Pas nisjes së vaksinimit, Pipero tregon se kur do të jetë fundi i pandemisë

Prej së hënës, datë 11 janar në Shqipëri nisi dhe procesi i vaksinimit, si në çdo vend që është prekur nga pandemia e Covid-19. Por pyetja se kur do të marrë fund kjo situatë, askush nuk e thotë të saktë. Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, thotë se gjysma e dytë e marsit do të shënojë fundin e pandemisë, duke pasur parasysh që fundi i 2020-s shënon valën e dytë dhe janari e shkurti i këtij viti shënojnë valën e tretë të kësaj pandemie të jashtëzakonshme.

”Kjo pandemi nuk mund të ndahet me valë, ky është virus respirator që ka ecurinë e tij fiziologjike. Fundi i vjeshtës konsiderohet si vala e dytë. Unë besoj që gjysma e dytë e janarit dhe shkurti do konsiderohet si vala e tretë dhe nga gjysma e dytë e marsit do të fillojë definitivisht fundi i pandemisë që është në ulje graduale dhe të qëndrueshme”. I pyetur se nga cili shtet u sigurua vaksina, Pipero tha se e rëndësishme është që nisi procesi i vaksinimit, i cili shënon dhe fillimin e fundit të pandemisë, ndërsa nuk përjashtoi as dyshimet dhe pikëpyetjet mbi të, për shkak të kohës së prodhimit të saj dhe efekteve anësore afatgjata.

”Duke nisur nga origjina e vaksinës dhe kushtet e ofruara gjithçka ishte normale. Një vaksinë e prodhuar në kushte emergjence në një pandemi të jashtëzakonshme mendoj që do të shoqërohet me shumë pikëpyetje sa i takon shpejtësisë, teknologjisë dhe efikasitetit të prodhimit të vaksinës. Ne jemi mësuar që një vaksinë duhet të kalonte 18-24 muaj që me këtë vaksinë nuk ndodhi, po kushte e emergjencës bënë të mundur që duke ruajtur parametrat e sigurisë dhe efekteve anësore disa hallka të provave në kafshë të tejkaloheshin dhe nuk është kaluar asnjë hallkë në persona vullnetarë. Ne kemi prodhuar një vaksinë të sigurt, me efekte anësore afatshkurtra që dihen dhe me disa pikëpyetje për efektet anësore afatgjata. Në Shqipëri ne nuk i shpëtojmë dot paragjykimeve”,-tha në ”A2cnn”.

Sa u takon teorive konspirative, Pipero shpjegon se ato nuk bazohen në fakte, por janë hipoteza që përbëjnë lajm, ndërsa garanton sigurinë e vaksinës dhe thotë se bota do të ishte nën thundrën e viruseve dhe sëmundjeve pa to. Pipero e konsideron të dëmshëm propozimin e Greqisë për një certifikatë paneuropianë për të lejuar lëvizjen e lirë të personave që janë vaksinuar. Sipas tij, kjo praktikë nuk është norma dhe nuk mund të aplikohet.

SHKARKO APP