Pas tërmeteve, pezullohen lejet e ndërtimit në Tiranë, Durrës dhe Lezhë
Qeveria ka marrë një vendim për të pezulluar lejet e ndërtimit në qarqet e prekura nga tërmetet. Gazeta “Si” disponon një njoftim të shpërndarë nga ana e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, institucion që është në varësi të Kryeministrit. Pikërisht ky institucion mësohet se ka njoftuar aplikantët në lidhje me vendimin e marrë për të bllokuar dhënien e lejeve të ndërtimit, i marrë pas tërmetit të 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima në zonën e Durrësit dhe të Thumanës.
“Bazuar në kërkesën e disa bashkive të prekura nga dëmet e tërmetit të datës 26.11., si dhe në kuadër të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr.750, datë 27.11.2019, ndryshuar me VKM Nr.751 datë 29.11.2019, ju njoftojmë se është realizuar me sukses pezullimi i aplikimi për leje ndërtimi në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit. Gjithashtu bëhet e ditur se ky institucion është duke punuar edhe për pezullimin e afateve që prej datës 26 nëntor për lejet në proces. Kjo do të thotë se edhe aplikimet e kryera nga individë apo firma të ndryshme.
AZHT-ja bën të ditur gjithashtu se për këto qarqe mund të aplikohet shërbimi vetëm “Aplikim për leje ndërtimi, riparimi, restaurimi (rastet e emergjencave civile). Ky njoftim sipas burimeve i është shpërndarë edhe bashkive që janë në këto tre qarqe si Durrës, Tiranë, Vorë, Shijak, Krujë, Kavajë, Shijak, Kamëz dhe Kurbin.
Një masë e tillë “moratoriumi” merret mbase edhe për faktin se qeveria ka shpallur si synim dhe ndryshimin e ligjit për ndërtimet, pas situatë së krijuar me dëmtimet e mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ndërtimet pa kriter në bashki, detyruan qeverinë Rama, që në mandatin e parë të merrte një vendim në 2014 që të vendoste një moratorium duke ngrirë dhënien e lejeve të ndërtimit. Një vendim që bllokonte bashkitë që drejtoheshin nga të djathtët. Por ky moratorium nuk zgjati as as 6 muaj dhe më pas qeveria vendosi të zhbllokojë procesin dhe të japë lejet e ndërtimit.
Në 31 dhjetor 2014, Këshilli Kombëtar i Territorit ndezi dritën jeshile bashkive dhe komunave të japin leje ndërtimi. Ministria e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, asaj kohe njoftoi zhbllokimin e lejeve për banesat familjare dhe rikonstruksione, për projekte zhvillimi turistik, bujqësor e industrial. Por këto leje do të miratohen nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT). Pas kësaj ngrirje pati një bum të madh të leje të ndërtimeve, e kjo dhe për faktin se dhënia e tyre u bë me anë të një procesi online.
Burimi: Gazeta “Si”