PD: Anija me mbetje të rrezikshme po vjen
Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari ka reaguar mbi kërkesën e Rrjetit të Bazelit drejtuar qeverisë aktuale në lidhje me kthimin e anijeve me mbetje në Portin e Durrësit. Ai është shprehur në shkrim se, kjo organizatë po kërkon nga qeveria aktuale një transparencë mbi administrimin e situatës dhe testimit të mbetjeve. Muçollari shkruan ndër të tjera se këto mbetjë janë mjaft të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin dhe se qeveria po mundohet të manipulojë testimin e të fshehë të vërtetën e këtyre mbetjeve.
Postimi i plotë
Rrjeti i Bazelit, organizata më e specializuar dhe më prestigjioze në planet lidhur me mbetjet e rrezikshme, i ka dërguar sot një letër qeverisë shqiptare, ku kërkon transparencë totale në administrimin e lëndës që po kthehet me anijet e ngarkuara në Durrës. Rrjeti i Bazelit duket qartë se nuk ka besim tek qeveria, dhe kërkon që në momentin që anijet të jenë në Durrës, palë të treta, OJF dhe ekspertë ndërkombëtare të marrin pjesë në procesin e testimit.
Dyshimet janë se në kontejnerët që u ngarkuan në Durrës me 4 korrik dhe u nisen drejt Tajlandës, të ketë pluhur të rrezikshëm për shëndetin dhe për mjedisin. Megjithatë, këtë do ta konfirmojë testimi që do të bëhet në Durrës. Njëra anije, sipas Rrjetit të Bazelit, ka mbërritur në Europë, dhe gjendet në Spanjë. Ajo shumë shpejt do të jetë në Durrës.
Ky organizëm, duke nënkuptuar se qeveria mund ta manipulojë testimin dhe të fshehë të vërtetën, kërkon që procedurat të udhëhiqen nga BE. Nëse jo nga BE, nga OKB. Jo më kot, Rrjeti i Bazelit sugjeron që të merren 3 mostra, që të dërgohen në laboratore të ndryshme, dhe vetëm njërën ta kontrollojë Kumbaro. Transparencë ka kërkuar dhe Opozita, prej ditës së parë. Publikisht dhe me kërkesë për informacion.
Rrjeti i Bazelit arrin në konluzionin se nëse mbetjet janë të rrezikshme, atëherë jemi përpara një trafiku ndërkombëtar të paligjshëm, dhe paralajmëron se kjo është një vepër penale e dënueshme, sipas konventave ku ne aderojmë. Kjo letër që është sot dhe në media, është një goditje e fortë ndaj qeverisë dhe Kryeministrit, të cilët prej ditës së parë janë munduar ta fshehin këtë skandal, e kanë bërë gjithçka për të larë duart e për të mos mbajtur përgjegjësi. Herën e fundit që kryeministri foli për këtë çështje, fajësoi këdo në botë për ngritje alarmi të rremë sipas tij, duke hequr çdo detyrim nga vetja.
E vërteta po vjen bashkë me anijhen. Por kësaj radhe, nuk kemi të bëjmë me ato rastet ku kryeministri del e thotë, e bëra unë ekspertizën, dhe çdo gjë ishte në rregull. Shumë vende dhe autoritete janë në alarm. Ajo anije do të shihet mirë, dhe do të ketë transparencë. Nuk do të mbulohet dot në zgëqet e propagandës së rilindjes. Nëse mbetjet dalin të rrezikshme, qeveria ka dëmtuar shëndetin dhe mjedisin e shqiptarëve. Asnjë qytetar nuk do të jetë gati ta aminstojë Edi Ramën për këtë, as edhe më militanti mes patronazhistëve.