Paska Milo: Shqipëria në arkivat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Çfarë bëri Perëndimi gjatë konfliktit shqiptaro-sovjetik
(Botuar me 28 Janar 1996 në KOHA JONE)
Nga Prof. Dr. Paskal Milo
Mungesa e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në Kongresin e komunistëve rumunë dhe në mbledhjen ndërkombëtare komuniste në Bukuresht, në qershor 1960 nuk kaloi pa u vënë re në departamentin amerikan të shtetit. Ambasadorët në Romë dhe Paris u porositën që t’u kërkonin Ministrive të Punëve të Jashtme Franceze dhe Italiane çdo informacion për këtë çështje që ato mund të kishin nga legatat e tyre në Tiranë. Zyrtarët francezë u dhanë amerikanëve kopje të dy mesazheve, që ishin dërguar nga ministri francez Keller në Tiranë, njëra në 8 dhe tjetra në 25 korrik 1960. Në të parën Keller njoftonte se Hoxha kishte qenë thjesht i sëmurë nga një sëmundje jo diplomatike, e quajtur ethet e Meltës. Në mesazhin e dytë diplomati francez e mohon informacionin e parë, duke iu referuar përgënjeshtrimit zyrtar shqiptar të bërë nga Ministri i Punëve të Jashtme Behar Shtylla. Edhe burimet e Ministrisë së Jashtme Italiane me origjinë nga Tirana në fillim përmendin si shkak ethet e Maltës, por pak më vonë ato njoftojnë se “shpjegimi më i mundshëm i mungesës së Hoxhës në Kongresin e Bukureshtit, është se delegacioni shqiptar ishte instruktuar të mos pajtohej me qëndrimet sovjetike dhe Hoxha në këto rrethana nuk kishte kurajë të kundërshtonte Hrushovin”. Në tetor 1960 departamenti i shtetit siguroi dy raporte nga Ministria e Jashtme Franceze për Shqipërinë, njëri prej të cilëve i ishte dërguar edhe NATO-s. Francezët, ndonëse nënvizonin disa fakte, midis të cilave edhe blerjen urgjente të grurit francez nga ana e Qeverisë Shqiptare, në shtator 1960 besonin se ka pak shanse që divergjencat midis Tiranës dhe Moskës të marrin një karakter të ashpër. Largimin e Liri Belishovës nga Byroja Politike e KQ të PPSH dhe zëvendësimin e saj me Ramiz Alinë, ata gabimisht e interpretuan si një gjest të Enver Hoxhës për të rivendosur kredinë e tij pranë Hrushovit. Ky mendim i diplomacisë franceze mbështetej edhe në vizitën që shefi I komunistëve francezë Moris Torez bëri në korrik 1960 në Tiranë dhe në Moskë, mision ky që synonte pajtimin dhe kompromisin midis Hrushovit dhe Enver Hoxhës para mbledhjes së përgjithshme ndërkombëtare komuniste në Moskë në Nëntor 1960. Por mbledhja e Moskës jo vetëm që nuk i afroi, por që edhe takimi i fundit i tyre, i cili u pasua nga veprime që nuk kishin nevojë më për t’u analizuar për të parë hendekun e thellë që u krijua në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike. Amerikanët në fillim duket se nuk e kanë vlerësuar shumë, ose më mirë nuk e menduan se grindja Moskë-Tiranë do të merrte përmasat që mori. Kjo përshtypje krijohet edhe nga fakti se në arkivin e departamentit të shtetit nuk kishte dokumente për këtë çështje deri në gjysmën e vitit 1961. Në gjysmën e dytë të vitit 1961 interesi amerikan për Shqipërinë vjen e rritet. Në 15 gusht sekretari i shtetit Din Rask u drejtohet ambasadave amerikane në Paris, Romë dhe Ankara. Në telegramin që u dërgon theksohet se “Departamenti interesohet për ndjekjen sa më nga afër e sa më të plotë që të jetë e mundur të zhvillimeve të brendshme aktuale në Shqipëri, të shfaqjeve të vazhdueshme të përçarjes në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, dhe të zgjerimit të natyrës së mbështetjes ekonomike dhe politike që i është dhënë regjimit shqiptar nga komunistët kinezë”. Ambasadave të mësipërme u kërkohej që Shteteve të Bashkuara t’u sigurohej mundësisht maksimumi i informacioneve që qeveritë franceze, italiane e turke, merrnin prej misioneve diplomatike ose prej burimeve të tjera në Shqipëri në lidhje me zhvillimet e brendshme dhe të jashtme të këtij vendi. Në fund të nëntorit 1961 përsëri Rasku u kërkon ambasadave amerikane në Paris, Bon, Romë, Athinë, Anakara dhe në të gjitha vendet e Evropës Lindore informacione të tjera për Shqipërinë, që kanë të bëjnë me konfliktit sovjetiko-shqiptar. Veçanërisht porosiste sekretari i shtetit “interes parësor për informim kanë përpjekjet e regjimit shqiptar për të siguruar ndihmë ekonomike në Perëndim, qëndrime popullore pro ose kundër Enver Hoxhës, çfarëdo treguesish për koncesione ndaj popullsisë, mobilizimin e forcave të armatosura, aktivitetet e teknikëve kinezë dhe zhvillimet e reja në marrëdhëniet me Evropën Lindore, Kinën dhe BRSS”.
2. Fqinjët fërkojnë duart dhe “ruajnë njëri-tjetrin”
Konflikti shqiptaro-sovjetik, që shpërtheu në fillim të viteve 60, ishte i dyti në Ballkan, pas atij sovjeto-jugosllav të vitit 1948. Ai krijoi në Ballkan një situatë të re, e cila për të gjithë fqinjët e Shqipërisë shtroi domosdoshmërinë e rishikimit të politikave të tyre afatshkurtra e strategjike në lidhje me këtë vend e rajonin. Greqia, Italia dhe Jugosllavia, gjithsecila nga këndvështrimi i interesave të tyre, në fund të vitit 1961 kishin përpunuar qëndrimet ndaj përçarjes midis Tiranës dhe Moskës dhe taktikat që do përdornin në marrëdhëniet me fqinjin e tyre të rebeluar ndaj Bashkimit Sovjetik. Për Athinën konflikti shqiptaro-sovjetik ishte në favor në Perëndimit, por veçanërisht të Greqisë. Ajo u tërhiqte vëmendjen aleatëve të saj se çdo ndryshim në orientimin e jashtëm të Shqipërisë drejtohej kundër interesave të tyre të përbashkëta. Kryeministri Karamanlis në dhjetor 1961 shprehej se Greqia ishte për një Shqipëri të pavarur dhe për t’i dhënë një mbështetje që ta ruante pavarësinë nga Moska. Për Qeverinë Greke mbështetja duhej të ishte ekonomike dhe politike, por disi e kufizuar, “aq sa ekonomia e Hoxhës të mbijetojë (jo të fuqizohet – largqoftë!) dhe jeta e tij politike të zgjatet”. Sentenca e njohur “armiku I armikut tim është miku im” është tepër e përshtatshme për të karakterizuar qëndrimin e Greqisë dhe të Perëndimit në përgjithësi ndaj Enver Hoxhës dhe regjimit të tij në kohën e konfliktit shqiptaro-sovjetik. Klasa politike greke pas Luftës së Dytë Botërore nuk kishte patur ndonjë simpati për Enver Hoxhës dhe regjimin komunist në Shqipëri. Përkundrazi, politika greke, e inkuadruar në strategjinë e përgjithshme perëndimore kundër komunizmit kishte bërë mjaft përpjekje për ta rrëzuar atë dhe regjimin e tij. Mirëpo në fillimin e viteve 60 prishja shqiptaro-sovjetike krijoi rrethana të tjera që diktonin një qëndrim tjetër, të kundërt nga ai i mëparshmi. Greqia preferon Hoxhën, i thoshte sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme Palamas, konsullit amerikan Benet, në fund të Tetorit 1961, por ajo “nuk ka ndonjë dashuri për Hoxhës dhe nuk e shikon atë si individ… Në qoftë se Hoxha do të përmbyset dhe në vend të tij do të vihet një kukull sovjetike atëherë sovjetikët do të riktheheshin në Shqipëri. Kjo do të kishte implikime ushtarake përfshirë rikthimin e mundshëm të nëndetëseve sovjetike në Adriatik”. Athina midis dy të këqijave zgjidhte të keqen më të vogël. Ministri i jashtëm grek Averov i thoshte ambasadorit amerikan në Athinë se “Hoxha anti Moskës është para e pistë në bankën e botës së lirë, njësoj (në mos me erë më të keqe) se Tito”. Duke qenë se rezistenca e tij ndaj Hrushovit objektivisht u shërbente edhe interesave greke, Karamanlisi njoftonte Uashingtonin se “Greqia do t’i japë njëfarë ndihme ekonomike dhe ndofta politike regjimit të tanishëm shqiptar në qoftë se Hoxha do ta kërkojë atë”. Konflikti shqiptaro-sovjetik ngjalli ambiciet dhe rivalitetet e vjetra të fqinjëve të Shqipërisë, dyshimet dhe rezervat midis tyre. Tradicionalisht në Shqipëri janë përplasur dy çifte interesash: italo-jugosllave dhe italo-greke. Sapo shpërtheu hapur çarja midis Tiranës dhe Moskës, qeveria greke nxitoi të shpallë Hans-off Policy në Shqipëri. Kjo thirrje më tepër i adresohej Romës dhe Beogradit. Pothuajse në të gjitha demarshet që Athina bëri në Uashington në Tetor-Dhjetor 1961 për të shprehur qëndrimet e saj ndaj konfliktit shqiptaro-sovjetik nënvizohen synimet e vjetra italiane në Shqipëri, shqetësimet greke për një rol eventual të italianëve në këtë vend. Në 31 tetor 1961, Palamas i shfaqi rezervat e qeverisë greke konsullit amerikan në Athinë, Benet duke i thënë se “italianët nuk kishin “mprehtësinë e duhur psikologjike” për situatën shqiptare”. Palamasi sugjeronte francezët si më të përshtatshëm dhe shprehte keqardhjen që britanikët nuk ishin përfaqësuar në Tiranë sepse ato do të dinin se si ta shfrytëzonin situatën. Këtë ide e zhvillon më gjerë ministri i jashtëm Averov në takimin me ambasadorin amerikan, 10 ditë më vonë. Franca, thoshte ai, e cila ka Legatë në Tiranë, është fuqia që duhet të luajë rolin kryesor. Do të ishte shumë e dobishme, sugjeronte Averofi për Shtetet e Bashkuara që nëpërmjet Francës, t’i jepeshin Shqipërisë ndihma në grurë, ushqime etj. Por ai dyshonte nëse Franca do të dëshironte ta luante këtë rol, pa nxitjen dhe interesimin amerikan. Karamanlisi i shpreh fare hapur pikësynimet greke për Italianë kur në mesin e Dhjetorit 1961 thotë se “Greqia nuk do të dëshironte të shikonte Italinë të kthehej në Ballkan”. Dhe akoma më direkt e afishon këtë qëndrim, Promemorja e 21 Dhjetorit që është edhe dokumenti më zyrtar i Qeverisë Greke, ku, duke bërë fjalë për inkurajimin e Shqipërisë nga Perëndimi, nënvizohej se “Italia vështirë se mund të cilësohet si kanali më i përshtatshëm për zbatimin e një politike të tillë aleate ndaj Shqipërisë, sepse siç e tregon e kaluara e saj në këtë vend, mund të shkaktojë mosbesim dhe dyshim”. Grekët gabonin kur dyshonin se italianët ishin për rrëzimin e regjimit të Hoxhës. Përkundrazi. Ministria e jashtme italiane kishte mendimin se “Perëndimi do të kishte shumë avantazhe të mbante statuskuonë në Shqipëri dhe të ruante regjimin antiMoskë dhe antiBeograd të Enver Hoxhës”. Italianët i shfaqin hapur synimet e tyre për të marrë nën kujdes Shqipërinë dhe për këtë e dinë se, në radhë të parë, duhet të fitojnë mbështetjen e amerikanëve. Italia thoshin ata, është në pozitën më të mirë për të ndihmuar në mbajtjen e statuskuosë në Shqipëri. Argumentet që paraqiteshin ishin se marrëdhëniet tregtare italo-shqiptare ishin forcuar në mënyrë të konsiderueshme që nga zbatimi i bllokadës ekonomike sovjetike në fillim të vitit 1961, se blerjet shqiptare ishin rritur dukshëm, se negociatat midis firmave italiane dhe qeverisë shqiptare kishin ecur përpara për ndërtimin e një uzine të madhe të plehrave kimike, se Shqipëria ka nevojë për material, pajisje industrial dhe mjete transporti dhe të gjitha këto mund t’i gjejë në Italia, se qeveria italiane ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë dhe në fushën e bujqësisë etj. Ambasadori amerikan nga Roma njoftonte departamentin e shtetit më 24 Dhjetor 1961 se Qeveria Italiane tashmë ishte e përgatitur që t’i jepte disa kredi Shqipërisë, në qoftë se ajo do t’i kërkonte ato dhe se për një gjë të tillë ishte informuar tërthorazi edhe delegacioni tregtar shqiptar, i cili kishte përfunduar një marrëveshje në Romë në fillim të Dhjetorit. Italianët ishin shumë të kujdesshëm në hapat e afrimit të tyre me Tiranën, sepse nuk dëshironin që t’u jepnin “fqinjëve të Shqipërisë, veçanërisht Jugosllavisë, ndonjë arsye për të dyshuar në depërtimin Italian në Shqipëri”. Qeveria Italiane, gjithashtu u deklaronte aleatëve të vet se e konsideronte çështjen shqiptare të rëndësishme dhe se “nuk ka vend për veprime aventureske nga ana e vendeve të tjera në adresë të Shqipërisë, sepse një ndërhyrje e tillë do të kishte rrjedhoja serioze dhe do të kthente pas një situatë, e cila është duke u zhvilluar tani në favor të Perëndimit”. Me këtë deklaratë italianët paralajmëronin për rreziqe që mund të vinin nga një agresion jugosllav kundër Shqipërisë, zëra këto që ishin përhapur nga një shkrim i gazetarit të mirënjohur C.L.Sulsberger në “Nju Jork Times”. Sipas kësaj gazete, Hrushovi dhe Tito kishin arritur një marrëveshje, që i lejonte Beogradit dorë të lirë në rregullimin e punëve në Shqipëri. Departamenti i Shtetit iu drejtua ambasadës amerikane në Beograd për të marrë informacione më të sakta. Ambasadori amerikan në Beograd Xhorxh Kenan, një nga diplomatët më të shquar që ka pasur departamenti i shtetit dhe analist i shkëlqyer, i ka dërguar qendrës së vet mjaft raporte interesante, në të cilat ai skicon politikën jugosllave ndaj Shqipërisë. Në 19 Nëntor 1961 ai i shkruante Raskut, duke iu referuar ngjarjeve shqiptare se “jugosllavët natyrisht i kanë ndjekur ngjarjet e kohëve të fundit me interesin më të madh dhe me një përzierje shprese dhe shqetësimi” dhe se “ata padyshim do të ishin shumë të kënaqur ta rrëzojnë Hoxhën në favor të një regjimi komunist – revizionist miqësor ndaj Jugosllavisë në qoftë se do të kishin aftësinë për ta bërë këtë përmes intrigës dhe manipulimit në Partinë Komuniste Shqiptare dhe pa patur nevojën e ndërhyrjes ushtarake”. Jugosllavët e kishin bërë të qartë se nuk kishin ndonjë simpati për Hoxhën e Shehun por as edhe mendonin për një ndërhyrje ushtarake në Shqipëri. Ata disa herë i kishin siguruar amerikanët për një gjë të tillë. Nga dokumentet e hulumtuara në arkivin e departamentit të shtetit del se Beogradi nuk kishte frikë nga fakti se italianët dhe grekët mund të fitonin një avantazh më të madh mbi jugosllavët në Shqipëri, sesa nga depërtimi i kinezëve në këtë vend. Qeveria jugosllave mendonte se “është e rëndësishme të lirohet Hoxha nga varësia e tij e plotë prej ndihmës kineze” dhe se “armiqësia e vendosur e Shqipërisë për Jugosllavinë do të zbutet pasi Hoxha të jetë i lirë nga varësia e tij e plotë nga Kina”. Unë mendoj se do të ishte një gjykim naiv të supozohej se jugosllavët në një situatë tepër të komplikuar në të cilën ndodhej Shqipëria, të merrnin në konsideratë vetëm ndërhyrjen kineze në Shqipëri. Tito ishte i përgatitur që të vepronte, por kjo do të varej nga rrethanat që do të mund të krijoheshin. Beogradi ishte shumë konspirativ dhe Kenani i shkruante departamentit se “jugosllavët këtu janë të heshtur sa gurët rreth konditave të brendshme të Shqipërisë dhe të gjitha gjykimet tona qëndrojnë në strukturën e brishtë të asaj që duket”.
3. Çorba e tanishme të ziejë ngadalë
Nga sa është referuar më sipër, lexuesi mund të arrijë në konkluzionin se çështja shqiptare në fillimin e viteve 60 u bë një nga temat qendrore të politikës perëndimore. Ajo u diskutua jo vetëm në nivelin e qeverive, por disa herë edhe në nivelin e NATO-s dhe të organizmave të saj politikë dhe ushtarakë. Nuk ka dyshim që rolin kryesor në përpunimin e qëndrimeve perëndimore ndaj Shqipërisë në kohën e konfliktit me Bashkimin Sovjetik e luajtën Shtetet e Bashkuara. Kjo, jo vetëm për shkak se vendet perëndimore dhe veçanërisht fqinjët e Shqipërisë, Italia dhe Greqia ishin në konsultime të rregullta me Shtetet e Bashkuara për këtë çështje, por se në fund të fundit ishin qëndrimet amerikane ato që u përqafuan nga të gjithë të tjerët. Atëherë, cila ishte politika amerikane ndaj Shqipërisë në momentin e konfliktit shqiptaro-sovjetik? Unë do të mundohem t’i jap përgjigje kësaj pyetje mbi bazën e atyre dokumenteve që ishin të lejuara në arkivin e departamentit të shtetit për t’u shfrytëzuar dhe që mendoj se janë të mjaftueshëm për ta bërë një gjë të tillë. Në 28 Nëntor 1961 diplomacia amerikane bëri një gjest domethënës politik që ishte njëkohësisht edhe një mesazh për regjimin e Hoxhës. Me rastin e festave kombëtare, përvjetorin e Pavarësisë dhe atë të çlirimit nga pushtimi nazi-fashist, përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Halim Budo njoftonte Tiranën se për herë të parë në pritjen që do të jepej me këtë rast do të vinte edhe një përfaqësues i misionit amerikan, në nivelin e ambasadorit në emër të Adlai Stivensonit, përfaqësuesi i përhershëm i SHBA në OKB. Po i njëjti veprim u krye edhe nga misioni britanik. Veprimi amerikan në Nju Jork ishte vetëm një hap, një sondazh në procesin e përpunimit të politikës amerikane ndaj Shqipërisë. Kjo etapë, mbështetur në dokumentet amerikane, ka zgjatur afërsisht deri në fundin e Janarit 1962. Amerikanët para se të vendosnin kanë dashur të grumbullojnë një informacion të bollshëm dhe analitik nga burime të ndryshme e veçanërisht nga fqinjët e Shqipërisë, siç është referuar edhe në fillim të këtij shkrimi. Në radhë të parë departamentit të shtetit i ka interesuar të mësojë diçka më shumë rreth karakterit dhe personalitetit të Enver Hoxhës, thellësisë së bindjeve të tij ideologjike dhe shkaqeve reale të prishjes me sovjetikët. Interesante në këtë drejtim është biseda e zhvilluar më 18 nëntor 1961 midis Din Raskut dhe ministrit Italian të punëve të jashtme Senji në Uashington. Sekretari I shtetit, siç nënkuptohet nga biseda, dëshironte të dinte nëse Enver Hoxha ishte njeri me bindje të thella ideologjike ose jo, sepse këtu ishte edhe kyçi i shpjegimit të konfliktit të tij me Hrushovin. Pasi mori përgjigjen e ministrit të jashtëm italian se Hoxha nuk ka mendime të thella ideologjike, Rasku konkludon “se në qoftë se Hoxha ishte në gjendje të prishej me sovjetikët, ai mund të jetë në gjendje të prishet edhe me kinezët, që janë më larg. Çështja është se ku do të shkonte ai atëherë”. Departamenti i shtetit në fazën e parë nuk nxitohet të nxjerrë konkluzione, të cilat mund edhe të ishin të nxituara e për rrjedhojë edhe të dëmshme. Në tetor 1961, Qeveria Greke kritikonte Shtetet e Bashkuara se mbanin një qëndrim indiferent ndaj Shqipërisë dhe “nuk kanë interes të shohin ndonjë interes” tek regjimi i Hoxhës. Din Rasku autorizon ambasadorin amerikan në Athinë, që t’i komunikojë gojarisht Averofit se “Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, janë duke ruajtur një interes aktiv për situatën shqiptare duke studiuar atje rrjedhën e ngjarjeve nga sa më afër që të jetë e mundur…” Dhe se “në situatën e tanishme shumë delikate dhe shumë fluide, Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi në përgjithësi kur shohin situatën nga afër, duhet të veprojnë me maturi dhe nuk duhet të marrin iniciativa, të cilat do të nxisin Pekinin dhe Moskën që të kapërcenin diferencat ekzistuese në lidhje me Shqipërinë dhe ndofta i detyrojnë shqiptarët të tërhiqen nga kundërshtimi i tanishëm i hapur ndaj Bashkimit Sovjetik”. Kujdesi amerikan për hapa të matura në adresë të Shqipërisë përcaktohej edhe nga dy faktorë të tjerë. Së pari, departamenti i shtetit mendonte se ndihma kineze nuk do të ishte e mjaftueshme për shqiptarët dhe regjimi i Hoxhës pas një farë kohe do të ishte i detyruar të kërkonte ndihmën materiale perëndimore. Për rrjedhojë këshillonte Rasku “do të jetë avantazhi më i madh për Perëndimin ta lerë çorbën e tanishme të ziejë ngadalë”. Së dyti, amerikanët besonin se ishte e mundur që gjatë kësaj kohe forcat tashmë të angazhuara të kishin kryer lëvizjen e Shqipërisë në drejtim të Perëndimit. Qëndrimin e mësipërm departamenti i shtetit do ta konfirmojë përsëri në 10-ditëshin e dytë të janarit 1962. Më 6 Janar “Zëri I Popullit” si në shumë raste të tjera, u zgjodh nga Enver Hoxha për t’i lëshuar një sinjal afrimi Perëndimit. Në kryeartikullin e kësaj gazete shprehej dëshira e Qeverisë Shqiptare për të vendosur marrëdhënie diplomatike dhe për të patur marrëdhënie të mira tregtare dhe kulturore me të gjitha vendet perëndimore. Kryeartikulli pati një jehonë të gjerë ndërkombëtare. Ndër të tjera dy gazeta prestigjioze amerikane, “Uashington Post” dhe “Nju Jork Times” më 11 janar tërhoqën vëmendjen për këtë kryeartikull dhe e interpretuan atë “si një iniciativë shqiptare, të motivuar nga ndjenja gjithnjë në rritje e izolimit dhe të presioneve ekonomike, që rezultojnë nga mungesa e ndihmës së bllokut sovjeto-evropiano lindor për Shqipërinë”. Nisur nga ky kryeartikull, departamenti i shtetit u dërgoi telegram të gjitha ambasadave amerikane në Evropë më 13 janar 1962, në të cilin sqaronte pozicionin e qeverisë amerikane në lidhje me Shqipërinë. Aty thuhej se “Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë t’i ndjekin nga afër dhe me interes zhvillimet shqiptare por besojnë se do të ishte e parakohshme në këtë fazë për to që të përpiqeshin të formulonin çfarëdo konkluzione bazë në lidhje me kursin e ardhshëm të ngjarjeve shqiptare ose të ndërmarrë iniciativa në adresë të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara nuk kanë aktualisht plane për njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me regjimin shqiptar”. Dy javë më vonë, departamenti i shtetit përfundoi studimin e titulluar “politika imediate vendimore e Shteteve të Bashkuara në lidhje me Shqipërinë”. Në formën e një letre ky studim u diskutua dhe u miratua më 26 Janar në mbledhjen e grupit të përhershëm të këshillit të sigurimit kombëtar dhe pak më vonë edhe nga Presidenti Xhon F.Kenedi. Presidenti amerikan ka qenë i interesuar për çështjen shqiptare personalisht, gjë që e dëshmon ndër të tjera edhe diskutimi i tij me ministrin e jashtëm austriak Kraiski dhe presidentin jugosllav Tito. Pas miratimit nga presidenti studimi mori vlerën e dokumentit bazë orientues “në lidhje me problemet politike që kanë dalë nga situate aktuale e Shqipërisë në mosmarrëveshjet e saj me sovjetikët…” Ky dokument që departamenti i shtetit e quante “formulimin më të fundit dhe më të gjerë të politikës së Shteteve të Bashkuara” u rekomandua të diskutohej në takimin e këshilltarëve politikë të NATO-s. Qëllimi I diskutimit ishte “përpjekja për të koordinuar politikat imediate të anëtarëve të NATO-s për Shqipërinë në situatën e saj aktuale, veçanërisht në lidhje me pikat G dhe H të deklaratës që kanë të bëjnë me çështjet tregtare dhe me zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me shtetet Jo të bllokut”.
Dokumenti i cituar është një njoftim i gjerë që departamenti i shtetit ua dërgonte përfaqësuesve amerikanë në shtabin e NATO-s në Paris më 21 Shkurt 1962. Për fat të keq në arkiv ekzistonte vetëm faqja e parë e këtij dokumenti, kështu që edhe informacioni ynë është i mangët për gjithë përmbajtjen e tij. Në pranverën e vitit 1962 amerikanët ju qasën më afër se kurrë problemit shqiptar. Më 11 prill departamenti i shtetit u dërgoi të gjitha ambasadave dhe misioneve diplomatike amerikane udhëzimin me subjekt: “ hapja e një linje komunikimi me Shqipërinë”. Departamenti njofton se “interesi i politikës së Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë është rritur” dhe “pa asnjë ndërhyrje ose iniciativë nga Shtetet e Bashkuara çështja e Shqipërisë në konfliktin kino-sovjetik, mosbesimi I regjimit shqiptar për sovjetikët dhe çarja e hapur midis partisë e shtetit shqiptar me Moskën është zhvilluar në një mënyrë që u shërben interesave tona”. Edhe ky dokument që përbëhet prej 28 faqeve, në dosje ndodhet vetëm faqja e parë, por edhe aq sa është dëshmon se amerikanët kanë konkluduar se është e nevojshme të lidhen në një mënyrë ose tjetër me Tiranën. Ndofta ky ka qenë edhe një nga vendimet që u morën në nivelin më të lartë të administratës së Kenedit në fund të Janarit e fillim të Shkurtit 1962. Departamenti i shtetit informonte se në mungesë të një linje kontakti me shqiptarët “është e dëshirueshme të hapet një kanal, përmes të cilit Shqipëria mund të ofrohet jo zyrtarisht me Shtetet e Bashkuara në një kohë që ajo mund të dëshironte të bënte takime esenciale dhe përmes të cilave Shtetet e Bashkuara mund të hetojnë zhvillimin e qëndrimit shqiptar ndaj Perëndimit”.Në dosje nuk kishte ndonjë dokument tjetër, që të tregonte se si do të mund të realizohej ky kanal komunikimi dhe nëse ai realisht arriti të vendosej. Gjykuar nga zhvillimet e mëvonshme ka më shumë mundësi që i gjithë projekti të ketë mbetur në kuadrin e ideve.