Patozi flet për aleancat e Bindjes Demokratike

Zgjedhjet e 25 prillit do të mbahen në një situatë aspak normale, duke qenë se ndodhemi në periudhë pandemie. Megjithatë, Astrit Patozi, koordinatori i Bindjes Demokratike u shpreh në A2 se e vetmja gjë pozitive e pandemisë është që do ta çlirojë fushatën nga patetizmi dhe nga shpenzimi i energjive të tepërta, ndoshta edhe nga paratë publike që do të shpenzoheshin për mitingje të panevojshme, tha ai.

Më tej, Patozi u shpreh se Bindja Demokratike do të publikojë edhe platformën e saj, menjëherë sapo partitë e vjetra të përfundojnë me këtë.

“Ne po punojmë që të kemi një rezultat domethënës në këto zgjedhje. Ne duam që Shqipëria të ndryshojë pas 25 prillit sadopak. Po bëjmë përpjekjet tona që të kemi përfaqësues sa më dinjitoz, pasi të dyja kampet nuk ofrojnë asgjë të re. Janë të njëjtët njerëz si në zgjedhjet e fundit. E vetmja gjë e re jemi ne partitë e reja. Bindja Demokratike do ta bëjë diferencën nëpërmjet idesë dhe njerëzve. Ne duam që Shqipëria të ndryshojë, qofshim apo jo fitues, kjo nuk ka shumë rëndësi. Bindja synon të jetë forcë përcaktuese qeverisjeje. Ne kemi mundësi të detyrojmë këta bajlozët e njohur të politikës të futen në kushte të reja dhe rregulla të reja pas zgjedhjeve.

Do ta shpallim platformën menjëherë sapo partitë e vjetra të mbarojnë thesin e premtimeve që e kanë një përsëritje të shëmtuar të zgjedhjeve ndër vite. Platforma jonë është gati, por nuk është një program me numra, por me ide. Ne synojmë ndryshime strukturore politike. Ne do të aplikojmë listën e hapur brenda nesh”, tha Patozi.

Por me kë do të bashkëpunojë Bindja Demokratike? “Janë të gjitha forcat e reja politike. E para, që pranojnë kushtin e listës së hapur, pastaj synimet e ngjashme, që janë shkundja e sistemit dhe jo thjesht rrotacioni. Kemi pasur konsultime dhe do të kemi me zonjën Topalli dhe të tjerë”, u shpreh Patozi.

Bindja Demokratike dhe aleancat e saj, Patozi: Partitë e reja që pranojnë listat e hapura

SHKARKO APP