Pashk Përvathi, revolucionari dekorativ i gjinisë së peizazhit në pikturën shqiptare

Nga Oltsen Gripshi

Ngjyra, kontraste, dritëhije, fushëpamje mbresëlënëse dhe forma e vëllime të modeluara nëpërmjet njollave të tonaliteteve të shtrira thjesht, me plot siguri. Njëpikturë, e cila shfaqet si një analogji me “i Macchiaioli” të pikturës italiane midis viteve 1850-1870 të shekullit të XIX. Njolla të cilat në pikturën e Pashk Përvathit kanë revolucionuar me stilin e tij gjininë e peizazhit dhe jo vetëm në pikturën shqiptare. Ai nëpërmjet shtrirjes së fushave tëngjyrave në mënyrë të thjeshtëzuar nxjerr në pah një gjurmë të gjithën vetjake, duke paraqitur me realizëm natyrën, por njëkohësisht e filtron esencën e saj përmes një kodi të ri estetik për pikturën në historiografinë e arteve pamore shqiptare, atë dekorativ.

     Qartësia e qasjes dekorative e shpien edhe vetë artistin në horizonte të reja në interpretimin e natyrës reale, duke i dhënë asaj pamjen ëndërruese, magjike, gati-gati sikur vallëzon me poezitë e Lasgush Poradecit buzë liqenit apo me vallen e vajzave lakuriq të Henri Matisse. Lakuriq, një pikturë e zhveshur nga çdo ndikim stilistik pararendës, një pikturë e themeluar mbi vlera të reja në marrëdhënie midis ngjyrave dhe kontrasteve, midis dritës dhe hijeve. Një pikturë e përqendruar thuajse plotësisht tek natyra dhe për natyrën.

Kanavaca kthehet në shtratin dashuror mes piktorit Përvathi dhe natyrës, aty ku peizazhet e pikturuara nga ai duket sikur pëshpërijnë në heshtje thellësitë e abiseve të subkoshiencës së tij… se objektivi në pikturimin e natyrës është të paraqesë një joshje të mirë ekuilibruar ndaj saj. Një ekuilibër, i cili të shpërfaqi ndjesi ëndërruese sesa një turbullirë shijesh, ku çdokush që gjendet përballë peizazheve të Përvathit të gjejë qetësinë shpirtërore dhe lumturinë për jetën.

Peizazhi në pikturën shqiptare është lëvruar gjithmonë, por kur shikon peizazhet e artistit lezhjan kupton vërtet se çfarë hijeshije i ka veshur ky piktor natyrës. – Natyra nëpërmjet penelit të Pashk Përvathit është ndërgjegjsuar për bukurinë e saj. Piktori Përvathi peizazhin e ka ngritur në një stad jo vetëm të lart profesional, por e ka evoluar përmes gjuhës artistike me të cilën ai e trajton.

Shumë e veçantë është prerja kompozicionale që artisti sjell me peizazhet e tij, ku ajëri dhe atmosfera ndjehet në çdo cep të tablos. Stili dekorativ gati me thyerje kubiste dhe thjeshtimi i masave në peizazhet e këtij piktori, më ringjallin brenda vetes pikturën ekspresioniste të Franz Marc. Mjafton të shohësh peizazhe si “Mëngjes vjeshte”,“Vjeshtë në Gjanç-Korçë,“Lumi i Erzenit”,“Bardhësi në Alpe”,“Fund dimëri në lagunë”, “Vranisht-Vlorë, “Xibrakë-Elbasan”, “Apolloni”,“Vau i Dejës”, “Prespë”, “Raboshticë”, “Pukë”, “Lepushë”, “Drithas-Korçë”, “Valbonë”, “Korçë”dhe shumë vepra të tjera,për të kuptuar sesa i përfshirëështë piktori gjatë procesit në përthithjen e shpirtit të natyrës, duke mos e cënuar për as një çast freskinë dhe bukurinë e saj. Tabolt e tij nuk janë gjë tjetër, por pasqyra dritë-verbuese e universit poetik migjenian të artistit, nga ku çdo gjë merr përmasat e individualitetit vetjak të Përvathit.

     Piktori nuk resht së kërkuari ngyrën, përsosmërinë e organizimit të hapësirës mbi kanavacë, gjë, e cila e vendos atë në një raport të ri me kohën.Një raport, i cili të shpie në një gjendje mistike. Natyra në brendësi të veprave të tij nuk është një peizazh i çfarëdoshëm, por një ëndërr ku unë dëshiroj të shkelë mbi barin e njomë, të prek çdo gjë, të shtrihem mbibutësinë e gjetheve ngjyra-ngjyra, të lahem në kaltërsinë e ujit të rezervuarit rrëzë kodrës, të shijoj mrekullinë e pemëve shumëngjyrëshe të vjeshtës, një ëndërr nga ku nuk do të doja kurrë të zgjohesha… artisti ka arritur ta lartësojë bukurinë e natyrës, t’i këndojë asaj nëpërmjet ngjyrave. Një melodi e kompozuar herë nën dritën sofuze të qetë pa kontraste në zbrazëtinë shkretane të dimrit dhe herë me shpërthime timbrike në përdorimin e ngjyrave të pastra dekorativenë gjirin e pyjeve vjeshtor, aq sa dhe kompozimi kthehet në një shëmbëlltyrë të mistershme! Ankthi, misteri, vetmia, lumturia, entuziasmi janë ngjyrat e ndjenjava me të cilat piktori luanpër t’i dhënë jetë dhe vërtetësi peizazheve të tij.

     Të gjitha këto mishërojnë një mënyrë të re të të parit natyrëndhe modelimit të saj nëpërmjet gjeometrizimit dekorativ të penelatave, sepse për Përvathin forma nuk ekziston, por ajo krijohet nga përplasja e dritës nështapete e thepisura të maleve, në reflektimin kërcyes mbi sipërfaqet e valëve të detit, liqeneve dhe lumejve, në depërtimin shpues si rreze hyjnore mes pemëve dhe gjetheve të dendura, një magji që vetëm natyra ta dhuron. Në këto kushte piktori kërkon ta zbërthejë këtë efekt optik në realitet, duke e thjeshtuar tërësinë e ndërlikuar të natyrës fizike me njolla ngjyrash të ngjeshura, por që njëra pas tjetrës apo njëra mbi tjetrën krijojnëperspektivën iluzive vëllimore. Ajo çfarë mbizotëron në të gjitha peizazhet e piktorit Përvathi është gjuha me të cilën ai arrinë të përkthej të pazëshmen, heshtjen, duke i dhënë natyrës përmes pikturës së tij një mjet komunikimi.

Në tablot e këtij piktori nuk gjejmë të përjetësuar vetëm natyrën nën shkëlqimin e dritës së diellit, por edhe natën nën ndriçimin hyjnor të hënës, aq sa përfshirja brenda qetësisë së natës të vendos në një dialog të heshtur me pamjen që ke përballë… një heshtje e mposhtuar nga komunikimi me shikimet e mbetura pezull, sinë universin naïftë Henri Rousseau ku shpirti shkëputet nga trupi për t’u ngjitur lart drejt hyjnores, duke lënë pas koshiencën, për të përqafuar subkoshiencën subversive.

     Qenia fizike e artistit në mënyrë të pavetëdijshme përzien emocione, ndjenja, përjetime dhe kujtime të cilat e ndihmojnë atë në formësimin e stilit të tij krejtësisht vetjak. Të një gjuhe artistike larg çdo ndikimi në realitetin e Realizmit Socialist të djeshëm dhe të konceptualizmit në artin bashkëkohor të sotëm. Kjo, sepse piktori Përvathi natyrën e shikon si “muzën” frymëzuese të peizazheve të tij dhe stinën e vjeshtës si kulminacionin e joshjes ndaj saj… aq sa në vegimet e “Vjeshtës së kuqe”, si mbresat e një kohee përshkruan kështu:

 “Dita ishte me diell e në raste të tilla ngjyra e gjetheve të hurmave flakerinë në të kuqe, portokallidhe të verdhat indiane. Prania e diellit ndikon shumë në ngritjen e potencës së ngjyrës në gjethet e hurmave. Aq më tepër kur diellin e ke përballë. Mua së brendshmi dhe vetevetiu më lindi edhe një ide që ta transformoja ngjyrën e tokës poshtë gjetheve të atyre hurmave… e kuqa e gjetheve do të rrinte në harmoni me të umbrën e errët të tokës. Toka e trajtuar në umbra, blu parisiene dhe Van Dyck, do të ishte e rëndë. Do të krijonte me të kuqen e gjetheve simboliken e flamurit tonë kombëtar. Kjo ishte një situatë që lindi vetevetiu. Por, kur pikturoja herë mbas here më duhej të dëgjoja edhe pyetjet idiote të ushtarit që rrinte me armën ne krah. – “Po, përse i pikturoni? Këto gjethe janë dhe po bien…”. Herë mbas here na hiqte vërejtje që të mos shikonim nga pjesa perendimore e repartit. Kur ne e bënim si padashje, aty dallonim grykat e topave qe dilnin jashte bunkereve te medhenj.”

 Pra, kjo dëshmon qartë se ai nxitet nga realiteti real, por që mbi kanavacë ky realitet kalon përmes një procesi të hermeneutikës shqisore të vetë piktorit, duke interpretuar apo lexuar gjithçka në pafundësi ato ndjenja dhe emocione që flejnë brenda tij, për t’i zgjuar më pas në ndjeshmërinë e mendimeve tona. Natyra si emocion, ndërsa peizazhi mbi kanavacë si krijesa e piktorit dhe si e atillëështë njëelocutio-shprehje e mendimit, jo në të kuptuar natyrën, por për ta shtjelluar atë nëpërmjet ngjyrave. – Ngjyrat si shtatë Pleiadat të cilat duket sikur shfaqen me yjet e tyre mbi krye për të na orientuar në errësirën e ëmbël të peizazhevembrëmanet të Pashk Përvathit.

     Piktura si rrëfim dhe natyra si frymëzim në individualitetin e këtij artisti të kohëve tona […]. Dy të vërteta përballë njëra-tjetrës, por, që njëkohësisht formësojnë karakterin e një peizazhisti, i cili tek piktura sheh një idealizëm. Ndërsa tek arti si koncept di dhe dëshiron të shohë vetëm të bukurën, duke bërë njëkohësisht ndërmjetësin midis ndjenjës dhe bukurisë. Përvathi heziton të flasë, madje refuzon të shprehet me fjalë mbi natyrën, sepse për të flasin peizazhet, duke i dhënë asaj përparësi absolute në sundimin e qenies së tij […]. Por kjo nuk do të thotë dhe nënkupton varësi robëruese ndaj natyrës, përkundrazi, JO! Ai ashtu si shkrimtarët udhëton me imagjinatën në brigjet e largëta të ekzistencës së tij, për të prekur e pikturuar pikërisht atë, të padukshmen brenda vetes, ndonëse ajo nga realiteti ekzistues zë fill…

     – Ekzistenca e një të vërtete fizike, si pasqyra ku peizazhet e tij pasyrohen për të ballafaquar tri kalime të jetës: të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e piktorit si pjesë e një konteksti kohë, vendndodhje dhe qasje mendore të cilat në një marrëdhënie të ngushtë mes tyre krijojnë HARMONINË, si thelbi i qenësishëm i revolucionit dekorativ në peizazhet e Pashkë Përvathit.

 

SHKARKO APP