Pasojat e pariparueshme të zjarreve në Amazona

Nga DW

Deri në fund të periudhës së thatësirës së verës mund të zgjasin djegiet masive të pyjeve në Amazona e të çojnë në shuarjen përfundimtare të disa lloj drurëve. Përmasat e fatkeqësisë ende nuk llogariten.  

“Ne nuk e dimë sa vatra zjarri nga arat do të kalojnë në pyje”, thotë Paulo Brando, ekspert i Institutit të pavarur brazilian për Studimin e Mjedisit në rajonin e Amazonës, IPAM. “Momentalisht pamjet e satelitëve të tregojnë vetëm ekzistencën e zjarreve.” Ka disa javë që zjarret në Amazona kanë tërhequr vëmendjen e botës. Krahasuar me një vit më parë numri i vatrave të zjarrit është rritur me 82%. Vetëm në gusht janë llogaritur 26.000 vatra zjarri.

“Dita e zjarrit”

Shumica e këtyre vatrave janë të regjistruara në shtetin federal të Paras. Prokuroria po heton kundër fermerëve në kuadër të “Ditës së Zjarrit”. Një grup syresh duket se ka vënë në masë të gjerë zjarret për përftim të tokës së punueshme më 10 gusht. Ky aksion duhej të mbështeste presidentin brazilian, Jair Bolsonaro.

Brasilien Waldbrände (picture-alliance/dpa/AP/E. Peres)

Gazeta lokale “Folha de Progresso” raportoi fillimisht për zjarret në jug të shtetit federal Para. “Ne duhet t’i tregojmë presidentit, se duam të punojmë, dhe kjo bëhet vetëm me heqjen e drurëve.” Për të pastruar këto toka, kemi nevojë për zjarrin”, citon gazeta një nga organizatorët.

Sipas informacioneve të prokurorit Paulo de Tarso shumica e zjarreve janë vënë në zonat federale që janë zona të mbrojtura natyrore. Këto zona janë gjithmonë të ekspozuara ndaj sulmeve të pronarëve të mëdhenj të tokave, spekuluesve apo pronarëve të minierave. Prokuroria heton edhe rënien e kontrolleve shtetërore dhe mungesën e mbështetjes për autoritetin brazilian të mjedisit, Ibama.

Prokurori thotë, se “është hequr dorë nga shuma të mëdha, që Brazili merr nga fondet e Amazonës kundër çpyllëzimit”, duke iu referuar ndihmave financiare të pezulluara nga Norvegjia dhe Gjermania për fondin e mbrojtjes së Amazonës. Gjatë samitit të  G7-s në Biarritz, presidenti Bolsonaro e refuzoi sërish një ndihmë të menjëhershme për shuarjen e zjarreve në Amazona.

Më të rrezikuara nga djegiet janë veçanërisht sipërfaqet e dëmtuara nga prerja e drurëve. “Nëse në pyjet e mëdhenj rriten hapësirat, ku drurët janë prerë apo në kërkim të pasurive nëntokësore, me pasojë fragmentarizimin e sipërfaqes pyjore, atëherë shtohen edhe sipërfaqet me drurë të tharë që ndizen shpejt”, shpjegon Paulo Borreto nga organizata joqeveritare, Instituti Imazon.

Nga ana tjetër kur ka periudha thatësire, pyjet vuajnë më shumë. Si strategji mbijetese drurët i lenë të bien gjethet. Po pa mbrojtjen e kurorës së pemës depërton më shumë diell në tokën e pyllit dhe tek drurët e tharë. Edhe gjethet e thara, temperatuarat e larta dhe një pyll i madh me hapësira pa dru brenda e rrisin rrezikun e zjarreve.

Brasilien Waldbrände (Imago Images/Agencia EFE/J. Alves)

Pasoja të mëdha

“Në vitet me thatësirë shuarja e pyjeve mund të prekë deri në 90% të drurëve, sidomos në anët e pyllit”, raporton një studim i Institutit të pavarur brazilian, Ipam. Eksperti Paulo Brando, thotë, se “peizazhi ndryshon radikalisht”. “Ne shohim se si depërtojnë barërat dhe reduktimin e diversitetit biologjik.”

Këtij studimi i paraprin një periudhë vëzhguese prej 9 vjetësh. “Kemi konstatuar një degradim të vazhdueshëm. Kemi vëzhguar shuarjen e drurëve të mëdhenj, dhe periudha e gjallimit të drurëve ka rënë ndjeshëm”, thotë Brando.

Në rajonet, kur flora pas djegieve është përmirësuar disi, studimi tregon, se duhen të paktën 7 vite që pyjet e Amazonës të lëshojnë avuj në atmosferë dhe të përthithin dioksidin karbonik. Studimet në rajon tregojnë po ashtu, se biodiversiteti pëson dëmtime të pariparueshme pas një zjarri. Edhe nëse një pjesë e pyllit rigjenerohet, nuk rikthehet më shumëllojshmëria e drurëve.

Po ashtu kushtet klimatike nuk janë më të njëjta si në dekadat e shkuara. Rajoni i Amazonës është ndërkohë 1 grad më i ngrohtë, se para 60 vjetësh dhe periudha e thatësirës është 3 javë më e gjatë, se para 40 vjetësh, thotë eksperti i Ipam, Brando. “Ky nuk është një proces linear”, por “sa më shumë që ndryshon klima, aq më shumë rriten rreziqet që ndryshimet të jenë tronditëse.”

 

SHKARKO APP