Patozi: Marrëveshja ruajti status quo-n e partive, por ka ende shpresë për reformë zgjedhore!
Drejtuesi i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi e cilëson marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik për zgjedhoren si një certifikim të ‘status quo-s’ së partive dhe krejt e kundërta e asaj që prisnin qytetarët shqiptarë. Për Patozin ky ishte dhe lajmi më i keq i ardhur nga ajo dakordësi mes palëve, pasi edhe njëherë u vërtetuar se politika në Shqipëri drejtohet nga dy persona. I ftuar në Report Tv, Patozi tha për gazetarin Besard Jacaj se për reformën zgjedhore ka ende një shpresë të vakët dhe ajo është debati që ka ngritur opozita parlamentare për listat e hapura.
“Jo që nuk kishte reforma zgjedhore por ishte një certifikim i status quo dhe ky ishte një lajm i keq. Ka një shpresë të vakët që debati i opozitës parlamentare për listat e hapura që mund të sjellë një produkt por deri tani kemi një dakordësi që është status quo e gjallë dhe atë që nuk donin shumica e qytetarëve. Nuk është normale që politika të drejtohet nga dy persona por fatkeqësisht është e mundur dhe kjo ka ndodhur me Shqipërinë. Marrëveshja ka certifikuar qëndimin në vend të Shqipërisë, por ende ka shpresë. Zëri ynë sot është zëri i shqiptarëve që duan ndryshim sistemi dhe lista të hapura dhe në këtë drejtim ia kemi bërë më të vështirë qeverisë që politika të mos jetë e kapur nga dy persona”, tha Patozi.
I pyetur nëse do të ketë një rikthim të tij në PD apo nëse do ta dëshironte një ftesë nga kryedemokrati Basha, për Astrit Patozin kjo është një gjë që s’ka për të ndodhur dhe larg dëshirës së tij. Patozi tha se me PD tashmë e ndan një oqean i tërë dhe se Basha aktualisht ndodhet në anën e gabuar të historisë.
“PD kërkoi revolucion dje dhe sot ruajti status quon me marrëveshjen dhe zoti i ndihmoftë, ndërsa ne sot duam të ndryshojmë Shqipërinë, ky është ndryshimi mes dy partive. Mua nuk më takon të flas për PD dhe kontributi im le të vlerësohet nga historia, unë nuk i përkas më asaj. Nuk e dëshiroj një ftesë nga Basha, por ajo që dua që me të dhe këdo tjetër është të ulemi e të diskutojmë për çështje parimesh. Sot Basha është në anën e gabuar të historisë, ndoshta nesër ndryshon, flasim prapë nesër. Me PD më ndan një oqean i madh, nuk e injoroj por nuk puqemi më. Luftën dhe betejën politike ne e kemi parimore, nuk e kemi te pushteti”, tha Patozi.
A ka komunikim me Sali Berishën? Patozi u treguar i ftohtë ku tha se nuk ka arsye pse të ketë pasi ato tashmë janë parti të ndryshme dhe me bindje të ndryshe, por që flasin sa herë shkëmbehen diku.
“Nuk kemi shumë arsye dhe ai me sa kuptoj është paksa i tërhequr politikisht, por sigurisht që komunikojmë sa herë që shkëmbehemi, nuk shoh arsye pse duhet të kem komunikim me Sali Berishën. Jemi parti të ndryshme në opozitë dhe sigurisht që nuk kemi bindje të njëjta. Nëse do të kishim të njëjtën bindje nuk do të ishim në të njëjtën parti”, tha Patozi.