Pas rikthimit në auditore, pedagogët do mbajnë një protestë kombëtare
Edhe pse pedagogët janë rikthyer në auditore, ata nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre, përkundrazi janë të vendosur që të arrijnë plotësimin e tyre duke shpalosur forma të ndryshme protestash, duke nisur nga kjo javë.
“Ne ndërpremë bojkoti për të mos patur probleme studentët me vitin shkollor, por nuk ndërpremë protestën. Sindikata ka vendosur që një herë në javë, të gjejnë një mënyrë proteste, ose te korpusi, ose te kryeministria, para Ministrisë së Arsimit, ose fokusi është dhe pranë komisionit parlamentar. Për të mbajtur flakën ose zjarrin e protestën, ndoshta në ato universitete të cilat nuk u përfshin si ai Mjekësisë ose Kamzës”, tha Aleksandër Petre, pedagog Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
Për këtë javë protesta kombëtare mund të mbahet në Shkodër. Nëse deri në muajin shkurt nuk do të ketë përgjigje nga qeveria, atëherë do të ketë sërish bojkot, po kësaj here në një tjetër formë. “Po e themi në mënyrë letrare që ne në fillim të sezonit të provimeve ne nuk do të hyjmë në provime, për t’u thënë ju lamë 4 muaj çfarë bëtë”, tha Petre.