazë detare
”Pas Kuçovës edhe Pashalimani po studiohet nga NATO për bazë detare”, tha Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në një intervistë televizive. ”Është propozimi ynë që NATO të konsiderojë Pashalimanin edhe për shkak të gjeografisë dhe avantazheve që ofron për për investuar dhe aty një bazë detare të NATO-s, është duke u marrë në konsideratë dhe jemi në bisedime”.
Në lidhje me investimet amerikane në Kuçovë, Xhaçka tha se aktualisht ”jemi duke nënshkruar një marrëveshje me Agjencinë e Specializuar pranë NATO-së për prokurimet. Ka një vit që kjo agjenci po harton masterplani dhe projektin. Me lidhjen e marrëveshjes fillon faza e ndërtimit dhe shumë shpejt në Kuçovë fillon puna. Investimi është i konsiderueshëm kap shifrën 50 milion euro dhe e bën NATO”.
Nga ana tjetër, Xhaçka shtoi se ka qenë propozimi shqiptar që Ministeriali i radhë i NATO-s të bëhet në Shqipëri. ”Përmes këtij angazhimi përcillen mesazhe gjoestrategjike dhe është një gjë pozitive. Në fakt kjo ka ardhur falë insistimit im që të kemi një Ministerial të NATO-s në Shqipëri edhe për të përcjellë këto mesazhe, por kjo është shenjë besimi e aleatëve te Shqipërisë, është vlerësim për rolin e Shqipërisë edhe për atë çfarë Shqipëria beson në rolin e aleancës e NATO-s. Pas vendimit për të investuar në Bazën e Kuçovës për të bërë bazën e parë ajrore të NATO-s në rajon dhe vlerësimin për operacionet e Shqipërisë në kuadër të aleancës është një vlerësim për rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon”.