Pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Vettingu zbardhi 83 magjistratë me probleme, ILDKPKI kishte raportuar 48
Rreth gjysma e raporteve të ILDKPKI janë rrëzuar nga hetimet e kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që po bën Vetting-un e gjyqtarëve e prokurorëve. Komisioni ka publikuar treguesit zyrtarë të rezultateve të punës që nga shkurti I vitit 2019 deri në gusht të 2019-ës, ku ka kaluar në sitë 150 gjyqtarë dhe prokurorë.
Sipas raporteve të ILDKPKI-së për 150 subjekte rivlerësimi, kanë rezultuar pa probleme me pasurinë 102 subjekte rivlerësimi dhe me probleme 48 prej tyre, ndërkohë që hetimi i kryer nga Komisioni ka dhënë rezultate të tjera: kanë rezultuar 67 subjekte pa probleme me pasurinë dhe 83 subjekte me probleme. Ndërsa ILDKPKI ka raportuar vetëm 48 magjistratë me probleme, në fund të hetimeve për KPK-në, kanë rezultuar me problem thuajse dyfishi, 83 subjekte.
Sipas të dhënave zyrtare të shkallës së parë të Vetting-ut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga data 8 shkurt 2018 deri në datën 31 gusht 2019 ka dhënë në total 189 vendime: Prej të cilave 81 vendime për konfirmimin në detyrë të 33 gjyqtarëve, 40 prokurorëve dhe 8 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; 68 vendime për shkarkimin nga detyra të 40 gjyqtarëve, 26 prokurorëve dhe 2 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; dhe 15 vendime për ndërprerjen e procesit të 10 gjyqtarëve, 4 prokurorëve dhe 1 ish-ndihmës ligjor.