Patozi: Gati të bashkëpunoj me Bashën
Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë me Partinë Demokratike. Kur u pyet se si do të vepronte nëse merr ftesë nga Lulzim Basha, Patozi u përgjigj: “Unë jam në krah të çdo faktori opozitar, ku përfshihet sigurisht edhe PD, mjafton që të jemi bashkë në qëllimin final për ta rrëzuar këtë qeveri me zgjedhje të parakohshme, sipas disa standardeve të reja që të anashkalojmë këtë sistem të kalbur politik. Unë nuk refuzoj askënd për bashkëpunim politik. Jam i gatshëm të bashkëpunoj edhe me Rilindjen nëse qeveria është dakord për ndryshimin e sistemit”,-tha në ”A2Cnn”.
Patozi theksoi se aktualisht jemi në një situatë absurde, ku mazhoranca nuk di çfarë të bëjë me mbipushtetin dhe opozita nuk po di ku të fusë kokën nga mungesa e tij në të gjitha nivelet.
”Kjo vjen nga kriza e fortë e përfaqësimit politik që zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme, pasi në rast se do ta lejojmë qeverinë që të “zvarritet” deri në vitin 2021, do të kemi humbur shumë si qeveri. Ne kemi nevojë ulëritëse për partnerët tanë strategjikë, sidomos tani. Kur humbin vëmendjen ndaj Shqipërisë, ne gjithmonë kemi bërë gabime të tmerrshme, si pazari i para dy viteve dhe kriza e 30 Qershorit. Kush mendon se e zgjidh vetë, unë them që ne jemi problemi, jo zgjidhja”.
KOHA JONË SONDAZH

