Pas shoqërimit në polici të redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, reagojnë partitë
(Botuar me 28 Shkurt 1996 në KOHA JONE)
Pas shoqërimit në polici të redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, reagojnë partitë
Tri partitë parlamentare në opozitë e kanë vazhduar serinë e deklaratave kundër atentatit tragjik. Por këtë radhë reagimi lidhet me veprimin më të fundit arbitrar të policisë që ndaloi parmbrëmë pak para mesnatës gjithë redaksinë e gazetës “Koha Jonë” për ta liruar pastaj pjesërisht vetëm në mëngjesin e së nesërmes duke bërë përpjekje për të inkriminuar njerëzit që u mbajtën brenda. Akoma gjashtë punonjës të gazetës më të madhe të pavarur gjenden në qelitë e komisariatit nr. 2 pa patur element dyshues apo inkriminues. Ata mbahen aty nga njerëz që dhunuan institucionin e shtypit të lirë pa mandat, pa leje, në mënyrë pirate duke e shtuar brenda kësaj redaksie tmerrin e krimit monstruoz. “Shteti po bën të kundërtën e asaj që duhet të bëjë”, është shprehur në deklaratën e tij Kryetari i Partisë Socialdemokrate. Arrestimi i redaksisë së “Koha Jonë” e ka vënë shtypin e pavarur midis dy zjarresh, krimit që e kërcënon vazhdimisht dhe shtetit. “Ky është dhunim me qëllim i shtypit, i lirisë se medias, sepse jo vetëm një staf të tërë gazete por edhe një gazetar të thjeshtë nuk mund ta prekësh, nuk mund ta kontrollosh, pa të dhëna paraprake, pa bazë dyshimi real. Kështu, ky mund të quhet një dhunim i drejtpërdrejtë, një dhunim i asaj që kërkon opinioni, zbulimin dhe dënimin e terroristëve. Askush nuk kërkon që faji t’u mbetet të pafajshmëve”, deklaron Gjinushi. “Është e pakuptueshme madje cinike që reagimi më i parë i shtetit ishte inkriminimi kolektiv i gazetarëve dhe punonjësve të gazetës “Koha Jonë” gjashtë prej të cilëve ndodhen në polici”. Kështu thuhet në deklaratën e Partisë Aleanca Demokratike. “AD do ta konsideronte të ulët moralisht dhe të rrezikshme politikisht dëshirën për ta përdorur tragjedinë e 26 Shkurtit, vdekjet dhe plagosjet e kësaj dite si një justifikim për të larë hesape të tjera si këto të pushtetit aktual me të pavarurën “Koha Jonë”, proteston partia e Qendrës së Djathtë, e pa akuzuar deri tani nga shteti si autore e krimit. “T’i jepet fund akuzës, inkriminimit dhe persekucionit kolektiv ndaj kësaj gazete”, mbyllet deklarata e AD, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Arben Imami, e shpjegon deklaratën si një reagim ndaj një akti të patolerueshëm, që fryn një akuzë politike ndaj “Koha Jonë”. Duke i ndaluar të gjithë gazetarët, duke i marrë në pyetje të gjithë gazetarët, duke i pyetur ata “ku ke qenë? Çfarë ke bërë?” e të tjerë, në një mënyrë ose në një tjetër, Prokuroria ka arritur të formulojë një akuzë politike megjithëse jo formalisht, jo në një copë letër të shkruar, bën një akuzë politike kundrejt gazetës”, thotë ai. Nuk ka munguar as shqetësimi i partisë më të madhe të opozitës. Nënkryetari i saj, Servet Pëllumbi dje në konferencën për shtyp ka protestuar kundrejt presionit ndaj shtypit. “Terroristët nuk duhen kërkuar në redaksitë e gazetave dhe në radhët e gazetarëve”, ka thënë Pëllumbi. Nënkryetari i PS i ka kujtuar protagonistëve të “dhunimit” të zyrave, se liria e shtypit dhe e shprehjes është e garantuar me ligj. “Vënia dorë mbi gazetarët dhe aq më tepër në mënyrë kolektive siç ndodhi me redaksinë e gazetës “Koha Jonë” për mendimin tonë është një rast jo thjesht për të shprehur keqardhjen por edhe për të shprehur indinjatën”, ka deklaruar dje nënkryetari socialist. Kështu është përcjellë ndalimi i gjithë redaksisë së “Koha Jonë” nga tre partitë kryesore të Parlamentit shqiptar. Reagimi i këtyre partive nuk mund të mos ishte i ashpër, ndërkohë që partia në pushtet në vend të protestës, duket se e ka justifikuar atë që ndodhi, me redaksinë e “Koha Jonë”. Dje në Televizionin Shtetëror janë thirrur përsëri “artistë” mercenarë për të akuzuar shtypin për ngjarjen. Mbajtja në qeli e gjashtë punonjësve të gazetës po vazhdon ende dhe pushteti në vend të ndërhyrjes për lirimin e tyre po mban pozicion inkurajues. Gazetarët e “Koha Jonë” janë pyetur pa ju dhënë e drejta e mbrojtjes me avokat, në mënyrë provokative. “Pse ke qenë në Kosovë?”, “Kur ke qenë në Serbi?”, është kërkuar prej tyre që nuk e kanë kaluar asnjëherë kufirin Verior të Shqipërisë, dhe që nuk kanë shkuar të paktën as deri në fshatin e thellë të Berishës, nga ku kufiri duket shumë afër. Por nuk kanë heshtur dhe nuk kanë ndenjur indiferente ambasadat e huaja dhe gjithë përfaqësuesit e shtypit ndërkombëtar. Lufta ndaj shtypit e çon pushtetin drejt humnerës.
Enton Abilekaj
Në krye të çdo operacioni policor ndaj “Koha Jonë” shfaqet dora djallëzore e zëvendësministrit të Brendshëm, Agim Shehu
-Akti i ndyrë i Ministrisë së Brendshme-
Dje në orët e para të mëngjesit “Koha Jonë” mezi u botua dhe me një mijë halle u shpërnda nëpër rrethet e Shqipërisë duke marrë automjete taksi pasi makinat e “Koha Jonë” i ribllokoi zëvendësministri i Brendshëm Agim Shehu, i cili udhëheq me kënaqësinë më të madhe çdo operacion policor ndaj shtypit të lirë e veçanërisht ndaj “Koha Jonë”. Dje në faqe të parë të “Koha Jonë” shpjeguam shkurt pasi gazetarët dolën në ora 2 e natës nga policia dhe nuk priste shtypshkronja për të bërë një sqarim të plotë për çfarë ndodhi me të përditshmen më të madhe në Shqipëri. Në ora 21.40, parmbrëmë, forca të shumta të policisë së rajonit numër 2 të policisë në Tiranë si dhe forca speciale sampiste e një mizëri oficerësh e spiunësh të SHIK-ut kishin rrethuar zyrat e “Koha Jonë”. Afro 8 furgonë policie si dhe disa makina Tipo të policisë kishin zënë hyrjen kryesore. Në anën e pasme të redaksisë përballë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” ishin instaluar policë me veshje antiplumb dhe me automatikë në dorë. A thua se në redaksi nuk punonin gazetarë, por brenda saj ishin dhjetëra kriminelë të armatosur! Në orën 22.00 hynë forcërisht në hyrjen kryesore mbi 25 policë e civilë të armatosur, të gjithë me radio në dorë a thua se po bëhej zbarkimi i aleatëve në frontin perëndimor gjatë Luftës së Dytë Botërore! Komandanti i tyre, një djalë simpatik, afro të 25, pranon të bisedojë me drejtorin e “Koha Jonë” në zyrën e tij për kontrollin që po bënin. Kërkesës së drejtorit se përse forcat policore kanë pushtuar redaksinë forcërisht, ai, si një simpatik i vogël, u skuq nga turpi dhe tha se kemi urdhër nga lart. Ndërkohë në zyrat e drejtorit hyjnë dhunshëm forca të tjera policore si dhe një komandant tjetër trupmadh dhe i egër. Ai “shfuqizoi” paraardhësin e tij dhe urdhëroi që drejtori të shoqërohej për në polici. Duke zbritur nga kati i tretë, ku kam zyrën nëpër korridore ishin gazetarët dhe punonjësit të rreshtuar me shpinë nga muri dhe të ruajtur nga policë të armatosur. Numri i policëve nëpër zyra ishte më i madh se i gazetarëve. Në moment, në sheshin para redaksisë, mbërritën furgonë të tjerë policie. Banorët e lagjes kishin dalë nëpër ballkone e ndiqnin këtë skenë të cilën e kishin para në TV gjatë regjimit të Pinocetit në Kili. Pas kësaj përfundova në Rajonin e Policisë, ku duhet pranuar u sollën fillimisht mirë. Pas afro 30 minutash furgona me sirena sollën të gjithë gazetarët dhe punonjësit e “Koha Jonë” që ndodheshin në atë moment në punë. Ishin mbi 33 gazetarë si dhe dy faqosëse femra, dy sekretare, një centraliste dhe një gazetare. Pas pak sollën edhe disa shoferë dhe roje te “Koha Jonë”. Në redaksi kishte mbetur kryeredaktori Frangaj i ruajtur me policë, si dhe një roje e hyrjes së “KJ”. Në këtë mënyrë kemi qëndruar afro dy orë pa u pyetur dhe pas kësaj filluan me gazetarët dhe punonjëset femra, me të cilat pasi mbaruan me pyetjet i nxorën të vetme në rrugë në orën 24.30 deri 01. Ndërkohë furgonë policie nuk reshtnin duke sjellë të gjithë punonjësit e tjerë të ndërmarrjes së transportit të “Koha Jonë”. Të gjithë zgjoheshin nga gjumi dhe përplaseshin në qeli. Redaksia siç na njoftonte ndonjë polic dashamirës vazhdonte e rrethuar dhe e mbushur me civilë, të cilët në fillim nuk ishin parë. Një polic krimesh na tha se kanë hyrë forca speciale të SHIK-ut dhe se me sa duket po montojnë përgjues në disa zyra. Vërtet u befasuam nga kjo gjë dhe u përpoqëm që ta shikonim edhe një herë atë polic krimesh, por nuk e pamë. Në ora 03.00 e natës shumica e punonjësve dhe të gjithë gazetarët u liruan. Mbetën dy bodigardët e mi Bardhyl Tollja dhe Myslim Murati si dhe të gjitha makinat e bllokuara dhe shoferët. Mua më futën në një zyrë komode, ku thuhej se ishte e shefit të krimeve të rajonit. Përballë kisha hetues, prokurorë e ndonjë shikas. Pyetjet ishin se kur ke hyrë në Serbi? Je futur natën apo ditën? Çfarë ke bërë?! Me të vërtetë u befasova përballë një skenari të tillë dhe shpejt e mblodha veten dhe fillova të tallem me to pasi nuk kisha rrugë tjetër për të qeshur me budallallëkun e tyre, pasi asnjëherë nuk kam shkelur në këtë shtet. Pas kësaj filluan të pyesnin se çfarë ke bërë ditën e vendosjes së autobombës etj. Duhej të ishe preciz deri në minuta. E pashë se ishte me të vërtetë një tragjikomedi, pas tragjedisë që kishte provuar populli i Tiranës nga të vdekurit dhe të plagosurit. Mu duk vetja, pa gënjyer, sikur isha në zyrat e Gestapos. Ishte shumë fyese por nuk kisha se ç’të bëja. Pasi më kishin pyetur e stërpyetur më thanë se çfarë ke të jashtëligjshme në shtëpi. Thashë me vete, a janë në vete këta, apo bëjnë si të lajthitur. Trego – thanë – se kemi bërë kontroll në shtëpi. Në këtë moment e kuptova se gjithçka ishte përgatitur nga Agim Shehu dhe SHIK-u. Ishin përsëri segmente të caktuara të Shikut të cilët më vendosën tritol dhe më shkatërruan shtëpinë time në Lezhë më 1 Nëntor 1995. Pra, policia kishte guxuar të dhunonte shtëpinë e një gazetari duke e rrethuar atë me mbi 20 policë të armatosur, siç më thanë, si dhe duke kontrolluar gjithçka brenda shtëpisë, bile në mënyrë të turpshme kishin hapur dhe kontrolluar edhe rrobat e fëmijës 10-muajshe, duke thënë se edhe këtu mund të ketë futur armë Nikoll Lesi! Aq të paturpshëm dhe aq naiv ishin treguar sa edhe kasetat familjare të filmuara i kishin rrëmbyer për të parë “udhëzimet serbe”!! Edhe sot i kanë akoma në polici. Më pas kishin parë printerin e kompjuterit, të cilin përdor për të punuar dhe meqenëse nuk dinin se çfarë ishte kishin dashur ta thyenin për të parë brenda se s’kishte! Edhe barsoletat me policët e Zogut nuk ua kalojnë këtyre. “Fatmirësisht” për ta, por fatkeqësisht më vonë, ato kishin zbuluar në mes të natës në shtëpi se kisha armë gjahu pa leje. Pas kësaj ishte bërë gati fletë arresti për “armëmbajtje pa leje”. Kodi penal ka nga 5-15 vjet dënim. Pra, dëshira e Berishës shkonte në vend: Nikoll Lesi duhet në burg, patjetër! Një polic më tha nga ora 4.30 se sapo erdhi për punën tënde Musaraj dhe Agim Shehu, por po bëjnë debat. Ministri thotë nuk kemi argumente për ta arrestuar, ndërsa i “plotfuqishmi” zëvendësministri Shehu, thoshte ta fusim brenda se provat gjenden më vonë. Por, pasi u dhashë lejen e armës së gjahut të dhënë nga Ministria e Brendshme në vitin 1994, atëherë u detyruan, me dhimbje të më lironin. Kështu, përfundoi aventura policore për të vazhduar dje nga ora 9.00 deri në ora 11.00 ku policia urdhëronte konfiskimin e të gjitha dokumenteve financiare. Urdhërova financën që të mos jepnin asnjë dokument pa autorizim të organeve që e kanë kompetencë ligjore. Policia dhe Agim Shehu le të merren me hajdutët, vrasësit dhe përdhunuesit, të cilët i ka nën hundë cdo ditë. Kjo është detyrë e tij dhe jo të merret me gazetarët./Nikoll Lesi/