Pas vizitës në jug, Mitsotakis nuk përmend Hagën: Jemi pranë zgjidhjes së çështjes së Detit
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, vizitoi minoritetin grek në Shqipëri, ndërsa takoi në jug të vendit edhe kryeministrin Edi Rama.
Pas largimit në Greqi, Mitsotakis ka reaguar me anë të një statusi në rrjetet sociale. Ai shkruan se Greqia dhe Shqipëria janë shumë pranë zgjidhjes së përcaktimit të zonave detare.
“Mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve zgjidhen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kështu do t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona për këtë çështje”, shkruan kryeministri grek duke mos përmendur këtu dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën e Hagës, ashtu siç një ditë më parë thanë ministrat e jashtëm të dy vendeve, Dendias dhe Xhaçka.