Pas Mira Muratit, Rama bashkëpunim edhe me Arjeta Pucën: Shqipëria do të prodhojë makina për shtetin

Pas bashkëpunimit me shqiptaren e Chat GPT Mira Murati, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ka gati një projekt për të prodhuar makina për nevojat e shtetit, me kompaninë e një shqiptareje tjetër, Arjeta Puca.

Në fjalën e tij për mediat, pas mbledhjes që pati në Lezhë, Rama tha se këto makina do të vihen në shërbim për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë Kombëtare të Transportit. Kështu, tha Rama, do t’i jepet fund edhe problemit të transportit të mësuesve.

“Krijimin e një shoqërie aksionere për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit dhe për eksport është një projekt shumë i bukur, që do të na japë mundësinë që të prodhojmë për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë, të Brendshme, të Agjencisë Kombëtare të Transportit dhe për eksport, duke u bazuar tek ekspertiza e një vajze shqiptare, me të cilën jemi duke ndërtuar këtë proces, me ndërmarrjen e saj modeste, por që fiton gara ndërkombëtare për të dërguar autoambulanca nga Ukrainë në Serbi”, u shpreh Rama.

Arjeta Puca është sipërmarrëse që prodhon makina në fabrikën e saj në Shqipëri dhe është përzgjedhur nga OKB-ja për të prodhuar 500 autoambulanca që kanë shkuar për Ukrainën.

SHKARKO APP