Pazaret që bënin mjekët e Onkologjikut: Me 5 operacione i kap pushimet në Maldive
Aty ku kërkohet shpëtimi i jetës, aty luhet me të. Denoncimet e pacientëve kanë zbuluar të gjithë skemën si mjekët dhe personeli që punonte tek Onkologjiku në QSUT nxisnin pacientët të kryeninin vizitat dhe shërbimet në klinikën private Megis, që ndodhej tek Astiri.
Prokuroria e Tiranës ka zbërthyer një skandal të madh, ku mjekë dhe punonjës të tjerë bënin pazare edhe për operacionet. Dy punonjës të këtij spitali, bëjnë planet e pushimeve, madje flasin hapur dhe për shifrat që sigurojnë nga ryshfetet përmes operacioneve, një prej tyre Emiljano Lela, koordinator i Onkologjikut.
Në dosje përmendet rasti i një zonje nga Burreli, e cila pasi vizitohet në spitalin publik, dërgohet në klinikën private ku punonte mjeku Edmond Gashi dhe mjekja Alketa Ymeri, të cilët punonin edhe në spitalin publik dhe në atë privat. Mjekja Alketa Ymeri ka qenë edhe mjekja që ka regjistruar rastin e zonjës kur është paraqitur për herë të parë në spital.
Sipas dëshmisë, mjeku i ka bërë vetëm një kontroll sipërfaqësor gruas dhe ia ka bërë gjendjen alarmante, duke i thënë që ajo duhet të operohej me urgjencë pasi gjendja ishte shumë keq. Po në atë moment, vijon dëshmia, mjeku i ka thënë që të gjitha vizitat do t’i kryenin te klinika e tij, “Megis”.
Koordinatori i spitalit publik, Emiljano Lela, më pas ka kontaktuar në telefon me të birin, duke i thënë se operacioni në klinikën private kushtonte 3000 euro, por ata do të pagunin 2500 euro. Kur kanë shkuar te spitali kanë paguar 2700 euro, pasi ishin edhe shpenzimet spitalore.
Pjesë nga përgjimet:
-Ku i kap pushimet e tjera tani?
-Këtu e një vit të jemi mirë
-Shih Tajlandën tani
-Po pse jo?
-Hë mo se nuk shkon shumë
1500 euro, 5 operacione, i kap brenda javësh ti, hahahahaha, ca llogarie
-Kirurg më di ti mua? Ku e ke bërë matematikën ti vëlla? Sa bëjnë 5X5?
-Hahaha Llogarita 300 euro operacionin, jo 500
– Po lale po
-Për i javë bëhesh për Maldive ti atëherë