Pas sherrit me një person, i dehuri i shkon në banesë me kallashnikov. Kapet nga policia
Parandalohet një ngjarje kriminale në Këlcyrë, ku një burrë është arrestuar me armë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në qytetin e Këlcyrës, shtetasi Seit Alikollari, në gjendje të dehur, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin me inicialet A. S., ka shkuar në banesë ku ka marrë një armë zjarri dhe është drejtuar për në banesën e personit që kishte debat.
Shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative se ky shtetas po qarkullonte me armë dhe mund të përfshihej në ngjarje kriminale, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm të territorit dhe si rezultat, në afërsi të qendrës së qytetit Këlcyrë, kanë konstatuar Alikollarin, i cili lëvizte më një armë zjarri kallashnikov me vete.
Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, shtetasi S. A. iu ka drejtuar punonjësve të Policisë, armën të cilën e kishte me fishekë në fole gati për qitje. Falë profesionalizmit të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i tij.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik dhe 2 krehra me fishekë luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme.