PD e deoncoi për blerjen e votave. Zbulohet vendimi për kryebashkiakun e Hasit, ishte në hetim penal
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, në një intervistë për Gazetën “Panorama” u shpreh se krimet elektorale në të shkuarën duhet të dënohen, që blerësit e votave të mos promovohen në politikë. Për këtë ai solli si shembull rastin e Kryebashkiakut të Hasit Liman Morina, që sipas tij i shpëtoi burgut për blerjen e votavë në vitin 2017, me argumente qesharake dhe me mosveprim me dashje nga ana e prokurorisë, dhe më pas në 2019 u promovua nga Partia Socialiste, duke u kandiduar për Kryetar të Bashkisë Has.
Pas këtij deklarimi, Gazeta “Panorama” ka arritur të sigurojë vendimin e plotë të gjykatës së Kuksit, që provon se Kryetari i Bashkisë Has gjatë vitit 2017 ka qenë nën hetim penal për blerje votash dhe se hetimi ndaj tij është pushuar për mungesë provash.
Nga leximi i vendimit kuptohet se për rastin e Liman Morinës, akuza ka qenë konkrete, qytetari që i janë ofruar paratë ka bërë denoncim, jo vetëm duke u paraqitur personalisht në Prokurori, por duke dorëzuar në prokurori edhe paratë që i ishin ofruar dhe celularin e tij me të cilin kishte regjistruar ofertën e Liman Morinës.
Sipas vendimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur në datë 24 Qershor 2017, në lokalin e quajtur “Pashtriku”, ku shtetasi Muhamed Pavdeja është takuar me Liman Morinën. Sipas kallëzimit të Muhamed Pavdejës, ish- Prefekti i Kuksit Liman Morina, e ka pyetur sesa anëtarë të familjes së tij votojnë dhe pasi qytetari i ka thënë 6 anëtarë të familjes së tij votojnë, i ka ofruar para që të votonin nr. 2 “Partinë Socialiste”, duke i thënë “mbi frigorifer i ke ato, merri dhe ik”. Kallëzuesi shpjegon se ka parë 6 copë prerje të holla 5 mijë lekshe (gjithësej 30 mijë lekë), i ka marrë ato dhe ka dalë nga lokali, duke incizuar në audio në telefonin e tij të gjithë bisedën me Liman Morinën. Menjëherë pas këtij veprimi, ai është paraqitur në Prokurori për të bërë kallëzimin penal ndaj Liman Morinës, Kryetarit aktual të Bashkisë Has.
Prokuroria rezulton të ketë provuar ekzistencën e telefonatave midis denoncuesit Muhamed Pavdeja dhe personit nën hetim Liman Morina. Gjatë hetimeve është bërë nga eksperti kriminalistik edhe këqyrja e gjashtë copë kartëmonedhave me prerje 5000 lekë të sekuestruara në cilësinë e provës, ku janë vërejtur gjurmë në formë njollash, por pa vija papilare, pra pa vlerë provuese.
Ajo që tërheq vëmendjen nga vendimi i gjykatës është fakti që këqyrja e telefonit, ku ka qenë e regjistruar biseda e zhvilluar midis Muhamed Pavdejës dhe Liman Morinës, është kryer nga oficeri i policisë gjyqësore, dhe jo nga një ekspert specialist i kriminalistikës, siç ligji detyron në raste të tilla. Oficeri i policisë gjyqësore nuk ka arritur të bëjë dot transkriptimin e bisedës së regjistruar, për shkak se në bisedë ka zhurmë, dëgjohet fjala “frigoriferi”, por jo emra personash, citohet në vendimin e gjykatës.
Duket se mos kryerja e ekspertimit të regjistrimit audio nga një ekspert specialist, që me mjete dhe teknika të posaçme, bën të mundur jo vetëm identifikimin e zërave në materialin audio, por edhe pastrimin e audios nga zhurmat apo ndërhyrjet e jashtme të panevojshme, ka qenë çelsi që ka shpëtuar nga dënimi Kryetarin e Bashkisë Has Liman Morina, për blerje votash në vitin 2017. Pra, kjo është një ngjarje e pazbardhur dhe ku akuza për blerje votash ka mbetur pa u provuar.