Pasojat e Covid në turizëm, Gerxhani: Duhet të bëjmë gjithçka që të mos spostohen të gjitha prenotimet në 2021
Nuk ka ende një përllogaritje të dëmit të shkaktuar në fushën e turizmit nga Covid-19 por parashikimet janë negative.
Kliton Gerxhani, konsulent në fushën e turizmit, në një intervistë për Ora News thotë se me rëndësi është që të ketë njëfarë aktiviteti përgjatë këtij viti dhe të mos spostohet gjithçka në 2021
Gerxhani: Dëmi duhet të gjykohet në fund të vitit.Çdo ditë ka lajme të reja, kryesisht spostohen datat e ardhjes së turistëve javë pas jave me muaj më mbrapa. Shpresa është që të mbetet diçka në 2020 sepse nëse spostohet gjithçka në 2021 që është dhe trendi kryesor, do të kemi një vit shumë problematik për të gjithë bizneset dhe sektorin e turizmit.
Gerxhani thotë se pasojat jane ndjerë si te biznesi i vogël ashtu edhe ai i madh.
Gerxhani: Askush nuk ka klientë. Qoftë biznes i madh apo i vogël. Dëmi është për të gjithë. Duhet të mendojmë fort që të shpëtojmë çfarë të mundemi.
E gjithë kjo situatë kërkon edhe një strukturim të të bërit turizëm. Gerxhani thotë se nuk mund të flitet më për sasi por duhet të fokusohemi te cilësia.
Gerxhani: Duhet të shikojmë më shumë te cilësia sesa të sasia sepse nuk do të kemi më turizëm sasior. Nuk ka më turizëm të tillë derisa të zhduket meraku komplet ndaj këtij virusi. Si për turizmin vendas ashtu edhe atë të huaj. Nëse do të arrijmë të bëjmë 20-30% të asaj që kishim planifikuar për këtë vit duhet të jemi të lumtur. Kemi dy muaj mbyllur dhe nuk u mbyllëm kot. Askush nuk na garanton se nuk do të ketë një mbyllje të dytë. Duhet të nxjerrim mësime që të mos keni një mbyllje të dytë. Kemi shumë sfida.
Sa i takon çarterave, edhe ti duam nuk do të jenë më si dikur. Nëse një çarter merr 150 vende nuk do të ketë më shumë se 70.Duhet të ketë tjetër koncept dhe për çarterin.Ne kemi qenë vendi me të ardhurat më të ulëta për numër turisti, të ardhurat më të pakta për të gjithë Europën, 250 euro për qëndrim.
Lidhur me dy paketat mbështetëse të qeverisë ai vlerëson spostimin e pagesës së tatim fitimit dhe kredinë me interes zero por thotë se çështja e pagës së luftës duhet të rishikohet.
Gerxhani: Spostimi i tatim fitimit, është për tu përshëndetur. Nuk ka kuptim të tatohen ndërkohë që nuk flitet fare për fitim. Masa e dytë është pranimi që kemi bërë për kredi me interes zero për të paguar punonjësit por edhe për likuiditet. Ajo çfarë duhet riparë është paga e luftës, u dha vetëm për punonjësit e pushuar nga puna apo kompanitë që ishin mbyllur por jo për punonjësit që ishin deri në atë moment në punë. Nuk është korrekte. Duhet të shtrihet te të gjithë punonjësit e sektorit të turizmit. Në një afat të dytë duhet menduar mbështetja financiare e punonjësve për 1-2 muaj edhe të punonjësve që kanë qenë pas datës 10 prill në punë dhe do të jenë akoma.