Pas marrëveshjes së TK, reagon Arben Derhemi: Për ata që mund të më paragjykojnë…
Pas arritjes së marrëveshjes se aktorëve me kryeatrin e Bashkisë, Erion Veliaj lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar, ky i fundit në dëgjesën e sotme ka premtuar që në rindërtimin e Godinës së re nuk do të preket asnjë centimetër i truallit të TK, shkruan VOX ALBANIAE.COM.
Por menjëherë pas kësaj marrëveshjeje, tashmë të bërë publike një lum reagimesh ironizuese ka shpërthyer nëpër rrjetet sociale. Disa prej mbështetesve të flaktë të aktoreve dhe artistë të tjerë që flasin nën zë e konsiderojnë disi të dyshimte këtë pakt.
Pikërisht lidhur me këto “susurritje” e si për t’i qetësuar kritikët e radhës ka reaguar aktori Arben Derhemi, një nga qëndrestarët dhe zërat më të fortë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.
Në një postim në rrjetin social Facebook ai kërkon që të mos i veshin statuse që s’i ka për firmosjen e marrëveshjes dhe u sugjeron të gjithëve që të kenë durim e të mos paragjykojnë. Por të presin rezultatet konkrete te dialogut, përcjell VOX ALBANIAE.COM.
Ja çfarë shkruan ai në postimin e plotë të Facebook:
Për të gjithë ata që më njohin dhe ata që s’më njohin, ose nuk duan të më njohin.
Për të gjithë ata që janë të interesuar për godinën e Teatrit dhe fatet e teatrit, por edhe për ata që nuk ju intereson se as kanë qenë në Teatër dhe as ka për t’ju rënë rruga ndonjëherë këndej…
Për të gjithë ata që më njohin si Arben Derhemi dhe ata që nuk më njohin si aktor teatri…
Për ata që mendojnë se unë jam koka e protestës dhe për ata që mund të më paragjykojnë si një person me status që mund të firmos marrëveshje…
Ju lutem pak durim dhe urtësi, kuptoni që negocimi, takimet, bisedat apo ballafaqimet janë thjesht elemente të një dialogu shoqëror dhe institucional që të mbrohet teatri, kujtesa historike, qyteti dhe memoria institucionale… Mos më bëni kaq të fuqishëm duke me veshur kompetenca dhe attribute apo sovranitete të deleguara për të firmosur marrëveshje…
Madje edhe në rolet skenike që kam luajtur nuk e kam pasur ndonjë personazh të tillë të përafërt që firmos marrëveshje… Pak durim ju lutem dhe më shumë përgjegjësi qytetare dhe shoqërore… Asgjë nuk bëhet në një ditë përveç marrëzive… Ju faleminderit, nëse së paku më lexoni dhe shumë faleminderit nëse edhe më kuptoni.
Arben Derhemi miqësisht…
27 qershor 2018.
/Burimi: VOX ALBANIAE.COM/
KOHA JONË SONDAZH

