Pas tre muajsh pritje, BOOM më në fund merr përgjigje nga Balluku por pa firmë dhe vulë
Pas më shumë se tre muajsh pritjeje për të marrë një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbi bazën ligjore mbi të cilën ka dalë urdhri nr.47 për pezullimin e punës në të gjitha HEC-et në vend, është dashur denoncimi i “BOOM” pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, që ky institucion të kthejë një përgjigje për “BOOM”.

Edhe pse përgjigja përmban referencat ligjore, asaj i mungon firma dhe vula e institucionit, duke shmangur kështu hapur përgjegjësinë në lidhje me përmbajtjen e dokumentit.
“BOOM” u ndal në bazën ligjore të cituar nga ministria, ku edhe njëherë konstatoi paligjshmërinë e këtij urdhri. Nga kjo përgjigje vërehet se juristët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk njohin ndryshimet ligjore, ose i keqpërdorin qëllimisht ato.

Në përgjigjen e Ministrisë, një nga referencat ligjore është dhe ajo e nenit 7 të kodit të procedurave administrative, ku thuhet:
“Me pushtet diskrecial të administratës publike do të kuptohet e drejta e kësaj të fundit që të ushtrojë autoritet publik për realizimin e një qëllimi të ligjshëm, qoftë edhe pa autorizim të shprehur të ligjit”.
Në këtë pikë Ministria ka përdorur një dispozitë të gabuar, pasi kodi i procedurës administrative ka ndryshuar në vitin 2015 dhe ligji nuk ka fuqi prapavepruese.
Nëse do ti referoheshim nenit 7 të kodit të ri ai parashikon parimin e mbrojtjes së sekretit shtetëror, por në këtë rast nuk kemi të bëjmë me sekret shtetëror.
Hezitimi prej më shumë se tre muajsh i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të kthyer përgjigje në lidhje me bazën ligjore mbi të cilën ka nxjerrë urdhrin numër 47 si dhe përdorimi i dispozitave të gabuara për të mbështetur nxjerrjen e tij, tregon edhe njëherë se ky urdhër është arbitrar dhe i pabazuar në ligj.


KOHA JONË SONDAZH

