Paskal Milo: Shqipëria në arkivat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

(Botuar me14 Janar 1996 në KOHA JONE)

Nga prof. Dr. Paskal Milo
Parimi metodologjik i kërkimit shkencor për t’u nisur nga e njohura drejt së panjohurës i dha shkas një studimi një mujor në arkivat kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Isha ndofta historiano i parë nga Shqipëria, por jo shqiptari i parë, që ulesha në sallën e madhe të studimit të arkivave në Merilend ku prej vitit 1993 në një godinë të madhe e modern janë duke u zhvendosur një pjesë e mirë e fondeve arkivore amerikane, përfshirë edhe ato të departamentit të shtetit, nga godina qendrore e stilit klasik e arkivave amerikane në qendër të Uashingtonit D.C. Pikërisht arkivi i departamentit të shtetit ishte edhe objekti I kërkimeve të mia shkencore. Dokumentet e botuara nga ky arkiv për Shqipërinë ishin një pikënisje premtuese pasi botuesit i kanë pajisur me shënime e tregues orientues. Fondi i arkivit të Departamentit të Shtetit për Shqipërinë është mbi 80-vjeçar. Dokumenti i parë daton 27 prill 1914 dhe është një letër e Kristo Dakos drejtuar konsullit amerikan në Selanik. Fondi është tepër i pasur. Mjafton të thuhet se për periudhën 1914-1944 ka 16 role mikrofilimi dhe disa xhaketa si dhe me dhjetëra dosje nga 1945 në 1966, që është dhe viti i fundit që lejohet të studioheshin dokumentet. Dokumentet janë të përpunuara sipas kritereve shkencore por edhe sipas rregullave dhe ligjeve të miratuara periodikisht nga administrate amerikane duke përfshirë këtu edhe rregullin e përjashtimit për arsye të sigurimit kombëtar. As fondi shqiptar nuk i kishte shpëtuar këtij rregulli. Nga dosjet e tij mungonin me qindra dokumente, të gjitha pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht për vitet 50 ku mungonin mbi 250 të tilla të klasifikuara si sekret kombëtar. Në një shkrim është e pamundur të përmblidhen të gjitha çështjet e pasqyruara në një arkiv të tillë.
Shqiptarët “zbuluan” Amerikën
Shqiptarëve për afro gjysmë shekulli të regjimit komunist u ishte thënë se SHBA ishin armiku kryesor i lirisë dhe pavarësisë së tyre. Dokumentet e Departamentit të Shtetit dëshmojnë të kundërtën, atë që SHBA historikisht kanë qenë ndër mbrojtësit më konsekuentë të pavarësisë dhe të integritetit territorial të Shqipërisë. Kjo kundërthënie vjen si rrjedhojë e koncepteve të ndryshme në trajtimin e kategorive politike të pavarësisë e të integritetit territorial të shtetit dhe të raporteve të tyre me organet ekzekutive të tij. Regjimi komunist gjithnjë vinte shenjat e barazimit midis vetes dhe shtetit, midis fatit të tij dhe fatit të Shqipërisë. Amerikanët asnjëherë nuk kanë vënë shenjën e barazimit midis natyrës së regjimit politik dhe pavarësisë së një shteti. Kjo manifestohet fare qartë edhe në rastin e Shqipërisë. SHBA nuk arritën ta njohin pavarësinë e Shqipërisë zyrtarisht deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Por ato kryen aktin madhor të shpëtimit të saj nga copëtimi pas luftës. Dy letrat e Presidentit Vilson në shkurt-mars 1920 ju ndalën dorën fuqive Evropiane që të prisnin copa nga trualli shqiptar. Shqiptarët i shfaqën mirënjohjen e thellë Vilsonit dhe kjo ndjenjë e tyre është dokumentuar në arkivin e departamentit të shtetit. Në shkurt 1921 ata i kushtuan edhe një vjershë atij e cila kur ju bë e njohur Vilsonit ai shkroi se “është sigurisht më se e gëzueshme të mësoj për ndjenjat e shfaqura ndaj meje në Shqipëri… unë mendoj se çdo kontakt me kombe të tillë qartëson pikëpamjet tona për përgjegjësitë dhe mundësitë tona kombëtare”. Vilsoni vuri gurin e themelit në traditën politike amerikane ndaj Shqipërisë. Politika zyrtare amerikane edhe më vonë eci në gjurmët e Vilsonit, madje ajo i referohet shpeshherë atij aq sa dikush, në departamentin e shtetit do të shkruante jo pa çudi një projekt deklaratë për Shqipërinë në Nëntor 1944: “Përse ne vazhdojmë të përdorim deklarata romantike për Shqipërinë? Interesi historik i amerikanëve në çështjen shqiptare ndodh që të ketë qenë shumë real për disa arsye të cilat unë kurrë nuk i kam kuptuar shumë qartë, që nga 1912, duket se ka qenë diçka si një hobby i Udro Uilsonit”. Përgjithësisht për kohën e Luftës së Dytë Botërore njihet vetëm deklarata e Hull-it e Dhjetorit 1942 për pavarësinë e Shqipërisë. Por në arkivin e departamentit ka shumë dokumente të tjera që vërtetojnë konsekuencën amerikane në këtë drejtim gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Po citoj një prej tyre. Në përgjigje të një deklarate publike të Enver Hoxhës të bërë në Gjirokastër në verën e vitit 1956, sipas së cilës Shtetet e Bashkuara mbështesin pretendimet greke për Epirin e Veriut, departamenti i shtetit udhëzonte ambasadën amerikane në Romë që t’i bënte të ditur Qeverisë Italiane se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka bërë shumë të qartë pozitën e saj në shumë raste, për pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë… politika e Shteteve të Bashkuara kundrejt Shqipërisë është komplet e pa interes. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë ta shikojnë pavarësinë e Shqipërisë dhe integritetin e saj territorial të ruajtur” (R.G.59.General Records Off The Departament off State. Decimal File 1955-1959 Boks. No.3629).
“No coment” (Pa koment)
Nga arkivat amerikane janë botuar mjaft dokumente për Shqipërinë në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Botuesi amerikan ka koleksionuar ato dokumente që ai i ka gjetur më të rëndësishme nga këndvështrimi i interesave amerikane. Një studiues shqiptar padyshim që dallon nga seleksionuesi amerikan për disa arsye e mbi të gjitha se është shumë mirë i orientuar në historinë e vendit të vet dhe e përcakton rëndësinë e dokumentit më lehtë. Për mendimin tim tri grupe dokumentesh nga arkivat amerikane sjellin elemente të reja për periudhën e luftës: deklarata e Kombeve të Bashkuara e 1 Janarit 1942 dhe Shqipëria; Zogu dhe përpjekjet për krijimin e Qeverisë Shqiptare në Mërgim si dhe dokumentet për forcat politike dhe rolin e tyre në luftën antifashiste Nacionalçlirimtare. Në pamundësi për t’i përmendur të gjitha këto dokumente e gjej me vend vetëm të citoj disa prej tyre pa u bërë asnjë koment për rolin dhe kontributet e Ballit Kombëtar e të Legalitetit në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Në arkivin e Departamentit të Shtetit ka disa studime për Shqipërinë e kohës së luftës. Në njërin prej tyre, të bërë nga njerëzit e Zyrës së Shërbimeve Strategjike (O.S.S) në Gusht-Shtator 1944, shkruhej se Balli Kombëtar “Tani është duke bashkëpunuar në mënyrë të paturpshme me gjermanët, dhe është kaq shumë I lidhur ngushtë me Qeverinë Kuislinge saqë është pothuajse e pamundur të bëhet ndonjë dallim midis tyre”. Po në të njëjtin studim thuhet se “Partia Zogiste e Abaz Kupit (Bazi i Çanit), njeriu I cili heroikisht mbrojti Durrësin kundër pushtuesve italianë në 1939, është kompromentuar seriozisht nga mosdashja e saj për të luftuar gjermanët dhe nga marrëdhëniet e saj intime me Qeverinë Kuislinge”. (Shih: R.G.59. Departament off State. Central Decimal File 1940-1944. M.1211.Roll.15p.0360-368). Në një studim tjetër të Departamentit të Shtetit me titull: (“Problemi I njohjes shqiptare” i datës 7 Tetor 1944 konkludohej se “Kupi, Balli Kombëtar, dhe shumë ish fytyra të mirënjohura politike, janë të përlyer me kolaboracionizëm. Ata do të jenë zero politike në sytë e popullit. Kërkesa e tyre e vetme është të nxisin luftën civile. Ata nuk duhen inkurajuar nga ana jonë…” (R.G.59. Department off State. Central Decimal File 1940-1944. M. 1211. Roll. 16.p.0127).
Qazim Kokoshi, ish-Prefekt i Vlorës, i internuar nga pushtuesit italianë, më 20 Shkurt 1945 I dorëzoi në Itali, Harri T. Fulzit, në atë kohë anëtarë i zyrës së shërbimeve strategjike dhe në përgatitje për të ardhur në Shqipëri në përbërje të misionit amerikan, një raport për gjendjen në Shqipëri. Fulzi ia dërgon raportin departamentit të shtetit dhe në shkresën përcjellëse e vlerëson atë si korrekt. Ndër të tjera në këtë raport pasi flitet për bashkëpunimin e Ballit Kombëtar me gjermanët, dhe pasi shtrohet pyetja, përse ky bashkëpunim me armikun e Shqipërisë dhe të gjithë kombeve të tjerë, konkludohet se pretekstet për të shmangur humbjet njerëzore dhe materiale “nuk mund ta shpëtojnë Ballin Kombëtar nga fajësia dhe përgjegjësitë e tij përpara popullit të tyre dhe historisë shqiptare” (R.G.59.Department off State.Decimal File 1945-1949.Box. No.7111).
Në 23 Nëntor 1945, Abaz Kupi i drejtoi një letër sekretarit amerikan të shtetit në të cilën kërkon mbështetje për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945. Kjo letër u diskutua në Departamentin e Shtetit dhe u vendos që të mos i kthehej përgjigje dhe Departamenti të mos ngatërrohej në këtë çështje. Arsyeja është se “ekzistojnë fakte të mbështetura mirë nga burimet amerikane dhe britanike se ai dhe pasuesit e tij kanë bashkëpunuar me gjermanët dhe regjimin kukull shqiptar në Tiranë pas Tetorit 1943” (R.G.59.Department off State.Decimal File 1945-1949. Box.No.7113).
Precedentët e politikës së sotme shqiptare
Lexuesi shqiptar shpeshherë ka ndeshur në gazeta apo ka dëgjuar përmes RTV akuza dhe fyerje të rënda në adresë të politikanëve shqiptarë. Shumë të tjera qarkullojnë nëpër rrugë e kafene nga njerëz që në mos e kanë profesion shpifjen, kanë vesin jo të lavdërueshëm të intrigave të vogla e të thashethemeve. Zakonisht kjo kategori njerëzish janë vetëshpallur kërthiza e patriotizmit shqiptar, të cilët kanë marrë përsipër misionin e “shpërthimit” të Shqipërisë. Në vështrim të parë njeriu mendon se ky patriotizëm gazetash, dhëntë Zoti jo kuletash, është një reminishencë e filozofisë politike të diktaturës e “të rrethimit imperialist-revizionistë” dhe të luftës së klasave që prodhonte tradhtarë e agjentë me bollëk. Mirëpo ata që merren me studimin e arkivave historike kanë konstatuar se ky nuk është fenomen bashkëkohor por historik. Një numër shqiptarësh e paskan për fat të keq në traditë të akuzojnë me lehtësi njëri tjetrin para të huajve. Çfarë mund të quhet ky ves, kompleks i theksuar inferioriteti apo diçka më keq, mercenarizëm. Këto mendime më janë shfaqur edhe kur studioja dokumentet arkivore në Moskë, në Londër dhe tani së fundi në Uashington D.C. Dy figura, ndofta më të shquarat e historisë shqiptare të këtij shekulli, Ismail Qemali dhe Fan Noli akuzohen nga disa shqiptarë si agjentë austriakë dhe grekë, madje të vjen turp kur lexoj që një familje si ajo Dako të marrë përsipër të spiunojë dhe të përgjojë sistematikisht Nolin. Dhe Noli nuk është kursyer nga asnjëra anë edhe më vonë. Liberal demokrat i vërtetë ai pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa akuzohej nga emigracioni politik shqiptar si komunist e në shërbim të Hoxhës, në Tiranë e shpallnin “agjent të imperializmit amerikan”. Bashkëkohësit dhe bashkëmendimtarët e Nolit, Luigj Gurakuqi e Hasan Prishtina janë akuzuar si agjentë të Italisë. Një frymë e tillë akuzash reciproke ndeshen sidomos pas Luftës së Dytë Botërore në veprimtarinë e grupeve të ndryshme të emigracionit politik shqiptar. Hasan Dosti akuzohet si vegël e zbulimit britanik nga Halim Begeja, po kështu edhe Abaz Ermenji që ishte nën kujdestarinë e të mirënjohurit Hill. Ernest Koliqi akuzohet si agjent Italian, por Qazim Mulleti akuzon si të blerë edhe nga grekët me paratë e të cilëve paska ndërtuar një vilë në Rapallo, gjithashtu edhe në shërbim të britanikëve. Krerët e BKI i kundërpërgjigjen Qazim Mulletit se ishte vënë në shërbim të italianëve. Jani Dilo shkruante se drejtuesit e bllokut kombëtar independent punojnë nën urdhrat e huaja, ndërkohë që ishte jashtë çdo dyshimi se për kë punonte komiteti I Prizrenit në Jugosllavi. Shumë dokumente që gjenden në arkivin e Departamentit të Shtetit si letra, raporte, memorandum e biseda, dëshmojnë se kjo përçarje që erdhi duke u thelluar të këtij emigracioni që nuk vihej re në radhët e emigracionit politik europiano-lindor, si dhe për një nivel të ulët politik e për vlera morale të dyshimta. Emigracioni politik evropiano-lindor, në dallim nga ai shqiptar, në përgjithësi ishte një opozitë antikomuniste e dalë nga gjiri i partive të vjetra dhe tradicionale të paraluftës të cilat kontribuuan në rezistencën antifashiste ose qëndruan mënjanë e nuk bashkëpunuan me fashizmin. Arkivi i Departamentit të Shtetit lejon që të bëhet anatomia politike e emigracionit shqiptar në SHBA dhe në Evropë, megjithëse një pjesë e dokumenteve rreth tij, veçanërisht për vitet 1950-1954 është e klasifikuar ende si sekret. Të gjithë krerët e emigracionit shqiptar kanë qenë në marrëdhënie me departamentin e shtetit apo ambasadat amerikane në Evropë, por nga të gjithë ata, sipas dokumenteve, del se Hasan Dosti dhe Ernest Koliqi kanë qenë në marrëdhënie më intime. Diplomacia amerikane me shumë përvojë mbante shënim, analizonte, mbështeste aq sa ajo gjykonte të arsyeshme brenda kuadrit të interesave amerikane, të strategjisë antikomuniste e të luftës së ftohtë. Në vitin 1949 SHBA dhe Britania e Madhe e përcaktuan regjimin komunist në Shqipëri si hallkën më të dobët në zinxhirin e bllokut sovjetik. Ata vendosën që të godasin pikërisht aty me shpresë se mund të shkëputej Shqipëria nga ky bllok dhe të integrohej në botën perëndimore. Emigracioni politik shqiptar mori në vitet 1949-1954 një rëndësi të jashtëzakonshme në planet antikomuniste të Perëndimit, por ai siç konstatohet edhe në disa dokumente të departamentit nuk e justifikoi veten, mbeti i përçarë, u mor më tepër me luftë klanesh dhe nuk pati influencë politike të mjaftueshme në Shqipëri. A mund të bëhej ky emigracion një forcë politike serioze dhe me peshë kundër komunizmit në Shqipëri? Lexuesi le të nxjerrë vetë konkluzione nga disa dokumente që do të citohen më poshtë nga arkivi i departamentit të shtetit. Hasan Dosti më 11 Gusht 1949 në një bisedë në Departamentit e Shtetit deklaronte duke folur për Legalitetin dhe Bashkimin Kombëtar Indipendent se “Balli Kombëtar konsideron se këto grupe të tjera janë jo demokratike dhe e kanë tradhtuar Shqipërinë në të kaluarën” (R.G.59. Department of State. Decimal. File 1945-1949. Box. No.7113). Në një bisedë tjetër të tij po në Departamentin e Shtetit më 4 Maj 1953 ai sugjeronte që “çlirimi i Shqipërisë mund të realizohej në këtë kohë vetëm me ndihmën jugosllave dhe se jugosllavët mund të shfrytëzoheshin efektivisht me kusht që gjithë operacioni të ndërmerrej me pëlqimin paraprak të grekëve dhe italianëve, të cilët nuk do të kishin vërejtje ndaj operacionit në qoftë se ata do ta dinin se ai ishte ndërmarrë në kuadrin e “garancive” të Departamentit të Shtetit” (R.G.59. Department of State.Decimal File 1950-1954. Box.No.3969). Në vitin 1953 përçarja midis grupeve politike të emigracionit arrin kulmin. Një pjesë e Ballit Kombëtar me Ali Këlcyrën në krye u bashkua me bllokun kombëtar independent dhe krijuan në Romë, Bashkimin Demokratik Shqiptar. Halim Begeja një nga eksponentët kryesor të Ballit në këtë rast ka zhvilluar një bisedë në Departamentin e Shtetit në 9 Shtator 1953. Diplomati amerikan që e referon bisedën shkruan: “Pas paraqitjes mjaft të gjatë të dobësive të komitetit të tanishëm kombëtar të Shqipërisë së Lirë, dhe veçanërisht të gabimit për mbajtjen si president të tij të kolaboracionistit të njohur fashist si Hasan Dosti, zoti Begeja thekson se karakteri jo përfaqësues i komitetit kombëtar për Shqipërinë e Lirë dhe lufta e tij konstante me grupet e tjera emigrante shqiptare në këto 4 vjetët e fundit kishte shërbyer plotësisht për dobësimin e çfarëdo efektiviteti të emigrantëve shqiptarë si opozitë ndaj regjimit komunist në Shqipëri dhe aktualisht kishte operuar në forcimin e pozitave të Enver Hoxhës” (R.G.59.Department of State. Decimal File 1950-1954.Box.No.3969). Në vjeshtën e vitit 1953 në gjirin e Ballit Kombëtar shpërtheu një e carë tjetër. Këtë herë janë Vasil Andoni, sekretar i përgjithshëm i Ballit, Abaz Ermenji, Jani Dilo e shumë të tjerë që i kundërvihen Hasan Dostit dhe nuk pranojnë zgjerimin e komitetit kombëtar të Shqipërisë së lirë me përfaqësues të bllokut kombëtar independent sepse siç i shkruante V. Andoni Ambasadës Amerikane në Romë ai “është një grupim i elementëve të prapambetur e të diskredituar, të njohur për popullin shqiptar si vegla të të huajve dhe kampionë të obskurantizmit. Ata kanë luftuar gjithnjë kundër rezistencës tonë kombëtare dhe kundër aspiratave legjitime të popullit shqiptar” (R.G.59.Department of State. Decimal File. 1950-1954.Box.No. 3969). Konflikti brenda Ballit arriti kulmin në Kongresin e tij që u mbajt në Napoli më 24 Shkurt 1954 ku Hasan Dosti dhe disa pasues të tij u përjashtuan nga partia me 495 vota pro nga 514 të pranishëm. Ky qëndrim shkruajnë D. Duma, A. Logoreci, P. Bogdo, Q. Kastrati dhe T. Zavalani në një memorandum drejtuar sekretarit të shtetit Dallas, 24 Gusht 1954 “nënvizon ndjenja të thella kundër ish kolaboracionistëve… është e pabesueshme që rivendosja e lirisë dhe demokracisë të mund t’u besohet atyre, të cilët të paktën, zunë pozita me përgjegjësi nën pushtimin fashist” (R.G.59.Department of State.Decimal File. 1950-1954. Box.No.3969). Përcarja në radhët e Ballit dhe në përgjithësi tek emigracioni shqiptar coi në krijimin e një komiteti tjetër, rival i atij që kryesohej nga Dosti në Paris, në Gusht 1954 dhe që kryesohej nga Abaz Ermenji. Pas vitit 1953 duke ju referuar dokumenteve, shumë aktiv në luftën politike në gjirin e emigracionit bëhet Ernest Koliqi i cili ishte sipas përcaktimit që i bënte në këtë kohë Ministria Jashtme Italiane “udhëheqësi i vërtetë shpirtëror dhe “truri” i bllokut kombëtar independent”. Komiteti i dytë kombëtar për Shqipërinë e lirë që u riorganizua në vitin 1953 nuk arriti të mbijetojë gjatë, ai në fillim të vitit 1956 u shpërnda. Pas kësaj është Ernest Koliqi, i cili merr përsipër krijimin e komitetit të tretë kombëtar. Së bashku me Ismail Vërlacin, Ndue Gjon Markaj, Selim Damani dhe Ymer Sharra, Koliqi më 22 qershor 1956 u paraqit në Ambasadën Amerikane në Romë ku parashtron nevojën e krijimit të një komiteti të ri që siç i shkruante Ambasada Amerikane në Romë Departamentit të Shtetit më 26 Qershor 1956 do të shërbente “si një kundërpeshë e komitetit kombëtar demokratik për Shqipërinë e lirë të Parisit, të kryesuar nga Abaz Ermenji, për të cilin ata absolutisht nuk kishin asgjë të mirë për të thënë.” (R.G.59.Department of State. Decimal File 1955-1959. Box.No.3628). Koliqi dhe të tjerët I kundërvihen hapur Hasan Dostit që e quajnë “kapriçoz dhe inkompetent” dhe komitetit të Abaz Ermenjit që e cilësojnë si “krahun ekstremist të Ballit Kombëtar që ka adoptuar metoda komuniste”. Të gjithë, vazhdon raporti i Ambasadës në Departament “ishin dakord në mallkimin e Dostit dhe thanë se as nuk shtrohet fare çështja që ai të bëhet anëtar i çfarëdo komiteti që ata mund të formojnë”. (Po aty). Në fund të vitit 1956 në Nju Jork u krijua komiteti i tretë kombëtar për Shqipërinë e Lirë me në krye Rexhep Krasniqin. Në arkivin e Departamentit të shtetit ka një numër të konsiderueshëm dokumentesh edhe për emigracionin politik në Jugosllavi i cili ishte organizuar në komitetin e Prizrenit. Në një nga këto dokumente, në raportin që konsullata e përgjithshme amerikane në Stamboll i dërgonte departamentit të shtetit më 12 Tetor 1954 në lidhje me refugjatët politik shqiptarë, shkruhej edhe për komitetin e Prizrenit. Ndër të tjera thuhej: “Qeveria Jugosllave vazhdon t’u japë ndihmën e saj refugjatëve shqiptarë… Pa aprovimin e Dushan Mugoshës, delegatit të Qeverisë Jugosllave në komitet, ky komitet nuk është i autorizuar të ndërmarrë asnjë aksion… ky komiteti i cili u formua me aprovimin e Qeverisë Jugosllave vepron sipas një programi të përgatitur nga kjo qeveri. Në një deklaratë të tij të majit 1950 ky komitet shpalli objektivat e tij si çlirimi i Shqipërisë nga sundimi i Enver Hoxhës, krijimi i Bashkimit Jugosllavo-Shqiptar dhe përfshirja e Shqipërisë në Republikën Federale Jugosllave” (R.G.59.Department of State. Decimal File. 1950-1954.Box.No.3969). Duke parashtruar një pjesë të vogël të dokumenteve të hulumtuara të cilat së shpejti do të mbërrijnë edhe si fotokopje, e garantoj lexuesin për autenticitetin e saktësinë e përkthimit të tyre.

SHKARKO APP