PD emëron Gjunkshin Këshilltar për Sigurinë Kombëtare – lëvizje që interpretohet si kundërpeshe ndaj grupit të Salianjit dhe Alimehmetit
Partia Demokratike ka emëruar sot Xhemal Gjunkshin në detyrën e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare pranë kryetarit Sali Berisha. Vendimi, i firmosur gjatë ditës së sotme dhe mbështetur në nenin 46 të Statutit të PD-së, ka hyrë në fuqi menjëherë.
Në fakt ky emërim është kot së koti, por sa për të thënë se edhe ish-gjenerali ka një karrike në Selinë Blu, meqënëse ishte në takimin me Salianjin dhe Alimehmetin.
Zyrtarisht, ky hap paraqitet si pjesë e përpjekjeve të PD-së për të forcuar kapacitetet profesionale dhe për të konsoliduar strukturat e brendshme. Por brenda selisë blu, lëvizja interpretohet ndryshe.
Sipas burimeve të Koha Jonë, ky veprim i Berishës shihet si një manovër për të balancuar dhe frenuar rritjen e ndikimit të grupit të drejtuar nga Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti, të cilët muajt e fundit janë perceptuar si figura në rritje brenda PD-së, sidomos në proceset e riorganizimit dhe reformimit të strukturave.
Xhemal Gjunkshi ka qenë pjesë e tryezës së reformimit të udhëhequr nga Salianji, por emërimi i tij pranë Berishës konsiderohet nga burime të brendshme si përpjekje për ta afruar atë në orbitën e kryetarit, duke shmangur qëndrimet e tij pranë grupimit reformist që synon rol të zgjeruar në vendimmarrje.
Në PD po zhvillohet aktualisht një dinamikë e nxehtë për kontrollin e proceseve të brendshme, ku krahu tradicional i Berishës kërkon të ruajë dominimin, ndërsa grupimi Salianji–Alimehmeti kërkon rritjen e transparencës, hapjen dhe modernizimin e partisë.
Emërimi i Gjunkshit shihet kështu jo thjesht si lëvizje teknike, por si pjesë e një beteje të brendshme për influencë në fazën e re të riorganizimit të PD-së.
KOHA JONË SONDAZH

