PD: Arratiset nga Rinasi një turk i ndaluar në Shqipëri
Partia Demokratike ka denoncuar një rast, që sipas saj tregon se aeroporti i Rinasit ka dalë jashtë kontrollit. Kështu, në një deklaratë për mediat, PD-ja citon se në aeroportin e Rinasit është arratisur një nënshtetas turk, të cilit i ishte ndaluar hyrja në Shqipëri.
“Një informacion tronditës tregon se pak minuta më parë në aeroportin e Rinasit është arratisur një nënshtetas turk, të cilit i ishte ndaluar hyrja në Shqipëri.
Sipas të dhënave të mësuara nga Partia Demokratike, personi megjithëse mbahej nën vëzhgim në zonën e tranzitit ka hyrë në territorin shqiptar, madje ka dorëzuar edhe pasaportën dhe është larguar më pas nga kabina e kontrollit kufitar, aty ku duhej të ndalohej.
Çfarë po ndodh me aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend, ku drejtues i policisë atje vazhdon të jetë i afërmi i Tahirit të Ramës, edhe pas grabitjes me armë e me maska me 30 qershor në pistën e avionëve.
Këto zhvillime të përsëritura dëshmojnë edhe rënien e cdo standardi sigurie në vend.
Kur del jashtë kontrollit pika kufitare e Rinasit, më e monitoruara në vend, merret me mend se si janë standardet e sigurisë në territorin e Shqipërisë”, citon deklarata e PD-së.
Duke shtuar se Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të bëjë transparencë dhe të informojë menjëherë opinionin publik në lidhje me këto të dhëna tronditëse.
Sipas saj, çdo vonesë në dhënien e informacionit dhe cdo fshehje e tij, e implikon dhe e bën drejtpërdrejt përgjegjës para ligjit, Edi Ramën.
KOHA JONË SONDAZH

