Patozi: Akrobaci e Greqisë, heq vëmendjen nga problemet me Turqinë
Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi për marrëveshjen e detit me Greqinë, thotë se është akrobaci e palës greke për të shmangur problemet që ajo ka me Turqinë.
”Kjo është një çështje që nuk i përket shumë Shqipërisë. Ne jemi derivat i një konflikti turko-grek që sillet në Shqipëri për shkaqe të Greqisë. Kam ndjekur deklaratat dhe nuk shkoj më tej pasi është si kriza e Bjellorusisë që nuk mund të lidhet me Shqipërinë dhe pse Rama është kreu i radhës i OSBE. Kjo është një bartje e krizës turko-greke që uroj të gjejë një zgjidhje, është një akrobaci e palës greke për ta kaluar në Shqipëri një problem që ka me Turqinë”,- tha në ”A2Cnn”.
Sipas Patozit, mazhoranca ashtu edhe opozita janë në një moment suspance që për të është shqetësuese. ”Politika shqiptare ndodhet në një moment suspance. Do të kemi shtator të vrullshëm pasi ka dhe turbulanca. Ka një heshtje të çuditshme. Të gjitha palët bëjnë sikur nuk ka ndodhur gjë me ndryshimet kushtetuese dhe marrëveshjen e 5 qershorit. Fakti që të tre aktorët heshtin apo bëjnë sikur nuk e kanë mendjen më le një shije të hidhur, pasi duket sikur ata janë të rehatuar me situatën dhe ky mund të jetë një lajm i keq për forcat e reja që kërkojnë ndryshim. Që do të thotë që aktorët e rinj duhet të jenë të vëmendshëm, pasi në kurrizin e tyre po luhet një dramë tjetër që mund të ketë pasoja të rënda për Shqipërinë”.