PD akuza Ramës: I dhuroi 8.5 mln euro financueses së fushatës të PS-së
Partia Demokratike lëshoi edhe denoncimin e parë për këtë vit sa i takon abuzimeve të qeverisë Rama. Sekretari për Çështjet Ligjore në selinë blu, Çlirim Gjata, referuar të dhënave zyrtare akuzoi kryeministrin se i ka dhuruar financueses së e fushatës së tij elektorale, Vilma Nushi, 8,5 milionë euro përmes kontratës korruptive të koncesionit të check up-it. “Një raport i dhjetorit për koncesionet i Ministrisë së Financave, konfirmon se për 3 vitet e para të lidhjes së kontratës së dështuar dhe korruptive të check up-it, mikesha dhe financuesja e Edi Ramës është paguar për 580 mijë kontrolle të pakryera. Fatura që shqiptarët kanë paguar për të pasuruar oligarken dhe kryeministrin është 8.5 milionë euro”.
Partia Demokratike, vijoi Gjata, e ka denoncuar që prej fillimit këtë kontratë korruptive të miratuar nga qeveria e Edi Ramës, sipas të cilës financuesja e Partisë Socialiste duhet të paguhet nga paratë e shqiptarëve për 475 mijë kontrolle në vit, pavarësisht numrit shumë më të ulët që realizohet në të vërtetë. Sipas Gjatës, janë 8.5 milionë euro , të cilat, në vend t’i bëheshin dhuratë për të pasuruar një prej oligarkëve të Edi Ramës, mund të ishin përdorur për të zbutur varfërinë në vend.
“Me 290 mijë shqiptarë që ushqehen vetëm 1 herë në ditë, 8.5 milionë euro vjedhje vetëm me 1 koncesion, janë mesazhi më i qartë se qeveria e Edi Ramës nuk ka prioritet mirëqenien e shqiptarëve, nuk ka prioritet rritjen e pagave dhe pensioneve, nuk do t’ia dijë për mbylljen e vendeve të punës. Për Edi Ramën rëndësi ka pasurimi I paligjshëm i një grupi oligarkësh, me të cilët po grabit paratë dhe pasuritë e tjera të vendit”.
Çlirim Gjata garantoi se Partia Demokratike është e vendosur t’i zhbëjë këto skema vjedhjeje. Sapo të kemi besimin e shqiptarëve për të qeverisur vendin me votë të lirë e të ndershme, Partia Demokratike do të anullojë çdo koncesion dhe projekt korruptiv që grabit shqiptarët. “Plani ynë për të orientuar paratë e shqiptarëve për mirëqenien e tyre është e vetmja rrugë për daljen nga kriza ekonomike dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë. Që të realizohet ky plan dhe Edi Rama të mos vjedhë me çdo firmë 8.5 milionë euro, na duhet që, së bashku, ta largojmë sa më shpejt qeverinë e tij kampione të korrupsionit”.