Pas festave, bizneset rrisin depozitat bankare, individët më të kursyer

Janari konsiderohet tradicionalisht një muaj i vështirë për financat familjare, për shkak të faturave të larta dhe shpenzimeve të mbartura nga fundviti. Megjithatë, këtë fillimvit qytetarët shqiptarë kanë zgjedhur të kursejnë më shumë, veçanërisht në monedhën vendase.

Sipas të dhënave, depozitat në lekë në sistemin bankar shënuan një rritje të ndjeshme gjatë janarit, duke arritur në 737 miliardë lekë, ose 13% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa individët, pas shpenzimeve të fundvitit, shtuan kursimet me ritme më të moderuara, bizneset duket se përfituan nga periudha festive dhe rritën depozitat e tyre me rreth 10% në fillim të janarit. Edhe korporatat shënuan zgjerim të konsiderueshëm të kursimeve, me një rritje prej 36%.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kursimet po orientohen kryesisht drejt lekut, më shumë sesa drejt valutave të huaja. Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku total i depozitave ka arritur në 1.5 trilionë lekë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pedagogia Besarta Tafa shpjegon se një nga arsyet kryesore të kësaj tendence lidhet me luhatjet e kursit të këmbimit. Forcimi i lekut kundrejt euros ka nxitur bizneset dhe individët të shohin më shumë stabilitet dhe përfitim në kursimet në monedhën vendase.

Paralelisht me kursimet, qytetarët dhe bizneset iu drejtuan bankave edhe për kredi. Kredia e re për ekonominë në janar arriti në 28.3 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 11% krahasuar me një vit më parë.

Pas niveleve rekord të arritura vitin e kaluar, kreditimi ka pësuar një ngadalësim në muajin e parë të 2026-ës. Kjo rënie u ndikua kryesisht nga segmenti i individëve dhe interesi më i ulët për kredi në euro, ndërsa bizneset ruajtën të njëjtën ecuri si në janarin e vitit 2025.

Sipas Tafës, kjo lidhet edhe me politikat e ndërmarra në mesin e vitit 2025 për kufizimin e kredimarrjes, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, si dhe me rishikimin e raporteve mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

Ngadalësimi i kreditimit në fillim të vitit tregon një qasje më të kujdesshme si nga bankat, ashtu edhe nga huamarrësit. Megjithatë, me norma interesi më të stabilizuara dhe me pritshmëri për rritje të kërkesës në muajt në vijim, mbetet për t’u parë nëse rënia e janarit është thjesht një efekt sezonal.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?