Patozi: Populli nuk gabon asnjëherë kur voton. Respekt për të gjithë ata që votuan Bindjen Demokratike
Nga: Astrit Patozi
Populli nuk gabon asnjëherë, kur voton. Kjo aksiomë vlen për të gjitha zgjedhjet. Asgjë nuk mund ta justifikojë mosarritjen e objektivit për një forcë politike, pavarësisht rrethanave. Zgjedhjet e 25 prillit u shenjuan nga thirrjet dhe hakërrimat për revansh, të cilat me sa duket e zbehën peshën e çdo zëri të arsyeshëm, duke e paracaktuar rezultatin.
Kur dëgjuan kushtrimin për rrëmbime cfurqesh dhe sopatash, shqiptarët, me sa duket, menduan si gjënë e parë të ruanin kokën, ndaj edhe i ranë shkurt. Zgjodhën të mos ndëshkojnë ata, që kishin qeverisur keq, por më shumë ata që premtonin se do t’ua bënin si në Elbasan atyre që nuk u bindeshin. Dhe ndoshta, jo për meritë të tyre, fituan ata që i frikësonin më pak, ose më mirë ata që mund t’i ruanin nga ata të tjerët.
Kur zgjohen instiktet e mbijetësës është luks të kërkosh që njerëzit të vënë në punë logjikën dhe ta mendojnë veten apo familjen e tyre në kushte normaliteti. Është njësoj si t’i kërkosh një ushtari në front se duhet të bëjë dush dy herë në ditë dhe duhet ta mbajë të hekurosur uniformën. Polarizimi i qëllimshëm I fushatës e ndau si me thikë shoqërinë në bardhë e zi dhe nuk pati më vend për ngjyra të tjera. Kaq e thjeshtë është ajo që ndodhi. Por ky lexim, natyrisht, që nuk ka lidhje me përgjegjësitë tona si parti garuse në këto zgjedhje, të cilat natyrisht do t’i mbajmë pa dilemën më të vogël.
Duke falenderuar me gjithë zemër të gjithë ata, që na u bashkuan në rrugëtimin tonë të bukur politik dhe sidomos ata, që na votuan në mes të një fushate agresive dhe ekstremiste, jam po aq i bindur sa edhe ditën e parë se Shqipëria ka nevojë uluritëse për reforma të thella politike. Secili prej kandidatëve tanë duhet të jetë krenar për zgjedhjen e vet, e cila ishte dinjitoze dhe në dobi të interesit publik. Mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata, që kandiduan me siglën e Bindjes Demokratike dhe për të gjithë ata që na mbështetën në një kohë të papërshtatshme krismash dhe britmash luftarake.
Falë tyre, në çdo cep të Shqipërisë, ne zhvilluam fushatën më të civilizuar dhe më të agumentuar, duke i konsideruar të tjerët si kundërshtarë dhe jo si armiq. Pa sharje, mallkime, britma apo kërcënime. Natyrisht, edhe pa makina që shpërndanin lekë, të cilat nuk kishim nga t’i gjenim, por edhe sikur të na i kishin hedhur me parashutë nga qielli, nuk do t’i kishim përdorur për të blerë vota.
Vijoj t’i qëndroj çdo rreshti të “Planit tonë për një Shqipëri normale”, i cili është një manifest për të ndryshuar, jo thjesht karriget e pushtetit, por mendësinë e drejtimit të Shqipërisë. Kjo ide e bukur nuk pati mundësintë përqafohej në këto zgjedhje, por jam bindur se ajo kohë do të vijë shumë shpejt. Ndaj do të vijoj të inkurajoj çdokënd që bën një përpjekje, por sidomos të rinjtë, për të mos hequr kurrë dorë nga idea se ndryshimi është i mundur.
Ky besim vjen nga bindja e fortë se Shqipëria qeveriset keq, ngaqë është marrë peng prej një grushti personash, të cilët kanë ngritur dhe ushqyer një sistem të mbyllur politik, ku është vrarë gara dhe konkurrenca e lirë. Shqipëria fiton vetëm atëherë kur kjo guackë do të çahet dhe jo kur ata që e kanë krijuar këtë përbindësh marrin pushtetin apo e ruajnë atë, siç ndodhi edhe në këto zgjedhje.